E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjimnazet, kërkesa për profilizimin e nxënësve

04/05/2009  Nxënësit e viteve të dyta duhet detyrimisht të zgjedhin profilin shoqëror ose natyror

Nxënësit e shkollave të mesme që janë në përfundim të vitit të dytë, duhet të dorëzojnë gjatë kësaj jave pranë drejtorisë së shkollës kërkesën për profilin ku duan të ndjekin mësimin gjatë vitit të ardhshëm shkollor. Kalimi i tyre në vitin e tretë do të shoqërohet edhe me një ndarje të re të klasave, çka do të sjellë kategorizimin e nxënësve me prirjet drejt shkencave ekzakte (profili natyror ) dhe ata që kanë prirjet në formimin teorik (profili shoqëror). Përzgjedhja e profilit do të jetë individuale sipas kërkesës së bërë nga vetë nxënësi, i cili duhet të dorëzojë shkresën e plotësuar së bashku me miratimin e prindërve se në cilin profil do të vijojnë shkollën. Me mbledhjen e të dhënave do të bëhet shpërndarja e re e nxënësve në klasa, si dhe do të përcaktohet programi i ri mësimor që do të ndiqet në to gjatë vitit të ardhshëm shkollor. Secila prej shkollave të mesme pas mbylljes së këtij procesi do të dorëzojë pasqyrën pranë drejtorisë arsimore të rrethit, ku do të jenë të hedhura të gjitha të dhënat në lidhje me kërkesat e bëra për ndarjet e profileve. Mbi bazën e këtyre të fundit do të ripërcaktohet edhe shpërndarja e mësuesve që do të japin mësim në këto shkolla, duke realizuar kështu shpërndarjen sipas nevojave reale të shkollës. Këto të fundit të induktuara nga vetë prirjet e nxënësve. Ndërkohë gjatë vitit të ardhshëm në të gjitha shkollat e mesme do të përfshihet kurrikula e re mësimore me lëndë bërthamë dhe ato me zgjedhje për nxënësit që do të mbarojnë këtë vit klasën e 9-të dhe do të hyjnë në vitin e parë. Këta të fundit do të ndjekin një proces të reformuar mësimor ndryshe nga planet mësimore të zbatuara për nxënësit që filluan shkollën e mesme dy vjet më parë.

Profili i ri mësimor që do të ndiqet në shkollat e mesme duke filluar nga viti i ardhshëm (përkon me daljen e brezit të parë të sistemit të ri) do të bazohet më tepër në formatin e ndjekur për provimet e maturës shtetërore. Kjo e fundit do të sjellë një rigrupim të lëndëve mësimore, të cilat do të ndahen në lëndë bazë, që do të jenë të detyrueshme për të gjithë nxënësit në vend, si dhe lëndë me zgjedhje, që do të lihen në varësi të preferencave të kërkuara nga vetë nxënësit për grupe të caktuara lëndësh.

Lëndët e kurrikulës bërthamë, ose siç cilësohen ndryshe “lëndë të detyruara”, do të jenë të njëjta për të gjithë nxënësit e arsimit të mesëm në vend si për nga lloji, numri dhe standardet e arritjeve të tyre. Ndjekja e procesit mësimor do të bëhet në dy grupime të caktuara, ku nxënësit do të jenë të gjithë bashkë në një ambient për ndjekjen e lëndëve bazë, që janë të detyrueshme. Ndërkohë do të grupohen në klasa të ndryshme sipas përzgjedhjeve për ndjekjen e lëndëve me zgjedhje.

Në vitin e parë të shkollës së mesme (viti i dhjetë i shkollimit) do të mbizotërojë kurrikula me lëndët bazë kundrejt atyre me zgjedhje. Ndërsa me kalimin në vitin e dytë është vendosur që të zgjerohet mundësia e ndjekjes së lëndëve sipas preferencave të vetë nxënësve, kundrejt lëndëve që janë të detyrueshme. Në vitin e tretë mundësitë që nxënësit do të kenë për ndjekjen e lëndëve me zgjedhje do të jenë më të pakta. Gjatë këtij viti ata do të fillojnë përgatitjet edhe për ndjekjen e studimeve të larta.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›