E Diel, 1 Nëntor 2026

“Falja e gjakut” Fituesi i Ariut të Argjendtë, “peng” i vendimit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë

29/06/2011  Ndërkohë që ka gjetur përkrahje financiare dhe distributorë thuajse në të gjithë vendet e botës, filmi shqiptar në bashkëprodhim të huaj, “Falja e gjakut”, fitues i “Ariut të Argjendtë” në Berlin kërkon mbështetje nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë për të organizuar premierën botërore të shfaqjes së filmit në kinemanë shqiptare.

“Pas suksesit të jashtëzakonshëm në Berlin, filmit i kanë ardhur ftesa për pjesëmarrje nga një sërë festivalesh të Kategorisë A, duke filluar nga Sydney në Toronto ku me sukses prezanton ngjyrat e Shqipërisë. Kudo që është shfaqur, kritika botërore e ka pritur me shumë entuziazëm kështu që shpresojmë për trofe të tjera”, shprehet bashke-skenaristi dhe producenti shqiptar i filmit, Andamion Murataj.

Me gjithë entuziazmin dhe vlerësimet e larta të kritikës botërore që po shoqëron shfaqjen e filmit “Faljen e gjakut” nëpër festivalet anembanë globit, ende po hezitohet përkrahja e filmit në hapësirën shqiptare. Edhe pse Murataj ndan lajmin se premiera botërore e filmit në kinema për publikun do të jetë në vendin e origjinës, pra në Shqipëri, nuk dihet ende nëse filmi do të ketë mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

Pas pjesëmarrjes dhe shfaqjes në disa festivale të rëndësishme të filmit, kur do të shfaqet filmi “Falja e gjakut” në Shqipëri?

Mund të ndaj me ju lajmin se premiera botërore e filmit në kinema për publikun do të jetë në vendin e origjinës, pra në Shqipëri. Si e tillë do të jetë një event botëror pasi do të pasojnë released (shfaqjet, çlirimi) në Amerikë, Kanada, Australi dhe Europë. Duhet thënë që në këtë moment ne kemi kërkuar suportin e Qendrës Kombëtare të Kinmatografisë për ta kthyer shfaqjen e filmit në Shqipëri në një event të denjë botëror. Kam besim në suportin e Qendrës pasi tashmë filmi e ka ngritur emrin e Shqipërisë kudo në botë. Por është edhe detyrim moral që QKK tua mundësojë shqiptarëve të jenë audienca e parë e këtij filmi në botë.

Joshua Marston, nga tribuna e Berlinales ia dedikoi çmimin Shqipërisë. Është radha e Shqipërisë të nderojë një regjizor të këtij niveli.

Pra, Shqipëria do të ketë premierën botërore të filmit në kinema. Kush do të jetë i ftuar në këtë ngjarje?

Po, Shqipëria tashmë është vendosur të ketë premierën botërore dhe të jetë vendi i parë që do të shfaqë filmin në kinema. Kuptohet në një event të tillë do të marrin pjesë producentët e filmit, që janë disa nga producentët më të mirë në botë: Domenico Proicachi (fitues i Kanës, “Gomorra”), Paul Mezey (I nominuar për Oscar me filmat “Maria full of grace” dhe “Half Nelson”), Janine Gold dhe sigurisht regjizori Joshua Marston. Pa dyshim do të jetë grupi i shkëlqyer i aktorëve me në krye dy aktorët e rinj Sindi Laçej dhe Tristan Halilaj. Duhet thënë që pjesë esenciale e suksesit të filmit janë aktorët shqiptarë nga gjithë territoret shqiptare: Refet Abazi në rolin e babait, Ilire Vinca Çelaj në rolin e nënës dhe Çun Lajçi në rolin e gjyshit. Aftësitë aktoriale të këtij grupi kanë marrë vlerësimet më të larta të kritikës botërore dhe kanë qenë kontribues i dorës së parë në suksesin e filmit. Besojmë të na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre autoritetet e larta të kulturës dhe shtetit shqiptar, pasi ky është një event që do të rezonojë në median botërore dhe Shqipëria duhet të prezantohet me dinjitet.

Ky film ka pasur një rrugë të vështirë për tu prodhuar, por duket se gjithë ajo punë po shpërblehet. A mendon se do të vazhdojë rrugën e sukseseve deri tek çmimi “Oskar”?

Po, ka qenë ndoshta filmi më i vështirë i prodhuar në Europë këtë vit, por njëkohësisht ndër më të sukseshmit. E them këtë pasi ishte i vetmi film i xhiruar në Evropë pa asnjë suport financiar lokal dhe me 100% fonde të huaja. Kjo në esencë nuk i bën nder Shqipërisë por shpresojmë që me suportin e distribucionit nga pala shqiptare të vemë në vend një padrejtësi.

Për sa i përket sukseseve le tia lemë kohës. Puna jonë ka mbaruar me bërjen e filmit. Të tjerat i ka publiku. Çmimet “Oscar” mbeten ëndërr e çdo kineasti në botë, vetkuptohet, por ata kanë disa kritere shumë esenceiale, ndër të cilat do të veçoja suksesin botëror të një filmi, numrin e audiencen, dhe ajo çka është më e rëndësishme, distribucionin botëror dhe veçanërisht në Amerikë. Fatmirësisht filmi ynë në Amerikë reprezantohet nga kompania më e sukeseshme e filmit autor “Sundance Select”, gjë që i rrit së tepërmi shanset për nominim. Dua të shtoj këtu që producenti Paul Mezey në dy filma të tjerë ka aritur të nominohet për Oscar. Po ashtu dhe regjizori Joshua Marston me filmin “Maria Full of Grace” u nominua për aktoren më të mirë. Në këtë aspekt, me këtë film të suksesshëm dhe stafin e tij, të producentëve, Shqipëria është më afër së kurrë më parë.

Minarolli: Mbledhja e bordit për projektet e vogla

të promovimit të kinemasë shqiptare

Janë thuajse në një mendje përsa i përket imazhit të mirë që filmi “Falja e gjakut” përcjell kur lidhet me emrin e Shqipërisë, megjithatë anëtarët e bordit të Qendrës Kombëtare Kinematografike janë të dyzuar për atë nëse filmi me bashkëskenarist shqiptar që fitoi në Festivalin e Filmit në Berlin “Ariun e Argjendtë” për skenarin më të mirë do të mund të shfaqet në kinemanë shqiptare. Sot bordi (i përbërë nga Teodor Laço, Esat Musliu, Agron Tufa, Bujar Lako, Durim Neziri) ka mbledhjen e tij të rradhës dhe veç të tjerash do të diskutojë edhe për këtë gjë.

Drejtori i QKK-së, Artan Minarolli tregohet “i kursyer” ndërsa flet për mbledhjen e rradhës dhe filmin me histori shqiptare e bashkëprodhim shqiptar të regjisorit Joshua Marston e bashkëskenaristit Andamion Murataj.

Ai pohon vetëm se mbledhja e Këshillit të Miratimit të Projekteve (KMP) do të zhvillohet në 16 Qershor “për disa kërkesa që kanë bërë subjekte të ndryshme për financime”. “Këto kërkesa skanë të bëjnë me projekte filmash prandaj dhe ne i quajmë të ndryshme. Bordi do të përzgjedhë më të rëndësishmet, por sigurisht duke patur parasysh dhe mundësitë financiare të QKK”, shpjegon Minarolli.

KMP, sipas Ligjit për Kinematografinë zgjidhet nga shoqatat e kineastëve dhe ka mandate dy vjeçar. QKK ka dy data limit kryesor për gjatë vitit: 15 Mars dhe 15 Shtator për projektet kinematografike. Mbledhjet e ndërmjetme, siç është kjo e kësaj radhe sipas Minarollit, kanë të bëjnë me projekte të vogla që i shërbejnë promovimit të kinemasë shqiptare.

I pyetur për filmin “Falja e gjakut” dhe nëse ka plane Qendra për ta mbështetur shfaqjen e tij në Shqipëri Minarolli bën të ditur se: “Ka ardhur një kërkesë për distribucionin e këtij fimi në Shqipëri, e cila do të shqyrtohet në mbledhjen e Këshillit të Miratimit të Projekteve në datë datë 16 Qershor”.

Laço: Është rasti i parë i këtij lloji, do ta diskutojmë

Për Teodor Laçon filmi pati jehonë pozitive dhe edhe pse është një film që ai vetë nuk e ka parë mendon se është prej atyre filmave i cili u bën nder autorëve të tij, skenaristit shqiptar dhe regjisorit Joshua Marston. Por për Laçon, edhe pse filmi trajton një histori shqiptare, ka një bashkëskenarist shqiptar dhe bën të njohur emrin e Shqipërisë nëpër botë, nuk mund të thuhet se “Falja e gjakut” është një krijim shqiptar. “Filmi është kryesisht i regjisorit. Shfaqja e filmit mund bëhet me mbështetje financiare të veçanta. Deri tani nuk kemi dhënë asgjë për shfaqjen. Por nuk kam mendim të prerë. Është rasti i parë që ndeshim një situatë të tillë dhe do ta diskutojmë me kolegët”, shprehet ai.

Agron Tufa: Qendra duhet të japë kontributin e saj

Për Agron Tufën, një prej anëtarëve të bordit të Qendrës së Kinematografisë, shfaqja e “Faljes së gjakut” në kinemanë shqiptare është një ngjarje që rrit reputacionin tonë kulturor dhe sjell një klimë të nevojshme artistike në mjedisin tonë artistic. Ai nuk ngurron të thotë se nëse është e nevojshme mbështetja financiare, atëherë ajo duhet dhënë pa ngurim, për të mos e cunguar festën. “QKK, duhet të jap kontributin e saj, pavarësisht stinës së thatë financiare kur njoftohet se buxhetit të saj i kanë hyrë gërshërët nga lart”, vlerëson Tufa.

Pak muaj më parë kinemaja shqiptare pati një prezantim dinjitoz në një prej festivaleve më të rëndësishëm në botë, atë të Berlinit. Filmi shqiptar “Falja e gjakut” u vlerësua për skenarin e tij më të mirë. Regjisori Joshua Marston ia dedikon posaçërisht këtë film Shqipërsisë. Mendoni se ky film i hap derën Shqipërisë në kinemanë botërore?

A.T: Dua të them një gjë me rëndësi thelbësore për politikën e Projekteve Kinematografike të QKK-së në këto dy vite të fundit, qëkurse drejtohet nga regjizori dhe kineasti Artan Minarolli: filmi shqiptar, dalëngadalë po del nga konfuzioni dhe amullia e gjatë dhe po po shënon një jetë tjetër, autentike, origjinale.

Jam shumë optimist për të ardhmen e filmit shqiptar, me kusht, që ajo të merret parasysh më seriozisht me buxhetin që i lënë. Nëse krahasojmë buxhetet e Qendrave Kinematografike, makar të rajonit tonë, ne jemi për të vënë kujën. Ndërkaq që këto suksese, ta themi troç, në shtypin shqiptar kanë kaluar vakët, e në disa segmente konjukturale të shtypit tonë të politizuar, thjesht janë përqeshur. Derdhet mllef me porosi ndaj QKK-së dhe askush nuk ngre zërin për një mbështetje dashamire, inkurajuese, njerëzore.

Ndërkohë që ky film ka marrë pjesë me sukses në festivalin e Berlinit dhe tashmë është konfirmuar pjesëmarrja në shumë festivale të tjera (më i afërti është ai në Sidnei), a duhet Shqipëria të ndihet pjesë e këtij suksesi?

Padyshim. Shqipëria ka bërë sa ka mundur. Tekefundit filmi është lëndë shqiptare, hapësirë shqiptare, territor shqiptar, problematikë shqiptare dhe bashkëautori i skenarit, i talentuari Andamion Murataj, është një skenarist ambicioz shqiptar. Emblematikisht Shqipëria duhet të krenohet me këtë ngjarje botërore të filmit dhe kjo duhet të na bëjë më besues në aftësitë dhe mundësitë tona për tu përfaqësuar me dinjitet në botë.

Andamion Murataj, producenti dhe skenaristi shqiptar i filmit, njofton që filmi pritet të ketë “premieren teatrale botërore” në vendin e origjinës, pra në Shqipëri, në shtator. Bëhet fjalë për premierën botërore të “Theatrical Release” – pra do të jetë një event botëror për Shqipërinë, ku një film i nivelit të tillë do të shfaqet në kinema për publikun për herë të parë jashtë festivaleve. A duhet që institucionet shqiptare, përfshirë bordin e qendrës së filmit të koordinohen për të suportuar një event të këtij niveli në vendin tonë?

Si çdo krijues shqiptar që ka korrur një sukses të dukshëm në botë, edhe Andamion Murataj nuk mund të abstragojë nga kënaqësia e veçantë e shfaqjes së këtij filmi në atdheun e tij. Kjo është një ngjarje që rrit reputacionin tonë kulturor, sjell një klimë të nevojshme artistike në mjedisin tonë artistik dhe nëse është e nevojshme mbështetja financiare, atëherë ajo duhet dhënë pa ngurim, për të mos e cunguar festën. Ndër to edhe QKK, duhet të japë kontributin e saj, pavarësisht stinës së thatë financiare kur njoftohet se buxhetit të saj i kanë hyrë “gërshërët” nga lart.

A mendoni se secili nga anëtarët e bordit mban përgjegjësi profesionale por edhe qytetare në lidhje me vendimet për suportimin e një projekti të tillë në Shqipëri? Cila është përgjegjësia/ qëndrimi juaj personal?

Qëndrimi im personal, si një prej anëtarëve të Bordit është ky: pasi të dëgjoj diskutimin e kolegëve, të jap dhe unë idenë time, se si mund të kontribojmë më mirë në mirëpritjen e premierës, në mënyrë sa më dinjitoze, në përputhje me mundësitë financiare e organizative që ka Qendra.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›