E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti 2012, më i madhi në histori – projekti nis sot shqyrtimin në komisionet parlamentare

14-11-2011 / Gazeta 55

Buxheti për vitin 2012, i njohur ndryshe si buxheti më i madh në histori, nis sot shqyrtimin në komisionet parlamentare të Kuvendit. Pas raportimit të ministrit të Financave Ridvan Bode, në komisionin parlamentar të ekonomisë, i cili parashtroi të gjithë stimujt e buxhetit të vitit të ardhshëm dhe objektivat e tij, sot komisioni i Ligjeve, i Ekonomisë dhe Financave, ai për Shëndetësinë, Mjedisin si dhe komisioni i Medias, kanë parashikuar në axhendën e punimeve shqyrtimin e projektbuxhetit të vitit 2012.
Buxheti i vitit të ardhshëm ka të përcaktuar mirë tre objektivat e vendosur nga qeveria, si kontrollin rigoroz të borxhit publik, deficitin buxhetor, i cili parashikohet të jetë ndër më të ulëtit në hapësirën evropiane si dhe inflacionin e kontrolluar.
Qeveria ka parashikuar një mbështetje maksimale ndaj politikave të shpallura prej saj, duke u fokusuar kryesisht në investimet në infrastrukturë, rritje pagash dhe pensionesh apo dhe mbështetja ekonomike për familjet në nevojë. Në vitin 2005 Shqipëria kishte një deficit buxhetor prej 72 për qind, ndërsa në 2011, ky borxh ka rënën nën 60 për qind. Në sajë të reformës ekonomike dhe funksionimit të tyre, qeveria ia ka dalë të mbajë nën kontroll borxhin, sipas standardeve më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian.

Rritja e pagave dhe pensioneve
Dyfishimi i pensioneve të ulëta, dyfishimi i rrogës mesatare, dyfishimi i rrogave minimale, mbeten disa prej synimeve të qeverisë shqiptare, për vitin e ardhshëm buxhetor. Fatura e pensioneve rrihet me 80 milion dollarë, më shumë se vitin e kaluar, për shkak të kontraktimit të rritjeve të mëparshme, do të kalojnë në fondin e pensioneve, fond i cili është mbi dyfishuar gjatë këtyre viteve, është rritur me mbi 100 përqind. Lidhur me taksat, qeveria garanton se s’do ketë rritje të tyre, madje parashikohen lehtësira të konsiderueshme për qytetarët dhe bizneset.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha duke prezantuar politikën e rritjes së pagave dhe pensioneve, refuzoi kategorikisht propozimet e socialistëve për ndryshime në ligjin e taksave, çka në thelb, sipas programit të socialistëve, nënkupton rritjen e tyre.
“Nuk ka dhe nuk do të ketë, as edhe një rritje të vetme të taksave. Ky model ekonomik, i cili u bëri të mundur shqiptarëve, të shohin të realizohen në vendin e tyre, rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla të marra së bashku më shumë se në të gjitha kohërat. Ky model, ka si shtyllë kryesore këtë sistem taksash të ulëta, që ne kemi vendosur. Mos harroni se renditemi ndër më të paktat në vende, në të cilat regjistrohet ulje papunësie dhe jo rritje e saj, siç është sot, trendi, drejtimi në këtë krizë të madhe Europiane dhe botërore. Ndaj dhe unë dua të garantoj biznesmenët, se nuk ka dhe nuk do të ketë rritje taksash. Sistemi ynë është sistem suksesi, modeli ynë është model suksesi, i konfirmuar dhe i certifikuar tashmë, nga të gjitha institucionet ndërkombëtare. Ne do të bëjmë çmos ta konsolidojmë më tej, të rrisim transparencën të rrisim efiçencën e administratës. Në këtë buxhet janë pakësuar ndjeshëm shpenzimet operative dhe kjo është bërë në mënyrë, që të mund të mbajmë dhe të mund të mbështesim fuqishëm përparësitë, që ne kemi shpallur para zgjedhësve. Në mënyrë që secili prej jush, të takohet me zgjedhësit e vet me premtime të realizuara”, u shpreh në mbledhjen e fundit të Qeverisë, kryeministri Berisha.

Infrastruktura
Infrastruktura rrugore, është një tjetër spektër i rëndësishëm për vitin 2012. Qeveria ia ka dalë të asfaltojë, ndërtojë dhe rindërtojë në mbarë vendi, mbi 9 mijë kilometra rrugë. Shqipëria po shkon drejt finishit të infrastrukturës më të re, më moderne, në rajon.
Për finalizimin e kësaj infrastrukture për asfaltimin e të gjitha rrugëve të këtij vendi, në çdo fshat dhe çdo komune, Qeveria synon të bëjë realitet projektin, që çdo shqiptarë, të arrijë në kryeqytetin e vendit duke kursyer jo më se 60 për qind të kohës së tij. Për vitin e ardhshëm financiar, qeveria nuk ka parashikuar mbajtjen në ritëm konstant të  investimeve në rrugët e vendit. “Kemi parashikuar këtë vit po themi gjysmë miliard dollarë, por duhet të informoj këtu me transparence se përveç të parashikuarës, siç thotë francezi, të gjitha të ardhurat nga privatizimet do të shkojnë në infrastrukturë. Pra, infrastruktura sjell çlirimin e energjisë së tregut, e cila vërshon në të katër anët. Kështu që unë besoj se këtë përparësi ne e kemi përcaktuar shumë qartë dhe shumë drejt dhe duhet t’i qëndrojmë kësaj me çdo çmim, deri në fund. Do të investohen 1.5 miliardë euro që duhen për të finalizuar infrastrukturën më moderne të këtij vendi, pasi shumicën e kemi përfunduar. Ne nuk braktisim asnjë fshat, asnjë komunë të Shqipërisë, por do t’i japim asaj infrastrukturën më moderne”, tha Berisha në mbledhjen e fundit të Qeverisë.

Shqipëria dixhitale
Shqipëria dixhitale, është një tjetër projekt madhor, i cili vitin e ardhshëm, në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, do shohë dritën jeshile të përfundimit të tij.
Në vitin 2006, kur qeveria shpalli këtë nismë, pati ironi dhe përqeshje, ndërsa në vitin 2011, dy javë më parë, në Raportin Global të Davosit, Shqipëria renditet e dyta në botë për indeksin e shpejtësisë së gatishmërisë së rrjetit. Kush mund ta imagjinonte një gjë të tillë?! “Në qoftë se kemi qenë në nivelin 4.8 për qind dhe kemi qenë 10 herë nën nivelin mesatar të Evropës - jo të BE-së, por të Evropës - sot ne jemi në nivelin mesatar të Evropës, në 50 për qind të penetrimit të ICT-së. Duhet të kapim nivelet e vendeve të BE-së dhe të ecim më tutje. Ndaj dhe ky buxhet ju jep mbështetje të plotë financiare projekteve më kryesore të Shqipërisë dixhitale. Viti 2012, 100 vjetori i Shqipërisë, duhet të kemi realizuar ‘Shqipëria Dixhitale””.

Shkurtimi i shpenzimeve
Edhe për buxhetin e vitit të ardhshëm, do të ketë një shkurtim të shpenzimeve operative, për të gjitha agjencitë, përveç institucioneve të zbatimit të ligjit, të cilat nuk do të preken nga ky shkurtim. Institucione të tjera, duke filluar nga Këshilli i Ministrave do të kenë një shkurtim prej 5 për qind të shpenzimeve operative. Të gjitha ministritë do të shqyrtojnë të gjitha mundësitë e kursimeve duke mos cenuar në asnjë rast funksionimin normal. Ka shpenzime të detyrueshme që janë bërë dhe do të bëhen nga të gjitha agjencitë.
“Në përgjithësi ka përpjekje serioze për t’i bërë ato sa më të ekonomizuara, por prapë ju garantoj se ka mënyra për t’i reduktuar ato dhe më shumë, qoftë nëpërmjet procedurave të reja, qoftë nëpërmjet teknologjive të reja, instalimeve të reja. Ndaj dhe t’i shqyrtojmë në mënyrë që të mund të rrisim investimet, të mund të rrisim investimet  në Shqipërinë dixhitale, investimet ne rrugë, investimet në shëndetësi, në shkolla, por të rrisim në mënyrë të veçantë mbështetjen e fuqishme për fermerët shqiptarë”, tha Berisha, në mbledhjen e fundit të Qeverisë, duke prezantuar para anëtarëve të kabinetit, buxhetin për vitin 2012.

Objektivat e buxhetit të vitit të ardhshëm

- Viti i ardhshëm do të shënojë sërish, rritjen e ndjeshme të rrogave dhe pensioneve, si dhe të ndihmës ekonomike të mbi 820 mijë familje shqiptare
- Buxheti do të mbështesë fuqishëm të gjitha projektet e Shqipërisë dixhitale. Viti i 100 vjetorit të pavarësisë, do të jetë viti i Shqipërisë dixhitale
- Buxheti do të përqendrohet me fondet më të mëdha, tek infrastruktura, në përfundimin e rrugëve të nisura dhe në ndërtimin e rrugëve në tërësi. Qeveria parashikon të ecë me vendosmëri krahas përfundimit të akseve të mëdha, drejt vargmaleve e maleve të Shqipërisë
- Shqipëria jeshile është dhe do të mbetet drejtim tjetër themelor i zhvillimit të vendit.
- Do të ketë një shkurtim të shpenzimeve operative për të gjitha agjencitë, përveç institucioneve të zbatimit të ligji. Institucionet, duke filluar nga Këshilli i Ministrave do të kenë një shkurtim prej 5 për qind të shpenzimeve operative.
 

Llogariten 127.3 milionë lekë në 2012-n

Rriten me 8.5 për qind të ardhurat nga TVSH

Të ardhurat nga Tatimi i Vlerës së Shtuar parashikohen të rriten me 8.4 për qind kundrejt të pritshmit për vitin 2011 ose rreth 9.2 për qind të shprehura si raport ndaj PBB.
Sipas relacionit të projektbuxhetit të shtetit për vitin 2012 nga totali prej 127.3 milionë lekë të parashikuara për këtë taksë, administrata doganore pritet të mbledhë rreth 98.6 milionë lekë me një rritje prej 7.8 për qind ndaj të pritshmit për vitit 2011.
Parashikimi për TVSH-në nga administrata doganore bazohet në parashikimin e nivelit nominal të importeve prej rreth 6.1 për qind dhe në prirjen historike të koeficientit të elasticitetit të këtyre të ardhurave ndaj nivelit nominal të importeve të mallrave, si dhe në pritshmërinë lidhur me përmirësimin administrativ në mbledhjen e kësaj takse. Administrata tatimore pritet të mbledhë rreth 28.7 milionë lekë të ardhura nga TVSH-ja me një rritje prej 10.8 për qind ndaj të pritshmit për vitin 2011. Parashikimi për këtë zë bazohet në nivelin e parashikuar të rritjes reale të PBB, në normën e parashikuar të rritjes së çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të cilat janë subjekt i kësaj takse, pritshmërinë e aktivitetit ekonomik për sektorë të veçante të ekonomisë, në karakteristikat e serisë kohore të koeficienteve të elasticitetit të kësaj takse ndaj bazës tatimore respektive, si dhe pritshmërisë e përmirësimit administrativ në mbledhjen e kësaj takse

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›