E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka paqe për 4 shpirtrat e masakrës së Kozarës

05/05/2011  Drejt lirisë i dënuari për vrasjen e të vëllait, kunatës, nipin e foshnjës në bark

TIRANE- Luan Mara, i dënuar nga tre shkallët e gjyqësorit me burgim të përjetshëm për vrasjen e tre anëtarëve të familjes së vëllait të tij, pritet të lërë ambientet e burgut për t’u kthyer sërish i lirë. Kjo për shkak se dy ditë më parë Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 14 ka urdhëruar rikthimin për gjykim të dosjes, pasi sipas interpretimit të Kushtetues gjatë fazës hetimore i pandehuri Mara është përballur me dhunën psikologjike dhe fizike të hetuesve. Gjykatës Kushtetuese ka vërejtur një seri shkeljesh që janë bërë në kurriz të Luan Marës, që nga arrestimi e deri te procesi gjyqësor dhe dënimi i tij. I dënuar për atë që quhet masakra e Kozarës e ndodhur më 9 shkurt të 2006, sipas Kushtetueses, Luan Marrës i është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor. Ndër të tjera, në këtë vendim renditen edhe një sërë shkeljesh të tjera që janë bërë në hetimin e kësaj ngjarjeje si nga policia, ashtu edhe nga ana e Prokurorisë. Madje në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se deklarimet e bëra para prokurorit ose Policisë Gjyqësore të Marës, nuk përbëjnë prova në vetvete dhe se ndaj tij është ushtruar dhunë për të pranuar fajësinë. Të gjithë provat e mbledhura për të akuzuar Luan Marën për ekzekutimin e familjes së vëllait të tij sipas gjykatës mund të vlerësohen si provë, nëse ato lidhen me prova të tjera që konfirmojnë vërtetësinë e tyre. Avokati mbrojtës i Marës ka theksuar se shumë shpejt ai do i drejtohet me një kërkesë gjykatës së Beratit, ku do i kërkojë kësaj të fundit lirimin e klientit të tij për shkak të përfundimit të afatit të gjykimit. Përgjatë seancave gjyqësore, i pandehuri Mara nuk ka pranuar akuzën e ngritur nga policia dhe Prokuroria, duke pohuar se deklarimet paraprake që ai kishte dhënë në fazën e hetimit të ngjarjes, i kishte pohuar nën presionin e vazhdueshëm që dy institucionet kishin ushtruar mbi të. Mirëpo pavarësisht nga deklarimet e tij para tre shkallëve të gjyqësorit, togat e zeza s’kanë besuar thënien e tij, duke e dënuar me burgim të përjetshëm. Kaluan pesë vjet nga ngjarja e rëndë dhe vetë i dënuari Luan Mara, kishte prerë shpresat për të fituar lirinë, kur papritur dy ditë më parë Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë dosjen nga errësira duke urdhëruar që çështja të rigjykohet sërish. Dosja penale përbëhet nga katër fashikuj me më shumë se 400 fletë ku shpjegohet në mënyrë të detajuar krimi i rëndë i ndodhur në familjen Mara. Sipas akuzës, në shkurt të vitit 2006 një familje e përbërë prej katër njerëzish, Shpëtimi 30 vjeç, Floria 28 vjeçe dhe 5 muaj shtatzënë dhe Artioli dy vjeç. Sipas organit të akuzës, ka qenë vetë Luan Mara, që pas arrestimit ka pranuar autorësinë e vrasjes dhe ka treguar më pas edhe vendin ku ka hedhur armën. Luani ka treguar edhe skemën e vrasjeve, orën e saktë dhe qëllimin e vrasjes, që sipas tij ka qenë xhelozia.

Reagimi i Xhemal Saliasit

Rikthimi i dosjes së Marës për gjykim me argumentin se gjatë fazës hetimore ai është keqtrajtuar nga policia dhe Prokuroria, ka sjellë reagimin e prokurorit të Beratit Xhemal Saliasi. Ky i fundit ka theksuar për gazetën “Metropol” se në qoftë se ka qenë ky argumenti kryesor për prishjen e vendimit, atëherë ai është një vendim i gabuar. Kjo për shkak se në të treja shkallët, i pandehuri ka ngritur këtë alibi dhe se tre nivelet e gjykatave, kanë rrëzuar pretendimet e të pandehurit Luan Mara.

Reagimi i Sokol Malaj

Ish-kryeprokurori i Vlorës Sokol Malaj, momentalisht drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, i kontaktuar nga gazeta “Metropol” konfirmoi se gjatë detyrës së tij në Vlorë, ai ka regjistruar një procedim, ku objekt hetimi kanë qenë pretendimet e të pandehurit Luan Mara. Malaj theksoi se hetimet janë kryer, por më pas procedimi është pushuar, pasi nuk janë gjendur prova që do faktonin argumentet për keqtrajtim gjatë fazës hetimore të të pandehurit Luan Mara. Ai kujton se kallëzimi në atë periudhë u bë nga avokati mbrojtës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›