E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falen dy ish- krerët e komunës

Skandali i Kasharit


Alfred Sula dhe Faik Fejza, përfituan dje uljen e dënimit nga gjykata e me arsyetimin e sjelljes korrekte në burg


Të dënuarit duhej të vuanin edhe rreth tri muaj burg, për përvetësim pronash e falsifikim dokumentesh


TIRANË- Faik Fejzo e Alfred Sula, dy ish-kryekomunarët e Kasharit të dënuar me burg për abuzimet me pronat në këtë komunë, lirohen nga qelia e paraburgimit "Mine Peza" me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet. Në këtë mënyrë atyre iu falen tre muaj të mbetur të dënimit që kishin për të vuajtur.


Togat e zeza të kësaj gjykate, një ditë para se të merrnin pushimet verore, shqyrtuan dhe pranuan kërkesat e të dënuarve Fejzo e Sula të cilëve i kishin mbetur për të vuajtur edhe nga 2 muaj e 22 ditë burg secilit. Kështu, i pari që ka lënë qelitë e paraburgimit "Mine Peza" ku qëndroi për 20 muaj i izoluar në burg, ishte Alfred Sula.


Ai për gjatë gjithë kësaj kohe është hetuar dhe gjykuar nga të dy Shkallët e Gjyqësorit në vend me disa akuza. Fillimisht i pandehuri Sula më datë 2 shkurt 2009 është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet me 6 vjet burg e 600 mijë lekë gjobë, por ky vendim u prish nga Gjykata e Apelit e cila më 15 qershor 2009 vendosi përfundimisht dënimin e tij me 2 vjet e 8 muaj burg dhe 600 mijë lekë gjobë.


Menjëherë, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi penal që mban nr. 547 por, që është apeluar me rekurs nga organi i akuzës në Gjykatën e Lartë, i dënuari Alfred Sula i është drejtuar togave të zeza të Gjykatës së Shkallës së Parë me një kërkesë për uljen e dënimit prej 90 ditëve për sjellje të mirë. Kjo kërkesë pas hedhjes në short i ka rënë për gjykim, gjyqtarit Altin Abdiu, i cili ka shqyrtuar këtë kërkesë, ka dëgjuar pretendimet e përfaqësuesit burgut në rrugën "Mine Peza".


Përfaqësuesit e këtij institucioni kanë referuar se Sula kishte pasur sjellje të mirë, kështu që kërkesa e tij u pranua duke i falur 2 muaj e 22 ditë burg të mbetur. Ndërkohë, edhe paraardhësi i Sulës, Faik Fejza, i pandehur në të njëjtin proces, ka përfituar uljen e dënimit prej 90 ditëve, të dhënë në bazë të nenin 63 të ligjit "Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim",- ku është parashikuar se: "Të dënuarit që zbatojnë rregullat dhe kanë një pjesëmarrje shembullore në veprimtaritë trajtuese, duke dhënë prova për riintegrimin e tyre në shoqëri, mund të përfitojnë një ose disa ulje deri në 90 ditë në çdo vit të vuajtjes së dënimit.


Ku për dhënien e këtij shpërblimi të veçantë, vlerësohet qëndrimi i të dënuarit nga ulja e mëparshme ose gjatë 12 muajve të fundit..."-thuhet ndër të tjera në ligjin që i fali nga 2 muaj e 22 ditë dy ish-kryekomunarëve të Kasharit të cilët u deklaruan fajtor për abuzimin me pronat e kësaj komune, duke tjetërsuar pronarët e vërtetë.


Sipas vendimit, Fejzo është dënuar fillimisht nga Gjykata e Shkallës së Parë me 4 vjet e 500 mijë lekë gjobë, vendim ky që është prishur nga Gjykata e Apelit e cila përfundimisht e ka dënuar të pandehurin Fejzo me 2 vjet e 8 muaj burg, për t' u liruar pasditen e 31 korrikut nga qelia e burgut me firmën e gjyqtarit Artan Broci.


Në arsyetimin e tij ligjor gjyqtari përmend edhe raportin e institucionit të paraburgimit "Mine Peza" të cilët vlerësonin qëndrimin korrekt të të dënuarit Fejzo në burg, gjatë kohës 20 -mujore të qëndrimit të tij aty.


Sipas vendimit, të pandehurit Faik Fejzo e Alfred Sula dhe ish-zyrtarët e tjerë të kësaj komune Bardhyl Kamberi, Islam Shera, Ismail Sula, Shefqet Alikaj e Xhevahir Hyka, kanë abuzuar me tokat e kësaj komune duke tjetërsuar dhe shitur tek të tretët sipërfaqe me rreth 13 hektarë tokë, duke përdorur dokumente të falsifikuara.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›