E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e 17 vjeçares, dorëzohet në Prokurori raporti

Është firmosur dhe dorëzuar sot në Prokurori raporti i 5 ekspertëve, në të cilin pasqyrohen shkaqet që çuan në vdekjen e 17 vjeçares Matilda Petriti. Dhe shkeljet e kryera nga mjeku në një operacion të thjeshtë bajamesh. 

TIRANE- Është dorëzuar ditën e sotme në Prokurori nga ana e ekspertëve raporti i cili shpjegon shkaqet që çuan në vdekjen e vajzës 17 vjeçare Matilda Petriti. Kjo e fundit nuk arriti t'i mbijetoje një operacioni të thjeshtë për heqjen e bajameve.
Ky raport është firmosur nga 5 mjekë me në krye shefin e ORL-së Pjerin Radovani. Në të janë paraqitur të gjitha shkeljet e kolegut të tyre otorino - laringolog, Xhevahir Hoxhallari, që sipas tyre jo vetëm ka kryer mjekim të pakujdesshëm, por ai ka shmangur mjekimin për pacienten e tij, atëhere kur vajza ishte në gjendje të rëndë dhe kishte nevojë për trajtim.

Sipas këtij raporti është quajtur abuzive edhe mënyra se si është ndërtuar kartela mjekësore e 17 vjeçares, ku thuhet se mjeku Hoxhallari ka regjistruar vetëm një fletë, datën 6 prill, ditë në të cilën vajza është operuar në klinikën private të tij në Pogradec, si dhe lloji i ndërhyrjes kirurgjikale.
Por mjeku nuk ka shtuar asgjë gjatë ditëve në vazhdim, ku 17 vjeçaria ka patur hemorragji, procedurë kjo e domosdoshme që ndiqet për pacientët.
Operacioni i kryer ndaj Matilda Petritit, konsiderohet i primitiv nga metodat që janë përdorur, të cilat nuk janë të ngjashme me operacionet e bajameve në Shqipëri.
Ka qenë kjo shkelje që ka shkaktuar prerjen fatale të një prej venave furnizuese me gjak, gjë që ka sjellë edhe vdekjen adoleshentes nga Maliqi i Korçës.

Gjithashtu në raportin e tyre 5 specialistet kanë shpjeguar se mjeku ka përdorur medikamentin e gabuar për parandalimin e hemoragjisë në fyt, pasi sipas tyre nuk duhej që Hoxhallari t'i vendoste asaj në plage jo të thjeshte ashtu sikurse rezulton të ketë vepruar.

Në raport thuhet gjithashtu se shkelje të detyrës, ditën që vdiq 17 vjecarja ka kryer edhe një doktor tjetër në spitalin civil. Kjo pasi, ai ka neglizhuar mjekimin e saj edhe pse ka qenë në shërbim.
Përkundër deklaratave per ta mbrojtur kolegun e tyre muaj me pare,
Të njëjtët mjekë të cilët muaj më parë kanë hedhur firmat në mbrojte të kolegut të tyre sot kanë hedhur sërish firmat por këtë radhë për shkeljet e tij në profesion.

Xhevahir Hoxhallari është pezulluar muaj më parë nga detyra dhe pa të drejtë për të kryer operacione dhe tashmë që hetimet për të janë drejt përfundimit, çështja e tij pritet te shkojë në gjykim. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›