E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faleminderit Silvio!

14-11-2011 / Nga Lavdrim Lita

Në Itali, sharësit e ish-kryeministrit Silvio Berluskoni, në media, janë më të shumtë sesa lajkatarët afër tij. Neutralët janë neutralë. Qëkurse hyri në fushën e politikës më 1994, pas triumfeve të shumta si sipërmarrës: pronar i ekipit të futbollit Milan, pronar super-marketesh gjigante, pronar i rrjetit televiziv Mediaset, sipërmarrje ndërtimi, etj, me një pasur prej 9 miliardë dollarësh, Silvio Berluskoni është sulmuar me të gjitha mënyrat e mundshme nga mediat me pronarë të majtë të skajshëm dhe nga një prokurori e politizuar deri në eksese jakobine. Lexo: 109  gjyqe, 2500 seanca, 530 sekuestrime, dhe 200 milion euro të shpenzuara për avokatë janë të gjitha numrat që tregojnë për odisenë gjyqësore të  pandehurit, të kurrë dënuar, Silvio Berluskoni. Nuk ka krahasime në Itali, dhe as në botë për këtë përndjekje penale. Të gjitha proceset e hapura ndaj tij, ndaj sipërmarrjeve të tij, ndaj ministrave dhe miqve të tij, kanë pasur qëllimin për të dëmtuar sa më shumë, për ta nënshtruar derisa ta shkatërronin.
Megjithatë Silvio Berluskoni nuk është dënuar asnjëherë, kjo dhe për meritë dhe të ligjeve të posaçme “ad personam”, për të mbrojtur sa mundej vetveten. Afërmendsh 4 qeveritë Berluskoni, në 17 vjet, janë më një bilanc jo fort pozitiv. Dhe për aq sa mund të thuhet Italia ka qenë një vend dinjitoz me Berluskonin kryeministër. Kuptohet vetiu që “revolucioni liberal”, i propozuar prej tij në 1994 nuk është realizuar. Kurse një revolucion antropologjik të italianëve, nëpërmjet televizioneve komerciale, ia ka dalë ta realizojë. Këndej Adriatikut kanalet televizive (Canale 5, Italia 1, Rete 4) të Berluskonit, i hapën kanatat e mendjes shqiptarëve, për të imagjinuar se ekzistonte një jetë më e mirë. Duhet patjetër thënë se Ai ishte i vetmi politikan italian që shkoi në Brindisi, pas fundosjes së anijes “Katër të Radës” plot me shqiptarë në vitin 1997, kur e majta në qeveri mbylli sytë përballë tragjedisë. Një faleminderit nuk i mohohet askujt.
Sakaq partia e Berluskonit ka qenë gjithmonë vetë “Berluskoni elektoral”, i premtimeve me buzëqeshje “Më pak taksa për të gjithë”, i cili që nëpërmjet një rrjeti miqësor dhe falë televizioneve, arriti të krijojë të djathtën konservatore dhe liberale, duke mbushur kështu vakumin e lënë nga balena politik “DC”, Partia Demokracia-Kristiane, e fundosur pas skandalit të ryshfeteve të “Tangentopoli”. Po në ato vite Berluskoni i dha kredi dhe besim Gianfranko Fini-t, që për shumë vite ishte delfini i tij, derisa ky e “tradhtoi” një vit më parë, duke krijuar një të çarë në falangën e mrekullueshme të dalë pas zgjedhjeve parlamentare të 2008. Ndodhi që Finit, pasi s’iu garantua vendi si pasardhës i Berluskoni, u largua duke sharë nga Partia e Popullit të Lirisë e krijuar një parti tjetër, e për rrjedhojë i uli numrat e Berluskonit në Parlament dhe në Senat, çka shpesh herë reflektohej në vështirësinë e qeverisë për të miratuar ligje me shumicë të cilësuar, aq të nevojshme për të shëruar financat e gangrenizuar italiane. Sidozot në një furtunë globale të krizës ekonomike mbrojtja e Italisë nga sulmet spekuluese u përça, aq sa e detyruan Berluskonin të merret vendimin për të dhënë dorëheqjen.
Mbyllet kështu një epokë pothuajse njëzet vjeçare, në të cilët Berluskoni me të mirat dhe të këqijat e tij, përfaqësonte një element novator të spektrit politik italian. Një pjesë e opozitës e ka shtyrë kundërshtinë ndaj Berluskonin deri në atë pikë sa mund të thuhet pa frikë se në Itali, për vite me radhë, ka qenë një opozitë “anti”, kundër çdo lëvizje dhe kundër çdo reforme të propozuar prej tij.
Sidoqoftë Silvio Berluskoni është një tip që nuk tërhiqet lehtë nga skena politike. Ai lufton deri në fund. Sic e tha dhe në mesazhin e mbrëmshëm “ Atyre që gëzuan për daljen time nga skena dua t’u them se do të dyfishoj përpjekjet e mia për përmirësuar Italinë. Nuk do të përkulem derisa të kemi  modernizuar Italinë”. Janë fjalët e një njeriu që i mësuar gjithë jetën me sfida, humbja e disa ndeshjeve, nuk do të thotë humbja  e kampionatit. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›