Fakulteti i Infermierisë, tani edhe me program studimi për doktoraturë
Kuotat dhe tarifat e vendosura nga qeveria Këshilli i Ministrave, vendosi dje në mbledhjen e tij të radhës, hapjen, në Fakultetin e Infermierisë, të Universitetit të Tiranës, të programeve të studimeve të ciklit të tretë, të doktoratës: Doktoratë në “Lëndët Klinike”, në përfundim të të cilit lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr.) në Lëndët Klinike”; Doktoratë në “Lëndët Paraklinike”, në përfundim të të cilit lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr.) në Lëndët Paraklinike”. Sipas të njëjtit vendim, mësohet se këto programe studimi e fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2010 – 2011. Kohëzgjatja e këtyre programeve të studimeve të doktoratës është, të paktën, 3 (tre) vite akademike, ku përfshihen edhe 60 kredite për studime të organizuara. Kuota e pranimit në këto programe studimi, për vitin akademik 2010-2011, janë: Doktoratë në “Lëndët Klinike", 40 kuota; Doktoratë në “Lëndët Paraklinike", 40 kuota. Nga këto kuota 10 për qind caktohen për studentët nga trojet shqiptare, jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë. Kuotat e paplotësuara rishpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Tarifa e shkollimit, për këto programe studimi të doktoratës, është 200 000 (dyqind mijë) lekë dhe likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga Fakulteti i Infermierisë, i Universitetit të Tiranës. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Universitetit të Tiranës, pa efekte buxhetore shtesë. Sipas vendimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave, ngarkohen Ministria e Arsimit dheShkencës dhe Universiteti i Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.
...