Tiranë, nis projekti i strehimit
Bashkia e Tiranës ka nisur të vendosë në jetë projektin e Ministrisë së Punëve Publike për strehimin. Nëpërmjet politikave të strehimit të qeverisë është mundësuar që një kategori prej 250 familjesh të përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti. Sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës, ''në Programin e Banesave me Kosto të Ulët, i cili bëhet për herë të parë publik, do të jepen 250 kredi të lehtësuara, të cilat do të ndikojnë sadopak në zbutjen e problemeve të kësaj kategorie". Ky program i ri shkon paralel me Programin e Bonusit të Strehimit që funksion prej tri vitesh dhe menaxhohet nga Drejtoria e Menaxhimit dhe Strehimit pranë Bashkisë së Tiranës. Sipas të njëjtave burime, që ky proces të jetë sa më transparent, bashkia i ka dërguar njoftimet paraprake në të gjitha njësitë bashkiake të kryeqytetit, për të informuar familjet të cilat janë të interesuara që të përfitojnë nga Programi i Banesave me Kosto të Ulët. Sipas kritereve të përcaktuara në këtë program, familjet aplikante duhet të kenë një sasi të ardhurash deri në 41000 mijë lekë në muaj për familjet e përbëra nga (1- 2 persona), 52000 lekë (2-3 persona), 73000 lekë ( 4-5 persona). Fituesit e kredive do të jenë ata të cilët do të kenë pikët maksimale, sipas sistemit të pikëzimit, miratuar në Këshillin Bashkiak në dhjetor të vitit 2008. Pas përzgjedhjes, lista e fituesve do të kalojë për miratim në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe më pas dokumentacioni do t’i kalojë bankës për dhënien e kredisë.