E Diel, 1 Nëntor 2026

Falimenti, gjykata nis procedurat për 27 shoqëritë

Ministria e Financave bën deklarata të ndryshme për udhëzimin por ende nuk e ka shfuqizuar atë duke dëmtuar bizneset VIP


TIRANË- Falimenti i bizneseve "VIP" ka thelluar edhe më shumë krizën dhe arbitraritetin që mbizotëron në sistemin e taksave në Shqipëri dhe mënyrën e veprimit të Ministrisë së Financave.


Tre ditë më parë, tatimet nisën procedurën për falimentimin e 27 kompanive; dy ditë më parë, financat thanë se tatimet kishin keqkuptuar ligjet ndërsa dje pohuan se mbështesin tatimet në çdo veprim të tyre.


Tre deklarata të ndryshme brenda tre ditësh dhe një tymnajë e madhe mbi çështjen por ajo që është më e rëndësishmja ka mbetur ashtu siç ishte edhe më parë.


Udhëzimi i Ministrisë së Financave, i cili bie ndesh me ligjin e qeverisë për falimentin, është ende në fuqi dhe bizneset rrezikojnë çdo ditë e më shumë mbylljen për shkak të veprimeve arbitrare të shtetit. Madje tatimet kanë avancuar në sulmin e tyre ndaj biznesit duke depozituar në gjykatë kërkesën për falimentimin e 27 bizneseve "VIP".


"Ministria e Financave inkurajon Administratën Tatimore në këtë veprim të sajin, plotësisht në përputhje me ligjin, dhe njëkohësisht nxit edhe tatimpaguesit e ndershëm të bëhen pjesë e këtij procesi i cili do të pastrojë korpusin e shëndoshë të biznesit shqiptar nga pjesë të sëmura e të thara të tij",- theksohet në sqarimin e zyrës së Shtypit të Ministrisë së Financave.


Po ashtu, në shpjegimin që bëhet për fillimin e procedurave të falimentimit të një subjekti tregtar, financat i referohen plotësisht nenit 104 të ligjit "Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë".


Por, kjo gjë nuk ka ndodhur gjatë përpilimit të udhëzimit ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në të cilën sanksionohet mënyra se si veprohet në rastet kur kërkohet fillimi i procedurave të falimentimit për subjektet tregtare.


Më parë, Ministria e Financave kishte hartuar një udhëzim jo në përputhje me ligjin. Pas publikimit të listës së bizneseve që do të dërgoheshin në gjykatë nga ky dikaster u tha se, tatimet nuk kanë interpretuar ashtu siç duhet ligjin, ndërsa dje me anë të një njoftimi për shtyp Ministria e Financave shprehet pro veprimit të tatimeve.


Pavarësisht qëndrimit të djeshëm, udhëzimi dërguar tatimeve është ende në fuqi dhe duke u bazuar vetëm tek ai dje jo në ligj, këto të fundit i kanë kërkuar gjykatës të marrë në shqyrtim falimentimin e kompanive.


Tashmë të 27 emrat e kompanive tregtare janë publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, e cila ka marrë në shqyrtim këtë çështje ku paditës është Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj.


"Ministria e Financave ka bindjen se në një proces verifikimi të drejtë e të ndershëm nga gjykatat shqiptare, gjithkush do të ketë mundësinë të provojë me prova dokumentare se nuk ndodhet në kushtet e paaftësisë paguese duke garantuar kështu edhe pagimin e tatimeve të ardhshme", - thuhet në njoftimin zyrtar të Financave.


Sipas udhëzimit, tatimet i kërkojnë gjykatës që të fillojë procedurat e falimentimit për ato kompani, veprimtaria e të cilave ka rezultuar me humbje për te paktën tre vite te njëpasnjëshme.


Pra në mënyrë taksative vendoset që çdo kompani që ka dalë me humbje automatikisht të dërgohet në gjykatë. Ndërsa në ligj, përcaktohet se ndaj gjykatës bëhet kërkesë për fillim të procedurave të falimentimit të një subjekti tregtar i cili, ka deklaruar rezultat me humbje në një sasi që kalojnë kapitalet e veta, për periudha prej të paktën tre vitesh rresht.


Ndryshe nga udhëzimi, sipas të cilit nëse një kompani gjatë aktivitetit të saj del me humbje për tre vite rresht të kërkohet fillimi i procedurave të falimentimit, në ligj përcaktohet se këto procedura fillojnë vetëm atëherë kur vlera e kapitaleve të subjektit tregtar nuk i mbulon detyrimet e tij ndaj shtetit apo ndaj të tretëve.


Por asnjë nga këto nuk është marrë parasysh në udhëzimin që për më tepër është ende në fuqi dhe po zbatohet. Dëmi më i madh që po u bëhet momentalisht këtyre kompanive është në imazhin e tyre.


Thjesht deklaratat e tatimeve se kompanitë po falimentojnë do të sjellin një dëm të pariparueshëm në imazh dhe do të shoqërohen me humbje klientele. Në baze të kësaj padrejtësie, kompanive u lind e drejta që të kërkojnë edhe ato në gjykatë rivendosjen e imazhit të tyre në vend si dhe dëmshpërblim nga ana e shtetit që po i dëmton.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›