E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca larg standardeve opozita, angazhim për reforma

Kryetarja e deputetëve të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, paraqiti mbrëmë në seancën e hapjes së punimeve të sesionit të ri të Kuvendit, pikëpamjet dhe qëndrimet e forcës së saj politike për qeverinë, mungesën e reformave dhe për rolin e organit ligjvënës. Leskaj u qartësoi deputetëve disa çështje të rëndësishme që lidhen me afrimin e vitit zgjedhor. Ajo tha se PS nuk do të lejojë që me regjistrin e shtetasve dhe kartata e identitetit të bëhej si me shiritat e përurimeve, se Kuvendi është larg cilësisë për të përballuar sfidat e mëdha të vendit dhe me vendimmarrje që kanë cenuar demokracinë dhe se ka një vorbull mbi një ligj për prokurorinë.

Të nderuar kolegë deputetë!

Do të dëshiroja ta kisha nisur ndryshe këtë fjalë në emër të grupit parlamentar të PS-së, por me keqardhje mund t’ju them zonja kryetare, se fjalimi juaj është po ai që keni mbajtur qysh në sesionin e parë dhe keni rimbajtur në sesione të tjera. E njëjta eufori kryeministrore, e njëjta mungesë lidhjeje me realitetin, e njëjta politikë e vjetër paradash e suksesesh në letër. Ndërkohë, këtë vit të fundit fatkeqësisht të gjithë bilancet që mund të bëhen janë edhe më negative se ato të viteve të mëparshme dhe kjo natyrisht që nuk na gëzon. Nuk na gëzon, sepse koston e dështimeve tuaja në ushtrimin e mandatit qeverisës e paguajnë familjet shqiptare. Edhe koston e këtij parlamenti që ju më shumë sesa e keni drejtuar, e keni sunduar e nënçmuar, po ata e paguajnë, qytetarët e këtij vendi, i cili nuk po del dot nga tranzicioni. E vërteta është se, ndryshe nga çfarë u është treguar shqiptarëve në paradat tuaja të radhës, funksionimi i parlamentit më shumë se sa debate qytetëruese dhe ligje përafruese me Bashkimin Evropian, ka prodhuar situata që kanë cënuar qytetarinë, vendimmarrje që kanë cënuar demokracinë, ligje që kanë cënuar Kushtetutën dhe në tërësi një jetë parlamentare pezmatuese për shqiptarët. Procesi legjislativ i këtij Kuvendi është larg cilësisë së nevojshme për të përballuar sfidat e mëdha të vendit. Larg standardeve që ka integrimi evropian i Shqipërisë. Nuk e di a i pyesni ndonjëherë njerëzit e këtij vendi që takoni, zonja kryetare? Çfarë mendojnë ata për këtë parlament që ju s’arritët kurrë ta drejtoni siç do t'i kishte hije të parës grua të zgjedhur në atë detyrë të lartë? Sepse njerëzit që pyes unë, nuk mendojnë mirë për parlamentin tonë, ku etika shkon shpesh nën nivelin e rrugës, ku kontrolli parlamentar mbi ekzekutivin është eliminuar nga refuzimi për llogaridhënien qeveritare, ku shumë ligje kalojnë brenda ditës apo natën pas incidenteve të qëllimshme me opozitën, ku edhe për vendime që prekin drejtpërdrejt grupe të interesit, nuk u jepet mundësia as të informohen, ku as vetë opozitës nuk i jepet kohë e mjaftueshme të përgatitet qoftë edhe për buxhetin e shtetit. Ata që e kanë zgjedhur këtë parlament, nuk kanë si të mendojnë mirë për të, kur kanë parë më shumë se sa një herë sesi kjo sallë është bërë arena e luftës antidemokratike dhe antikushtetuese të forcave qeveritare me institucionet e pavarura. Sjellja juaj, në rastin e procedurës së trajtimit nga Kuvendi të dekreteve të Presidentit për Gjykatën e Lartë, do të përbëjë një ekzemplar për ata që do të studiojnë nesër procesin legjislativ të këtij parlamenti. Braktisja demonstrative e sallës nga ana e mazhorancës me në krye zonjën kryetare, për të mos dëgjuar raportimin e Prokurores së Përgjithshme, është një nga shembujt e primitivizmit që ju demonstroni në Parlament! Gjithë klima e presionit për dominim mbi institucionet e pavarura jo vetëm ka qenë një kërcënim permanent për pavarësinë e tyre, por ka kompromentuar integritetin e këtij Kuvendi si organ ligjvënës. Shqiptarët që e kanë ndjekur Kuvendin me dëshirën për t’u informuar mbi punën e të zgjedhurve të tyre, kanë vënë re sesi kryetarja ngatërron rolin e spikeres së Kuvendit me atë të nënkryetares së partisë, duke i shërbyer kryeministrit edhe si shpatë për të prerë gjuhën e opozitës, edhe si mburojë kur atij i duhet t’u fshihet thirrjeve të opozitës për të dhënë llogari në  parlament. Janë disa interpelanca që presin me muaj kryeministrin në shkelje flagrante të rregullores. Natyrisht që kryeministri e ka të vështirë të vijë e të japë llogari për një sërë pikash të nxehta që kanë të bëjnë me Gërdecin, sepse s’ka shqiptar që nuk e ka marrë vesh që kryeministri ka lidhje me Gërdecin. Por duke mos ardhur në interpelancën e kërkuar prej muajsh për Gërdecin, kryeministri nuk e largon, por e afron më shumë veten me korrupsionin që plasi në Gërdec.

Zotërinj deputetë,

Grupi parlamentar i PS-së është përpjekur ta largojë parlamentin nga modeli i politikës konfliktuale që krijoi PD-ja kur ishte në opozitë, që i solli shumë dëme e pasoja negative vendit. Padyshim që modeli ynë opozitar është alternativë ndërtuese. Ne kemi luajtur një rol konstruktiv dhe ofrojmë dijet dhe mundësitë tona në radhë të parë në shërbim të interesave të vendit. Ne kemi nxitur dhe kemi punuar për ndërtimin e një procesi demokratizues për bërjen e reformave në parlament, jo thjesht duke miratuar, por duke udhëhequr procesin si për reformën në drejtësi, edhe për atë zgjedhore, duke u bërë kontributore për një kulturë të re politike që mundësoi dhe marrjen e ftesës për në NATO, si edhe përmbushjen e një detyre themelore në listën e detyrave  integruese në Bashkimin Evropian. Ne do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën e mundshme jo për interesa të përveçme tonat, aq më pak për interesat e PD-së, por për ata miliona shqiptarë, socialistë apo demokratë qofshin, që duan dhe meritojnë një jetë më të mirë, që vuajnë për punë, për drita, ujë e shkolla të denja për fëmijët e tyre. E bëjmë për njerëzit që prej 17 vjetësh presin e meritojnë t’iu hapet drita jeshile për qarkullimin e lirë në Bashkimin Evropian, që Shqipëria të mos jetë më vendi pa zgjedhje të lira të standardeve evropiane dhe pa shtet të së drejtës e të barazisë para ligjit. E kemi bërë dhe e bëjmë për dinjitetin e vendit, për t'i hequr Shqipërisë damkën e sherreve, konflikteve dhe mungesës së alternativave politike, për t'u dhënë shqiptarëve atë që ata presin nga politika: përmirësimin e jetës së tyre në të gjithë aspektet. Ne besojmë se imazhin dhe dinjitetin e Shqipërisë më shumë se kushdo e kanë dëmtuar politikanët, shtetarët, mënyra e sjelljes së tyre në radhë të parë me popullin dhe vendin e tyre. Padyshim që të gjithë shqiptarët paguajnë koston e bëmave qeveritare e kryeministrore që dalin në faqet e para të shtypit botëror në formën e vullkanit shpërthyes të Gërdecit apo në formën e shfaqjes elektronike në internet, ku mbarë bota ende klikon  për të parë se me ç’fjalor vulgar kryeministri i drejtohet një deputeti! Ne jemi të angazhuar në një opozitë ndërtuese, që shqiptarët të kenë drejtësinë që meritojnë, që kriza e përfaqësimit të marrë fund dhe që Parlamenti i Shqipërisë të mos i ngjajë këtij Kuvendi të lindur nga deformimi i vullnetit të zgjedhësve. Në fund të fundit, zgjidhja e krizës dhe e përfaqësimit kërkon përfundimin e reformës zgjedhore. Në fakt, me gjithë gatishmërinë tonë për reformat, nuk shihet që mazhoranca të reflektojë vullnet të mjaftueshëm për të ndërtuar një proces demokratik, transparent, profesional e konsensual në parlament. U bënë javë e ndoshta muaj që në opinionin publik është ngritur një vorbull shqetësuese lidhur me një draft të qeverisë për prokurorinë. Shqetësuese, sepse as shqiptarët, as partnerët tanë strategjikë dhe as vetë ne, opozita këtu në parlament, nuk prisnim nga qeveria që të hartonte në terr një ligj themelor të reformës në drejtësi, ku të shkruhej e tërë ëndrra kryeministrore për të likuiduar prokurorinë e këtij vendi. Po prisnim e presim që qeveria të bënte atë që kishte premtuar. Të mbështesë komisionin e ligjeve të Kuvendit, ku me një proces të hapur e të konsultuar me aktorë e partnerë ndërkombëtarë, të shtrohet çdo çështje që ka të bëjë me reformën në drejtësi. Për të gjithë ata që çuditërisht nuk e kenë marrë vesh akoma, theksoj se asnjë ligj për prokurorinë që nuk rrit dhe forcon efektivitetin edhe pavarësinë e institucionit të akuzës, nuk do t'i marrë votat tona.  

Zonja e zotërinj deputetë,

Asnjëherë më parë si këtë vit Shqipëria nuk ka pasur raporte kritike (janë 7 në harkun e një viti) për çështje të korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve etj. Paaftësia dhe dështimi qeverisës prodhoi më së shumti varfëri, rritje të korrupsionit, kapjen e shtetit nga krimi që kulmoi me tragjedinë e Gërdecit, e cila ka mbetur etiketa e kësaj qeverie që do të mbahet mend si qeveria e Gërdecit. Shout mediatik të prerjes shiritave edhe për vepra të pafilluara, të vjetra apo rëndom për punë të pambaruara, nuk i mbulojnë dot gropat e keqqeverisjes në të gjithë sektorët. As propaganda e paligjshme me spote televizive të paguara nga qytetarët për llogari të Berishës nuk i gënjen dot shqiptarët, që në vitin 2009 do t'i heqin kësaj mazhorance mandatin e dhënë për një ndryshim që nuk e panë. Pas një sërë prononcimesh, që mesa duket kanë rënë në vesh të shurdhër, në emër të grupit parlamentar dua t’ju kërkoj z. kryeministër publikisht:

Ndaleni abuzimin me ligjin e këtij Kuvendi e me lekët e shqiptarëve për të prodhuar e transmetuar spote propagandistike në funksion të fushatës elektorale! Mos provokoni opozitën dhe mos rrezikoni gjëra shumë më të rëndësishme në interes të vendit për interesin tuaj të vogël personal! Ndaleni edhe dorën e përfaqësuesve tuaj në KKRT që është ngritur mbi lirinë e shprehjes qytetare dhe mbi mediat që kanë transmetuar një denoncim publik ndaj spotit të turpshëm të kryeministrit! Mos mendoni se do të mund ta vazhdoni këtë akt të paligjshëm pa paguar koston e tij që rritet përditë! Ju s’mund të talleni as me ligjin as me shqiptarët!

Të nderuar kolegë,

Së fundi, dua t'i rikthehem çështjes së reformës së Kodit Zgjedhor, që për ne mbetet prioritet kryesor, për shkak të peshës që ka në reformimin e gjithë sistemit politik dhe për shkak të kufijve kohorë që po shkurtohen me afrimin e zgjedhjeve. Ne ftojmë mazhorancën të angazhohet seriozisht për përfundimin e Kodit të ri Zgjedhor brenda afateve ligjore të komisionit të ngritur muaj më parë dhe u bëjmë apel të gjitha partive parlamentare të bëhen pjesë aktive e këtij procesi që duhet mbyllur pa humbur kohë. Jemi të gatshëm me propozimet tona dhe të vendosur të bëjmë më të mirën, duke vënë interesin e absolut të zgjedhësve shqiptarë e të Shqipërisë për një sistem politik të bazuar në një sistem zgjedhor evropian mbi çdo interes tjetër të pjesshëm. Natyrisht, vetëm ndryshimet në kod, të cilat duhet të jenë në përputhje të plotë me ndryshimet kushtetuese, nuk mjaftojnë. Për garantimin e kësaj reforme, pasi ajo të përfundojë në letër, duhen kartat e identitetit dhe regjistri kombëtar i zgjedhësve. Ende nuk kemi asgjë të garantuar për këta dy elemente jetikë për standardet zgjedhore. Qeveria duhet të japë sot, jo nesër, një përgjigje të qartë. Ne duam garanci të shprehur publikisht jo vetëm për afatet e prodhimit, por edhe për shpërndarjen e kartave tek çdo votues brenda afatit.

Dëgjojeni mirë zonja e zotërinj:

Partia Socialiste nuk do të lejojë që me regjistrin dhe me kartat të bëhet si me shiritat e inaugurimit të veprave që nuk fillojnë, apo të rrugëve që nuk mbarojnë! Së fundi, në emër të grupit të PS-së dua t’ju them shqiptarëve se me zgjedhjet e reja me siguri gjithçka do të ndryshojë, duke filluar nga ky Kuvend, ku një shumicë e re socialiste dhe progresiste do të hapë një kapitull të ri për Shqipërinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›