E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin "ethet" e Champions, Reali në atmosferë revolte

SPANJE- Ndeshja e parë e Champions League, përballë Mançester Sitit, e gjen Realin e Madridit në një atmosferë revolte, të paparë ndonjëherë që kur në stolin e kësaj skuadre u ul Zhoze Murinjo. Kritikat e këtij të fundit pas humbjes me Seviljen nuk janë pritur mirë nga futbollistët dhe mediat zbulojnë se tashmë mund të ndodhë gjithçka. "Lojtarët e Realit mendojnë se trajneri e ka tepruar me kritikat në publik", shkruan gazeta katalanase "La Vanguardia". Një diçka e tillë konfirmohet edhe nga mbrojtësi Serxhio Ramos: "Është e çuditshme që tekniku ka qenë kaq i ashpër pas vetëm 4 ndeshjesh", tha ai. "Futbollistët, - vazhdon Vanguardia, - kërkojnë të dinë se çfarë sëmundjeje e ka prekur skuadrën, që ka bërë nisjen më të keqe të viteve të fundit, por refuzojnë të pranojnë kritika kaq të forta". Ndërkohë, edhe mediat madrilene nuk i kursejnë kritikat. "Gabime të shumëfishuara", shkruan "Marca", e cila më pas komenton: "Lojtarët e pranojnë formën e dobët fizike dhe fajësojnë Murinjon se në verë ka bërë një stërvitje të padobishme". "Murinjo sheh një sjellje pak profesionale te skuadra, ndërsa lojtarët janë të inatosur që kritikohen pas çdo ndeshjeje", vijon "Marca". "AS" sheh si shpëtim Champions League, duke shpresuar në një "Ndryshim të butë" dhe duke lajmëruar revolucion në skuadër, por duke konfirmuar gjithashtu se "Murinjo po kalon ditët më të këqija që kur ka shkelur në Madrid". Por, nuk mungojnë edhe idetë se Murinjo po përgatit terrenin për lamtumirën. Këtë e ka pohuar gjatë një bisede në radion "Catalunya Radio" gazetari i El Pais Diego Torres, i mirëinformuar për çështjet e Realit. "Murinjo i ka ditët të numëruara", vijon "El Mundo Deportivo". 

MURINJO 
Por, vetëm dy ditë pas kritikave të forta, Zhoze Murinjo ka ndryshuar taktikë sa i përket sjelljes me skuadrën. Nëse të shtunën, pas ndehsjes me Seviljen, tha se "nuk kam ende një skuadër", dje është shprehur: "Të martën do të kem një skuadër". Portugezi ka marrë përsipër përgjegjësitë për dy humbjet e pësuara në 4 ndeshje në kampionat, ndonëse pas ndeshjes me Seviljen tha se "do të doja të ndërroja 7 dhe jo 2 futbollistë". "Është faji im, - tha dje, para ndeshjes me Mançester Sitin në Champions. - Nëse dikush mendon se kam sulmuar futbollistët, të jetë i qartë: fajtori jam unë! Kur fitojmë merita është e lojtarëve, kurse kur humbim, faji është i imi". Bëhet fjalë për një tërheqje të fortë të Murinjos, teksa në Spanjë, të gjithë e kanë quajtur një gabim të rëndë strategjik sulmin ndaj lojtarëve. "Ndoshta gaboj, por ndaj Mançester Sitit them se do të kem sërish skuadrën e vendosur, kompakte, solide. Një skuadër që vjen para gjithçkaje dhe në të cilën të gjithë duan të punojnë me të tjerët. Nuk do të bëj shumë ndryshime dhe nëse do t'i bëj, nuk dua të ketë sinjalizime se ata janë fajtorët. Do të hedh në fushë ata që mendoj se janë më të mirë për të përballuar një rival të komplikuar, të mbushur me lojtarë të mëdhenj", tha Murinjo.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›