Falimentojnë 1.380 biznese
Numri i bizneseve të falimentuara në Kosovë gjatë vitit të kaluar është rritur krahasuar me vitin 2009. Zyrtarët në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve një gjë të tillë e konsiderojnë normale, derisa ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se falimentimi i bizneseve vjen si pasojë e rrethanave të pafavorshme për bizneset, konkurrencës në treg dhe shkallës së lartë të informalitetit.
Gjatë vitit 2009, janë regjistruar 7.222 biznese, ndërsa janë shuar 1.159, ndërsa gjatë vitit 2010 janë regjistruar 7.672 biznese, kurse janë shuar 1.380. Drejtuesit e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), thonë se një gjë e tillë është normale.
Ushtruesi i detyrës së shefit ekzekutiv të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, Mehdi Pllashniku ka thënë për Kosovapress se gjatë muajit janar të vitit 2010 janë shuar 263 biznese, ndërsa muajin janar të 2011 janë shuar vetëm 53, që do të thotë se ka rënie të këtij trendi.
“Zakonisht kur bëhet regjistrimi, ka edhe shuarje. Unë besoj se është një trend i njëjtë, nëse krahasojmë periudhën janar të këtij viti në Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve janë regjistruar 634 biznese, ndërsa janë shuar 53 biznese. Ndërsa në periudhën e njëjtë po bëjmë fjalë për vitin 2010 janë regjistruar 662 biznese, kurse janë shuar 263. Domethënë, vitin e kaluar ka pasur më shumë shuarje sesa tash kur po flasim këtë periudhë”, ka theksuar Pllashniku.
Ndërsa palët që dëshirojnë të shuajnë një biznes, në aplikacion pyetet edhe pse dëshironi të shuani biznesin. Sipas Pllashnikut, zakonisht 99 për qind e aplikuesve për shuarje e biznesit, thonë se këtë e bëjnë në mënyrë vullnetare dhe për shkak të mosafarizmit.
Nga ana tjetër, Fisnik Reçica, hulumtues në Institutin për Hulumtime Zhvillimore AAB-Riinvest, ka thënë për Kosovapress se janë disa arsye pse një biznes falimenton, sipas këtu duhet të shihen rrethanat e Kosovës, mjedisin ku veprojnë bizneset dhe çfarë ambienti po i ofrohet prej institucioneve të Kosovës.