Gjaku, një traditë që ka lidhje me faljen, jo me heqjen e jetës
Gjaku nuk është ujë. Dhe dhuna vetëm dhunë nxjerr. Këtë na e tregoi ngjarja ende misterioze e marrjes të gjakut pas 80 vitesh, nga Nikoll çupi, një mirditor. është e vështirë të kuptosh mekanizmin që ka lëvizur në tepelekun e këtij burri 80-vjeçar, sot vrasës, dje një baba i mirë për 60 vjet. Nuk e kuptoj sepse s’jam psikolog dhe as psikiatër, dy profesione që merren me zhbirilimin e mendjes njerëzore në faza akute. Sigurisht në fazë akute ka qenë gjakmarrësi.
Natyrisht Fran çupi, i biri i 80-vjeçarit që ka marrë gjakun e babës, pas shumë dekadash, e ka shoqëruar në polici, praktikisht duke e dorëzuar. Por shqiptarët, hesapet e së kaluarës i kanë shlyer gjatë rrëmujës së jashtëzakonshme të 1997, dhe viteve pas saj. Gjakmarrja e sotme është një çoroditje, pasi njerëzit nuk e dinë ç’është Kanuni dhe tradita. Ja përse ky rast trondit ndjenjat e ditës së sotme. E vetiu gjakmarrja është e “bukur” veç në libra gjithçka tjetër e komentuar rreth saj është e dhimbshme.
Mirëpo ai që i bën moral mbi gjak marrjen mbi mekanizma qytetërimi gabon rëndë. Bile ka edhe prej tyre që e identifikojnë hakmarrjen me gjithë kanunin e Lekë Dukagjinit, duke gabuar edhe më rëndë. Ai plak i motshëm do t’u thoshte këtyre amatorëve të moralizmit se: gjaku nuk është ujë. Mendimi kristian e refuzon gjakmarrjen, siç e refuzojnë në ton minor OJQ-të e moralit, post revolucionit francez, që mbivendosi vlerat e ashtuquajtura të të ”drejtave të njeriut”.
Pse gjaku nuk falet? Gjaku nuk falet sepse është përcjellës i jetës. Një njeri pa gjak thuhet nga veriu i Shqipërisë, nuk shërben për asgjë. Prandaj nëse nuk mendon për gjakun tënd të humbur as që mendon për limfën e jetës. Afërmendsh personalisht e denoncoj këtë vrasje, sepse jam kundra marrjes së jetës së një njeriu tjetër por, kuptohet vetiu se nuk jap leksione morali. Hasmëria përçohet disi në ADN, ajo është e lidhur me mënyrën dhe jetën arkaike, çka është poetike në një botë që kërkon prozë. Kanuni shihet shpeshherë, me padrejtësisht, si simboli i primitivitetit të shqiptarëve, paçka se ai përfaqëson përvojat më të mira të civilizimit ideal, në kushtet më të mira të mundshme që mund të jetohet në një sistem të lirë e demokratik. Mandej duhet sqaruar se gjakmarrje nuk është krejt kanuni.
Për ata që japin zgjidhje mbi problemin e hasmërisë janë romantikë në sensin e kundërt. është shumë e vështirë të hiqet një zakon mbi 500 vjeçar me hir apo me pahir nga shteti shqiptar, ashtu siç nuk po arrijnë ta bëjnë as shteti francez në Korsikë e as ai grek në Kretë, ku akoma bëhet gjakmarrje e hakmarrje, njësoj si tek ne.
Por, shqiptari në ndryshim me vendet e mësipërme ka së bashku me traditën e gjakmarrjes, edhe traditën e kuvendit dhe të pajtimit ose të faljes së gjakut gjithashtu. Para do kohësh kam lexuar diçka prej plakut Cenaj, njërit prej anëtarëve të komisionit të pajtimit, që thoshte: “E quajnë krenari hakmarrjen, sepse nuk kanë vlerësim për jetën. Veçanërisht në rastet kur shteti nuk ka vendosur drejtësi, imagjinoni sa e vështirë është të flasësh me të lënduarin, me vëllezërit apo me prindërit e viktimës së vrarë në kohën kur fajtori është i lirë. Kontakte të pafundme bëjmë edhe me agresorin pa bërë cilësime, siç bëhet rëndom për ata persona që kanë kryer një krim, ne merremi shumë me atë derisa ai të bindet për të kërkuar falje të sinqertë. Sepse pala e dëmtuar ka shumë nevojë për këtë, t’i kërkohet falje”, thotë i moshuari. Merret me mend se pa bujë dhe reklamë mediatike, këta njerëz të thjeshtë pajtojnë qindra njerëz, duke përdorur si kod të procedurës: traditën e popullit, besën dhe bujarinë, ndërsa si element garantues fjalën e dhënë. Por kur e pyet plakun Cenaj për gjakun ai të thotë :”or bir gjaku nuk është ujë”.