E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkurtohen vendet e punës për mësues

Gjirokastër, 32 mësues do të largohen pas shkurtimit të vendit të punës për shkak se nuk ka më nxënës


GJIROKASTËR- E ndërsa listat e personave që kanë përfunduar universitetin për degët e mësuesisë e që janë në pritje të një punësimi në rrethin e Gjirokastrës sa vijnë e shtohen, të tjerë mësues pritet të mbeten të papunë.


Gjithçka lidhet me përqendrimin e klasave, për shkak të tkurrjes së numrit të nxënësve, veçanërisht në zonat rurale. Rreth 32 mësues pritet të mos japin më mësim gjatë vitit arsimor 2009- 2010, në të gjithë ciklet, fillor, 9- vjeçar dhe atë të mesëm.


Burime zyrtare nga Drejtoria Arsimore Rajonale Gjirokastër bëjnë të ditur rreth 380 nxënës më pak do të frekuentojnë arsimin në këtë vit dhe kjo ulje e madhe e numrit, kryesisht si pasojë e emigracionit, do të sjellë përqendrimin e klasave dhe rrjedhimisht edhe shkurtimin e mësuesve. Mesatarja e rënies së numrit të nxënësve është 300 deri në 330 për çdo vit.


Më të prekur në këtë drejtim do të jenë mësuesit e ciklit 9- vjeçar. Ndërkaq, shifrat e të diplomuarve në degët e mësuesisë e që presin të punësohen shtohen çdo ditë e më tepër.


Deri tani në bazë të statistikave numërohen 520 persona që kanë paraqitur kërkesa e që presin të punësohen. Megjithatë duket se problematika e këtyre punësimeve është e gjerë dhe mjaft e mprehtë, pasi numri i shkollave të të gjithë cikleve në rrethin e Gjirokastrës është mjaft i vogël nëse krahasohet me kërkesat..


"Mundësitë për t'i punësuar të gjithë të diplomuarit janë shumë të pakta, sepse është duke u zvogëluar numri i nxënësve, veçanërisht në fshatrat e rrethit dhe po synohet krijimi i shkollave të bashkuara në këto zona",- sqarojnë burime nga Drejtoria Arsimore. Për çdo degë të mësuesisë në çdo vit mësimor mund të punësohen 1-2 persona, ndërsa lista e pritjes është mjaft e gjatë.


Cikli i ulët dhe gjuhë- letërsi janë degët me kërkesat më të larta, përkatësisht 102 e 101 persona të diplomuar, por të gjitha degët e tjera kanë fluks kërkesash. Ndërkaq, duket se të gjithë këta persona duhet të presin shumë vite me radhë, deri sa t'iu vijë koha të punësohen, pasi në lista figurojnë të diplomuar qysh në mesin e viteve 1980 presin qysh prej 20 vjetësh hapjen e një vendi pune. 1984, 1985 e deri më 2005 janë këto vitet e shënuara në listat e gjata të kërkesave.


Fakti që në qytetin e Gjirokastrës funksionon universiteti "Eqrem Çabej" bën që çdo vit të diplomohen mësues të rinj e për pasojë të ngushtohet së tepërmi rrezja e vendeve të reja të punës. Gjithsesi ajo që mbetet e rëndësishme është fakti që një forcë të madhe të të papunëve në Gjirokastër e përbëjnë të diplomuarit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›