E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva policore vështirëson qarkullimin në Luginë

Nga Express më 05 shkurt 2011 në ora 19:33

Greva e përgjithshme e policisë serbe ka vështirësuar edhe funksionimin normal të qarkullimit të qytetarëve në komunat e Luginës së Preshevës.

Në vendkalimin kufitar në mes të Serbisë dhe Kosovës në fshatin Konçul të Bujanocit, për shkak të grevës së policisë, në temperatura shumë të ulëta, qindra udhëtarë kanë hasur në probleme në këtë pikëkalim duke pritur me orë të tëra.

Greva e policisë ka paralizuar edhe dhënien e dokumenteve personale, me ç`rast qytetarët gjithashtu kanë hasur në probleme të enjten dhe të premten për sigurimin e dokumenteve të tyre.

Rreth 13 mijë policë serbë, anëtarë të sindikatave të pavarura, janë në protestë dhe grevë në kërkim të rritjes së pagave për 40 për qind. Edhe pas një takimi me Qeverinë, mbrëmë nuk ka pasur marrëveshje për ndërprerje të grevës.

Gjithashtu edhe një pjesë e shkollave në Luginën e Preshevës pati hyrë një javë në grevë, me kërkesa për rritje pagash të arsimtarëve. Mirëpo, mbrëmë, përfaqësuesit e qeverisë serbe dhe ata të sindikatës së arsimit kanë arritur një kompromis për këtë çështje kështu që nga dita e hënë pritet që shkollat të punojnë me orar të plotë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›