Fakulteti i Mjekësisë nuk zhvillon zgjedhjet, UT: Shkelet ligji
Janë zhvilluar dje zgjedhjet për vendet vakante të këshilltarëve të fakulteteve në Universitetin e Tiranës, me përjashtim të Fakultetit të Mjekësisë. Burime nga universiteti më i madh i vendit bëjnë të ditur se të gjitha fakultetet që kanë pasur vende të paplotësuara nga viti 2008, kanë zhvilluar dje zgjedhjet e pjesshme, me përjashtim të Mjekësisë. “Kemi të bëjmë me një shkelje të ligjit dhe nuk na është dhënë ende asnjë arsyetim ligjor për këtë”, – tha për “standard” drejtori i Komunikimit në UT, z. Ervin Demo. Fakulteti i Mjekësisë ishte i vetmi që nuk ndoqi procedurat e parashikuara nga Ministria e Arsimit dhe rektorati i universitetit, duke bojkotuar në këtë formë zgjedhjet e pjesshme. I kontaktuar në telefon nga redaksia, dekani i Fakultetit të Mjekësisë, z. Alfred Priftanji, nuk pranoi të komentonte këtë vendim. Ndërkohë, në shtatë fakultetet e tjera të universitetit zgjedhjet janë zhvilluar pa probleme dhe janë shpallur fituesit, brenda orëve të para të pasdites. Edhe gjatë zgjedhjeve të vitit 2008, i vetmi fakultet ku ka pasur parregullsi të vogla gjatë procesit të votimit ishte pikërisht Fakulteti i Mjekësisë, menaxhimi i të cilit gjatë zgjedhjeve linte për të dëshiruar.