Falsifikimi i 50 ha tokë, avokati: Na kanë futur në kurth
Falsifikimi i dokumentacionit të më se 50 hektarëve tokë në Komunën Synej ka krijuar një tjetër pistë hetimi. Pista kryesore e hetimit të Prokurorisë është dyshimi mbi avokatin e familjes Shijaku, si dhe mbi vetë familjen, duke dyshuar se kanë falsifikuar dokumentacionin për kthim prone. Por avokati i familjes, Dilaver Rexhepaj, i kontaktuar dje nga gazeta, hedh poshtë këto pretendime, duke deklaruar se mbi të dhe familjarët është ngritur një kurth. Ai tha se të gjitha firmat e familjarëve, si dhe të vetë atij, janë të falsifikuara dhe se nuk kishin dijeni mbi këtë kërkesë për kthim prone. Ai mori në mbrojtje ish-kreun e AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, duke thënë se vendimi u zbulua nga ai vetë dhe nga ish-kreu i AKKP-së dhe më pas u anulua. “Nuk e kuptojmë se ç’po ndodh, por firma ime dhe ajo e familjarëve janë të falsifikuara. Nuk e di kush e ka bërë. Vendimi më pas për kthimin e kësaj prone u anulua nga kreu i AKKP-së, Vatnikaj”, - tha Rexhepaj, i cili u shpreh se e disponon këtë vendim. I pyetur më tej në lidhje me këtë pronë, ai u shpreh se nuk e kishte idenë e saj. “Është luajtur me emrin e familjes, e cila ka shumë pronarë dhe disponojnë rreth 2 mijë hektarë tokë në Kavajë”, - tha më tej Rexhepaj. Ai sqaroi se kishte kontaktuar me zyrtarët e komunës, të cilët sipas tij, ishin në të njëjtën mënyrë të surprizuar. Këtë pretendim të avokatit e kanë mbështetur edhe pronarët, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për 50 hektarët e falsifikuar.
Ndërkohë ish-kreu i AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, ka deklaruar në shtyp se familja kishte dijeni për dosjen. Gazeta nuk mundi të disponojë pretendimin e ish-kreut të pronave, për shkak se asnjë numër telefoni nuk punonte. Vatnikaj ka deklaruar se ka dhënë firmën e tij mbi këtë vendim, por që sipas tij, dosja ishte punuar nga specialistët e zyrës vendore, si dhe ishte sigluar nga Avokatura e Shtetit.
Departamenti i Antikorrupsionit në Këshillin e Ministrave, i cili denoncoi këtë aferë, dërgoi në prokurori 6 zyrtarë për ndjekje penale. I kontaktuar nga gazeta, kreu i Avokaturës së Shtetit, Eduard Halimi, tha se “pas publikimit të dosjes nga departamenti, u mor masë disiplinore dhe punonjësi i degës së Tiranës së Avokaturës së Shtetit u pushua nga puna”.
Burime pranë Prokurorisë bëjnë të ditur se organi i akuzës ka nisur hetimin mbi këtë çështje, për të zbardhur se kush ka falsifikuar dokumentacionin, për të përfituar pandershmërisht 50 hektarë tokë buzë bregdetit në zonën “Gjiri i Gjeneralit”. Një fakt të tillë e ka konfirmuar edhe avokati Rexhepaj dhe pronarët Shijaku, të cilët kanë shkuar në Prokurori për të dhënë shpjegime. Të njëjta burime saktësojnë se në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe ekspertët, si topografë, për të bërë matjet sipas dokumentacionit.
Raporti i Antikorrupsionit që zbuloi falsifikimin
Raporti i Departamenti të Antikorrupsionit në Këshillin e Ministrave konstatoi shkeljen dhe denoncoi 6 zyrtarë të implikuar, të cilët ende nuk janë bërë publikë. Ky departament ka analizuar se në AKKP është paraqitur një kërkesë nga pronarët me një dokument hipotekor të falsifikuar, pasi dokumenti origjinal kishte 112 mijë metra katrorë, por falsifikimi përmbante 480 mijë metra katrorë tokë. Sipas këtij raporti, rezulton se plan-vendndodhja e pronës është ndryshuar, duke e spostuar atë dhe duke e vendosur buzë detit.
6 zyrtarët e pushuar nga puna
Shefi i Sektorit Juridik të kësaj zyre, Ali Aliu, ka nënshkruar vendimin në mungesë dhe me porosi të drejtorit të ZRAKKP-së Tiranë, për shkak se jo vetëm nuk ka kryer verifikimin e nevojshëm, por ka marrë vendim pa marrë përgjigje në lidhje me vërtetësinë e dokumentit të vjetër pronësor, pavarësisht se nuk ishte plotësuar ende afati ligjor i parashikuar me ligj për kryerjen e procedurave. Specialistët Altin Ceni, Petrit Kullolli dhe Alma Shehu, të cilët kanë hartuar shkresën e dërguar në ZVRPP për verifikim dokumentacioni pronësor, në kundërshtim me urdhrin e drejtorit të Përgjithshëm dhe/ose kanë përmbyllur shqyrtimin administrativ pa marrë përgjigje për verifikimin, apo pa kryer verifikim në ndonjë mënyrë tjetër. Specialisti i ZQAKKP-së, Erjon Lama, ka shqyrtuar ligjshmërinë e vendimit, i cili i është relatuar drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së se vendimi 235 datë 14.08.2008 ishte në përputhje me ligjin dhe se nuk duhej ushtruar iniciativa për shqyrtim të vendimit. Avokati i ZVASH Tiranë, Margit Haxhihyseni, ka qenë i ngarkuar për shqyrtimin e vendimit, e në përfundim ka relatuar bazueshmërinë në ligj të tij.