E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falja e të dënuarve, PS akuza Topit për keqpërdorim

PS shfaq rezerva për faljet e të dënuarve nga Topi pak kohë më parë. Ndërkohë, dy partitë kryesore shënuan paktin e parë pas kaq muajsh duke votuar bashkërisht projektligjin "Për faljen"


TIRANË - Për herë të parë që nga 22 prilli kur Presidenti i Republikës shpalli dekretin e faljes së 367 të dënuarve, Partia Socialiste ka pranuar të komentojë mbi këtë akt, duke mos nguruar ta cilësojë atë si keqpërdorim të ligjit.


Megjithëse jo në një qëndrim zyrtar të PS-së, deputetët socialistë në Komisionin e Ligjeve, duke marrë shkas pikërisht nga debati për projektligjin "Për faljen", si dhe duke iu referuar listës së të falurve për këtë, kanë theksuar se kreu i shtetit ka keqinterpretuar kriteret ligjore duke liruar të dënuar për krime të rënda.


Deputetja socialiste, Vasilika Hysi, në diskutimin e saj për projektligjin e sipërcituar, ka shprehur rezervat e saj për një sërë nenesh, ku ka evidentuar pikërisht pikën që përcakton kriteret lejuese për të përfituar nga falja.


Ajo ka bërë të ditur se mënyra sesi është hartuar neni përkatës lë mundësi keqpërdorimi ashtu siç ndodhi tha Hysi edhe në dekretin e prillit të presidentit ku u falën 367 persona, një pjesë e mirë e të cilëve ishin dënuar nga Gjykata e Krimeve të rënda. "Nisur me kriteret lejuese nuk mbahen parasysh në të njëjtën kohë rrezikshmëria e veprës dhe autori, mosha, sëmundja, gjinia.


Ne në këtë projektligj, në vend që ta bëjmë faljen si përjashtim, ne i kemi lënë si diçka që mund të keqpërdoret, ashtu si u përdor në prill të 2010 ku janë falur 367 persona, nga të cilët 48 persona janë dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, njeri prej tyre është dënuar në vitin 2007 dhe që ka pasur 10 vjet dënim burgim.


Kjo nuk është mëshirë, pasi nuk mund ta konsideroj mëshirë faljen e një personi që është dënuar një vit e gjysmë para dhe i janë falur 10 viteve burg", - tha deputetja socialiste, Vasilika Hysi.


Për të shmangur fenomene të tilla deputetët e majtë kanë evidentuar nevojën për të ndërhyrë në draft-ligjin e paraqitur për të mos lejuar që në të ardhmen të përfitojnë njerëz që kanë marrë pjesë dhe janë dënuar për vepra penale si financim terrorizmi, organizim bandash etj.


"Nuk jam që t'i jepet e drejta për të bërë kërkesë për falje të dënuarit që kanë kryer 1/3 e dënimit. Unë jam për një nivel tjetër që duhet marrë në konsideratë dhe rrezikshmëria e veprës edhe rrezikshmërinë e personit", - tha deputetja Hysi.


Një pikë tjetër ku kanë ndalur diskutimin e tyre përfaqësuesit socialistë ka qenë edhe shmangia që i bëhet Presidentit në procesin e faljes. Sipas tyre, nga ajo që paraqitet në pamje të parë në projektligj "del se Ministri merr ose tenton të marrë kompetenca të Presidentit".


E pavarësisht të gjitha vërejtjeve që kanë pasur dhe divergjencave në qëndrime mazhoranca dhe opozita në komisionin e ligjeve kanë mundur të gjejnë konsensusin dhe të miratojnë bashkërisht pro (vetëm Fino ka abstenuar) në parim projektligjin "Për faljen".


Tashmë pritet që diskutimi nen për nen të vijojë ditën e hënë, pasi drejtuesi i komisionit ka marrë parasysh kërkesën e socialistëve për të pasur më shumë kohë për të paraqitur edhe amendime për projektligjin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›