E Diel, 1 Nëntor 2026

Rumania: Arumunët të shpallen minoritet kombëtar

Presidenti i Rumanisë, Traian Basesku, zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Në takimin me Presidentin e Republikës, Basesku ndau pikëpamje të ndryshme me Topin sa i përket komunitetit arumun dhe njohjes së Kosovës

TIRANË - Edhe pse të njohur kombëtarisht si pakicë kulturore, arumunët kërkojnë më shumë. Ata duan të marrin të drejtat e një minoriteti kombëtar. Presidenti i Rumanisë, Traian Basesku, në vizitën e tij zyrtare në Tiranë i ka parashtruar kërkesën në fjalë Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili duket se nuk e ka pranuar. Pikëpamje krejt të ndryshme dy presidentët shfaqën edhe për çështjen e Kosovës.


Arumunët


"Nga diskutimet që kam pasur me Presidentin, kemi kërkuar dhënien e statutit si minoritet kombëtar të komunitetit arumun në Shqipëri. I kam shpjeguar Presidentit Topi rëndësinë e dhënies së këtij statuti për arumunët për të drejtat e personave, të cilët u përkasin minoriteteve kombëtare, si dhe trajtimi i mirë që i bëhet nga Rumania në përputhje me Kushtetutën e Rumanisë minoritetit shqiptar.


Rumania konsideron se arumunët janë shtetas besnikë të shtetit shqiptar, të cilët këtë gjë e kanë dëshmuar përgjatë historisë", - tha dje Presidenti i Rumanisë, Traian Basesku, në konferencën për shtyp të zhvilluar pas takimit me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Por kërkesa në fjalë nuk është pranuar nga kreu i shtetit teksa ka kujtuar pozicionin që ky komunitet ka në Shqipëri sipas raportit të fundit të Këshillit të Europës.


"Ju, zoti President, shtruat çështjen e arumunëve. Unë, sikurse e thashë atje, po e deklaroj dhe këtu para medias që, në Shqipëri, jo vetëm mbi bazën e konstruksionit dhe të kuadrit ligjor shqiptar, por edhe mbi bazën e një realiteti konkret, respekti për çdo qytetar që banon në Republikën e Shqipërisë rezulton i barabartë për të gjithë.


Ndërsa në rastin konkret, ky konsiderohet si një komunitet etno-gjuhësor, i cili është konfirmuar në dy raporte, në Raportin e parë dhe në Raportin e fundit të vitit 2007 në Këshillin e Europës, që konfirmon në mënyrë zyrtare minoritetet zyrtare në Shqipëri dhe duke qenë konseguent i linjave që përshkojnë Këshillin e Europës në dokumentet themeltarë të tij, ne vazhdojmë t'i qëndrojmë këtij pozicioni, por nga ana tjetër, ju siguroj që respekti për cilindo do të jetë në nivelin më të lartë, qoftë nga pikëpamja legjislative, qoftë nga pikëpamja reale, konkrete!", u përgjigj Topi.


Popullsia me origjinë arumune kryesisht është vendosur në Shqipërinë Jugore dhe në Shqipërinë e Mesme.


Ata kanë ruajtur zakonet dhe traditat e tyre. Në fillim të vitit 1999 ata kanë themeluar shoqatën kulturore, e cila organizon aktivitete artistike me pjesëmarrjen e grupeve folklorike. Ky komunitet ka botuar në gjuhën arumune edhe libra për historinë.


Edhe pse të integruar, arumunet në Shqipëri nuk njihen si komunitet i madh. Sipas raportit të përgatitur nga Këshilli i Europës, numri i përgjithshëm i arumunëve në gjithë botën është rreth 250 mijë, dhe këtu përfshihen përveç Shqipërisë edhe Maqedonia, Greqia e Bullgaria si vende mëmë, ndërsa edhe Rumania, SHBA, Gjermania e deri Australia si vende me migrime arumune.


Kosova


Një tjetër pikë mospajtimi dje mes dy presidentëve ishte edhe mosnjohja e Kosovës nga ana e Rumanisë. I pyetur për këtë çështje, Presidenti i Rumanisë nuk kishte shumë për të thënë. "Pozicioni ynë nuk është fleksibël dhe kjo gjë nuk vjen nga mosrespekti për kosovarët, por është respekti që kemi për të drejtën ndërkombëtare të njerëzve.


Në qoftë se doni të shikoni efektin Kosovë, do ju lutem të shikoni efektin në Gjeorgji. Dhe këtë gjë ne e kemi parashtruar dhe në arsyetimin për mosnjohjen e Kosovës.

Do të vazhdojmë të respektojmë të drejtat e Këshillit Ndërkombëtar për të respektuar të gjitha të drejtat dhe për ne kjo është gjëja më e rëndësishme. Ne ndihmojmë nuk diskutohet Serbinë për të hyrë, për aderimin në Bashkimin Europian dhe për respektimin e të drejtave kombëtare", - tha ai.


Ndërsa Topi ndau një pikëpamje tjetër. "...Në të gjitha kontaktet që unë kam me përfaqësues politikë dhe diplomatikë dhe ju siguroj që janë të shpeshta, ka një ndjeshmëri në rritje për sa i përket njohjes së realitetit të ri në Kosovë.


Është shumë e rëndësishme të vlerësohet që ky është një projekt, ose një proces statik, por është në dinamikë të vazhdueshme dhe jam i bindur që dhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare, ky proces do të vazhdojë më shpejt se sa ka vazhduar këto dy vite.


Pra, në këtë proces unë jam jashtëzakonisht optimist dhe këtë proces e ndihmon shumë sjellja e lidershipit politik në Kosovë, ku, unë ia thashë Presidentit Basesku, mjaft qeveritarë, apo drejtues të institucioneve të Kosovës kanë tejkaluar traumat e tyre personale e familjare të pësuara gjatë gjenocidit të regjimit të Milosheviçit në Kosovë dhe sot po ndërtojnë një shtet multietnik në Kosovë, në respekt të të gjitha pakicave. Dhe ajo që i jep shpresën finale është që edhe Kosova është në projektet e integrimit euroatlantik", - tha Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›