E Diel, 1 Nëntor 2026

Tensionohet situata në Suhodoll të Mitrovicës

 

MITROVICE- Është tensionuar situata në Suhodoll të Mitrovicës, shkak i këtij tensionimi ka qenë moslejimi nga ana e policisë së UNMIK-ut të disa pronarëve që te rindërtonin shtëpitë e tyre. Përfaqësuesit e administratës së OKB-së kanë kërkuar që për një gjë të tillë, qytetarët duhet të kërkojnë leje nga UNMIK-u.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tensionet në mesditë kanë qenë të mëdha.
“Kemi një ndryshim te situatës që nga orët e mëngjesit, që vërehej një tensionim i shtuar pikërisht në lagjen ‘Kroi i Vitakut’, në vendin ku do duhej të fillonte procesi i rindërtimit të shtëpisë. Tani situata ka ndryshuar krejtësisht. Ndërsa, të dy grupet që ishin mbledhur, janë shpërndarë dhe situata është krejtësisht e qetë”, tha Hoti.
Sipas policisë, kjo situatë konsiderohet të ketë karakter të mostolerancës ndëretnike.
Nga ana tjetër, Ali Kadriu, pronar i shtëpisë, pohon se pavarësisht kërkesave të policisë së UNMIK-ut dhe KFORI-it, për të mos bërë rindërtimin e shtëpisë, ai thotë se nuk do largohet nga toka e tij.
“Këta nuk po më lënë, unë me punëtorë jam. Edhe do tentoj të hy, se shteg që e lëshoj shtëpinë time, pronën time, nuk kam. Unë nuk di që ka ndonjë ligj në botë që mund të më ndalë për të mos hyrë në pronën time. Dokumentacionin e kam në rregull”, thotë Kadriu.
Sipas zoti Kadriu, shtëpia eshtë e ndërtuar në token e tij me dokumente të rregullta. Por, së fundi, policia e UNMIK-ut ka kërkuar dokumente shtesë, thotë ai.
Në lidhje me këtë situatë ka reaguar edhe kryetar i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, i cili ka pohuar se banorët e asaj ane duhet të lejohen që të punojn1 dhe jetojnë në shtëpitë e tyre. Ai, veprimet dhe kërkesat e policisë se UNMIK-ut që pronarët shqiptarë të marrin leje shtesë për renovimin e shtëpive të tyre, i quan të pajustifikueshme.
Para pak ditësh, në Suhodoll, sikur edhe sot, ishin tubuar grupe të njerëzve nga të dyja etnitetet, shqiptarë dhe serbë, dhe kanë filluar një përleshje fizike me përdorim të shufrave të drurit dhe të metalit, ku si pasojë qenë lënduar disa veta. (a.r/rel/balkanweb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›