E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngarkesa mësimore, universiteti si ndërmarrje

Ngarkesa mësimore për vitin e ri akademik ka hasur në kundërshtinë e pedagogëve. Ata kërkojnë që të mos kthehen në nëpunës ndërmarrjeje, kur kanë mjaft punë kërkimore dhe shkencore për të bërë. Këtë e bëri të ditur për "Shqip" dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Shezai Rrokaj. Ai tha dje se opinioni i stafeve akademike është që ngarkesa mësimore, e cila ka mbërritur nga Ministria e Arsimit, ka mjaft defekte. Aktualisht ajo është duke u këqyrur në çdo departament dhe më datë 2 qershor çdo fakultet do të dërgojë nga një relacion në rektoratin e Universitetit të Tiranës. Bazuar mbi këto vërejtje do të gjykojë edhe senati i UT-së në mbledhjen e radhës, të cilat do t‘i bëhen të ditura zyrtarisht Ministrisë së Arsimit. "Do të kërkojmë që udhëzimi për ngarkesën mësimore të ndryshojë", tha Rrokaj.

Impakti i parë që ka krijuar ndër pedagogë norma e re, ka qenë ajo e të punuarit si nëpunës në një orar të zgjatur dhe fiktiv. "Puna e një pedagogu asnjëherë nuk mund të kontrollohet në mënyrë të mirëfilltë si orë pune ditore. Kjo metodë e kthen universitetin në ndërmarrje, tha Rrokaj, ndërsa shtoi se është e pamundur të kontrollohet pedagogu për prezencën e tij gjatë ditës në fakultet. Në rregullore, në nenin 14, thuhet se "çdo anëtar i personelit akademik me kohë të plotë në IAL publike duhet të përmbushë detyrimet për kohën vjetore të punës me 192 ditë pune (1536 orë), përcaktuar kjo kohë sipas kërkesave në Kodin e Punës". Duke pjesëtuar orët me ditët e punës, del se një pedagog duhet të bëjë 8 orë punë në ditë.

Qëndrimet e tyre pedagogët e secilit departament jo vetëm të Filologjikut, por edhe të fakulteteve të tjera, do t‘i dërgojnë zyrtarisht në rektorat. Ata do të kërkojnë më shumë lirshmëri në punën e tyre. Gjithashtu duhet të diferencohen leksionet e ciklit të parë nga ato të dytë apo të doktoraturës. Sipas këtij sistemi, një pedagog që jep në nivelin Bachelor është i njëjtë me atë që jep në doktoraturë", tha Rrokaj, duke shtuar se kjo nuk është e drejtë. Pra duhet të diferencohet pesha mësimore, dhe për këtë duhet t‘u lihet më shumë lirshmëri strukturave universitare për të vendosur për normën e secilit pedagog. Kjo ngarkesa, tha Rrokaj, bie ndesh edhe me vendimin e qeverisë, që kërkon një mësimdhënie të integruar me kërkimin shkencor. Udhëzimi i MASH-it përcakton që një pedagog duhet të bëjë 300 orë punë shkencore. Pesha që zë puna shkencore për një mësimdhënës në universitet është e njëjtë me atë që zë puna administrative. Padi udhëzimi përcakton se 150-300 nga norma, pedagogu duhet t‘i bëjë punë administrative. "Sistemi universitar duhet të jetë një sistem i mbështetur në out-puting dhe jo një sistem fiktiv i mbështetur mbi orët e normuara të punës, pasi ato nuk mund të maten, ndërsa prodhimtaria e tij po", tha Rrokaj. Po kështu, me anë të këtij udhëzimi është nënvlerësuar edhe puna që bëjnë pedagogët me tezat, doktoraturat apo oponencat shkencore. Sipas dekanit të Filologjikut, kjo është puna kryesore e profesorëve, por që me anë të udhëzimit merr një karakter burokratik.

Pedagogët do të zbatojnë normën e re mësimore për vitin akademik 2008-2009. Ajo ndryshon pas 4 vjetësh, pasi e fundit u hartua në vitin 2004. Orët e punës janë të ndara sipas titujve që lektorët mbajnë, duke nisur nga 50 deri në 300 orë mësimi. Për personelin akademik, me titullin Profesor, norma është 200 orë mësimore. Me titullin akademik Profesor i asociuar është 220 orë mësimore, ndërsa në kategorinë Docent norma mësimore rritet në 300 orë. Ata pedagogë që kanë titullin Doktor, do të bëjnë 260 orë mësimore. Po e njëjta normë është edhe për pjesën më të madhe të trupës akademike, lektorët të cilët do të japin 260 orë mësimi. Për autoritetet drejtuese të universiteteve publike ka një normë mësimore të veçantë, mjaft të lehtësuar krahasuar me kategoritë e tjera. Një rektor bën deri në 50 orë mësimore. Kryetari i Këshillit të Administrimit 120 orë mësimore, zëvendësrektorët 70 - 50 orë mësimore dhe një dekan 70 deri në 50 orë mësimore. Për shefat e departamenteve, norma mësimore varion nga 150 deri në 60 orë mësimore në vit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›