E Diel, 1 Nëntor 2026

Ermal Fejzullahu ka blerë një shtëpi të tijën 300 mijë euro

Këngëtari simpatik Ermal Fejzullahu, i cili është bërë shumë shpesh pjesë e kronikave rozë në mediat shqiptare, ka pranuar më në fund se ka blerë një shtëpi të tijën me një vlerë prej 300 mijë eurosh. Gjatë një emisioni televiziv tepër popullor në Kosovë, ai ka preferuar ta bëjë publike shtëpinë e tij, të cilën duket se e ka me shumë merak. Menjëherë pas kësaj u është hapur oreksi edhe shumë kolegëve të tij për të pasur një shtëpi si ajo e Ermalit. Labinot Tahari, një këngëtar i njohur ky në Kosovë, ka shprehur hapur dëshirën që ta ketë një shtëpi të tillë, duke analizuar mundësinë që të blejë njërin nga dy apartamentet e lira në afërsi të shtëpisë së Ermalit, në Fshatin Ndërkombëtar në Prishtinë. Ky i fundit mendon që të fillojë jetesën në këtë shtëpi pikërisht gjatë muajit tetor, kohë kur pritet që ai të martohet me të dashurën e tij, Arianën, për të cilën ende qarkullojnë fjalë se është shtatzënë.

Shpat Deda: “Nuk më intereson shitja e albumit”

Këngëtari i njohur i singëllit “Ëndërroj” ka thënë se nuk preokupohet aspak nëse albumi i tij do të shitet në tregjet muzikore, pasi ai i përkushtohet muzikës, pavarësisht këtij motivi. Shpat Deda është shprehur se tashmë ka përfunduar 12 këngë të reja, të cilat pritet të përfshihen në albumin e tij, ndërsa nuk shqetësohet nëse njerëzit do të tregojnë interes për këtë përmbledhje muzikore. “Unë nuk këndoj me ndonjë qëllim përfitimi financiar, apo për të marrë famë nga muzika, por thjesht e bëj këtë për dëshirën time. Për mua nuk ka rëndësi nëse do të shitet albumi ose jo. Kam vendosur të nxjerr një album për dëshirën time, dhe nëse dikush është i interesuar ta dëgjojë muzikën që unë e bëj, këtë mund ta gjejë tek albumi im”, është shprehur kështu Deda.

Xhemi është gati!

Bukuroshja e ekraneve shqiptare po përgatitet për sfidën më të fundit televizive, pasi për Xhemi Shehun ky është momenti më i përshtatshëm për një rikthim ndryshe. Ndërsa mbeten edhe pak ditë deri në daljen e saj publike në një prej televizioneve më popullore në vend, ish-velina e “Fiks fare” do të kthehet sërish si prezantuese. Por e gjithë kjo situatë nuk do të vijë fare pa sakrifica, pasi Xhemi ndjek njëkohësisht edhe studimet e larta në një fakultetit privat këtu në kryeqytet, e për të pasur një përfaqësim sa më dinjitoz, ajo duhet të alternojë shumë mirë edhe punën, edhe shkollën. Përpos këtyre, nuk ka pikë dyshimi që Xhemi do të shkëlqejë në të dyja, ashtu si gjithnjë ka ditur t’ia dalë mbanë me sukses.

Getoari dhe DJ. Blunt prezantojnë këngën e re

Reperi më i njohur i muzikës shqiptare, Getoar Selimi, ka prezantuar videoklpin më të ri me titull “A po don kesh”, i cili është i realizuar në bashkëpunim me DJ. Blunt. Ky hit tanimë është i pranishëm në të gjithë programet muzikore të televizioneve kosovare, ndërsa Geti pritet të nisë një turne mbrëmjesh muzikore në diskoteka të ndryshme të Zvicrës së bashku me grupin e tij “Baba Records”. Kjo këngë vjen menjëherë pas dy hiteve të mëparshme, që ai i solli në bashkëpunim me repera të tjerë kosovarë, e këto u bënë pjesë e albumit më të fundit “Pika për vesh”, i cili pati shitje rekord në Kosovë, por edhe gjetkë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›