E Diel, 1 Nëntor 2026

“Falni Nënë Feriden”, 74 vjeçaria i kërkon falje Topit

“Falni Nënë Feriden”. Ky është Apeli drejtuar Presidentit të Republikës Topi për të falur 74 vjeçaren, e dënuar me burgim për kultivim kanabisi. E moshuara që vuan nga një sëmundje e pashërueshme kërkon të rri pranë dy nipërve jetimë. 

TIRANE- E plakur nga vitet që kalojnë, por dhe nga hallet e shumta që as në moshë të thyer nuk i janë ndarë. Kjo është Feride Bako, një grua 74 vjeçare, e cila ka lënë në shtëpi 2 fëmijët jetimë të djalit të saj, ndërsa ndodhet e burgosur në burgun 325 në Tiranë e dënuar me 5 vite me akuzën "Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike".
E burgosur për një veprim që sikundër pretendon nënë Ferideja nuk e ka kryer për mbjelljen e dy rrënjëve kanabis që kishin mbirë në jonxhë.
Ajo është bërë personazh i emisionit “Me zemër të hapur“, ku ka rrëfyer historinë e dhimbshme që nga vdekja e të birit në një aksident në Greqi, largimi i nuses duke braktisur dy fëmije dhe më pas vdekja e të shoqit.
Gazetari i emisionit “Me zemër të hapur“ Kondi Ilia me kërkesë të nënë Ferides ka shkruar një letër ku i kërkohet falje presidentit të vendit Bamir Topi..

I nderuar President i Republikës së Shqipërisë!
Ju lutem, kushtojini sado pak vëmendje kësaj letre. Iniciativa për t'ju drejtuar Juve nuk ishte e imja.
Një e moshuar 74-vjeçare, me emrin Feride Bako nga Fieri, më porositi t'ju shkruaj dy rreshta, pasi ajo nuk di as shkrim e këndim dhe siç më tha, nuk di t'I lidhë bukur as fjalët, pasi vitet e kanë plakur së tepërmi. Ajo ka lënë fillikat të vetëm, në shtëpinë e saj, dy nipat jetimë. Me pensionin e saj prej 4000 lekësh e moshuara shlyen aktualisht detyrimin gjyqësor prej 300 mijë lekësh. Kurse dy fëmijët e saj jetimë nuk përfitojnë përkujdesje sociale. Këtë vit dy jetimët nuk shkuan as në shkollë pasi duhet të "punojnë" për të mbajtur frymën gjallë. I nderuar President I Republikës! Nënë Feridja kërkon FALJE prej Jush.

Lajmi më i keq është se kjo e moshuar vuan nga një sëmundje e pashërueshme. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›