E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Meta, fundjave bashkë në Dhërmi

VLORË - Ende pa filluar takimet zyrtare për kabinetin e ri të 4 viteve të ardhshëm, dy njerëzit që do të qeverisin Shqipërinë po vijojnë takimet informale nga njëra pikë turistike në tjetrën. Pas takimit në Pogradec, muajin e shkuar, Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i LSI -së, Ilir Meta, biseduan dje buzë Jonit.


I ndodhur këtë fundjavë në Dhërmi, pasi ka udhëtuar në rrugë tokësore, Berisha priti atje Metën, i cili, sipas korrespodentit tonë, ka mbërritur me një jaht. Nuk dihet nëse Berisha i ka tërhequr "veshin" miqësisht vartësit të tij në qeverinë e ardhshme për shkeljen e moratoriumit të skafeve, i cili është ende në fuqi.


Ata kanë drekuar bashkë vetëm pak orë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatin e procesit të 28 qershorit. Pas drekës, Berisha dhe Meta kanë bërë edhe një shëtitje buzë detit, ndërsa pa dyshim kanë biseduar edhe për kombinimet e qeverisjes se ardhshme, që, mesa duket, i ka detyruar sërish të ulen në mbrëmje, në një nga lokalet e Dhërmiut.


Ditët e ardhshme, kreu i PD-së, Berisha dhe ai i LSI-së, Meta, pritet që të kenë edhe takime zyrtare, siç edhe kanë premtuar, tanimë që edhe KQZ-ja, formalisht, shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›