E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode nënshkruan kredinë 250 milionë euro, do financohet dhe Durrës-Kukës



Ministri i Financave, z. Ridvan Bode, nënshkroi dje pasdite marrëveshjen për kredinë sindikale me “Alpha Bank” dhe “Deutsche Bank”. Kredia merret për të financuar nevojat e buxhetit të shtetit për shpenzime kapitale për vitin 2009, duke përfshirë financimin e mbetur të rrugës Rrëshen-Kalimash. Kjo kredi do të shpërndahet në dy transhe. Transhi i parë prej 95 milionë eurosh do të disbursohet brenda muajit maj, dhe transhi i dytë prej jo më tepër se 155 milionë eurosh, që do të agregohet nga sindikata e gjerë, do të shpërndahet brenda muajit qershor. Në transhin e parë, bankave rregulluese iu bashkua dhe Banka e Pireut (Tirana Bank) në rolin e Rregulluesit Kryesor të Bashkuar (Joint Lead Arranger) me një kontribut prej 20 milionë eurosh, si dhe Banka Kombëtare Tregtare me një kontribut prej 11 milionë eurosh. Një numër i madh bankash të tjera, me aktivitet ndërkombëtar, por edhe lokal, kanë shprehur interes për t’u përfshirë në sindikatën e gjerë që do të disbursohet në formën e një transhi të dytë. Ky zhvillim shumë pozitiv tregon edhe një herë besimin që institucionet financiare ndërkombëtare kanë në ekonominë tonë dhe në ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria. Gjithashtu, marrja e kësaj kredie do të rrisë stabilitetin financiar në vend dhe do të zvogëlojë ndjeshëm nevojën e qeverisë për të financuar buxhetin nga tregu i brendshëm bankar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›