Delegacioni shqiptar në KE do ketë të njëjtin autoritet
Delegacioni shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të vazhdojë të ketë të njëjtin autoritet si edhe më parë, edhe pse i është ndryshuar kreu. Dy anëtare të këtij delegacioni tregojnë se si vajti dita e parë e punës në Strasburg me kryetarin e ri, Ilir Rusmali. Lajlja Përnaska dhe Arenca Trashani thonë se kreu i ri i delegacionit mori mirëseardhjen nga asambleja e KE-së, ndërkohë që Aleksandër Biberaj ishte gjithashtu në Strasburg, por nuk mori pjesë në komisione dhe në asamble. Ai ishte atje, për të bërë ankesë në Komisionin e Rregullores dhe Mandateve të kësaj asambleje, duke ngritur pretendimet e tij për largimin nga kryesimi i delegacionit shqiptar. Deputetja demokrate, njëherësh edhe anëtare e delegacionit shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme të KE-së, konfirmoi dje për mediat se nuk është e vërtetë që ka një ngrirje të autoritetit të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit Evropian. "Delegacioni shqiptar është në angazhim të plotë, po ndjek punën e Asamblesë Parlamentare dhe po vazhdon në mënyrë normale plotësimin e detyrave", - tha ajo. Sipas Përnaskës, procedurat për zëvendësimin e Aleksandër Biberaj kanë nisur që para fillimit të seancës dhe në diskutim është i përfshirë emri i deputetit, Ilir Rusmali. Përnaska deklaroi se gjatë ditës së djeshme punimet e Asamblesë Parlamentare janë ndjekur nga Ilir Rusmali. Përnaska theksoi se "Parlamenti shqiptar ka propozuar ndryshim në delegacionin e tij, duke ndjekur të gjitha procedurat që kërkohen nga Këshilli i Evropës dhe nuk ka asgjë nga ajo që ndodh normalisht me çdo anëtar të KE-së". Ndërkohë po këtë version ka mbrojtur edhe deputetja tjetër e PD-së, Arenca Trashani, e cila në një komunikim me gazetën tha se “delegacioni shqiptar vazhdon punën dhe janë të papërgjegjshme deklaratat e opozitës për ngrirje të autoritetit të delegacionit”. Sipas saj, Rusmali ka marrë urimet e Asamblesë, duke e njohur atë si kryetarin e ri legjitim të këtij delegacioni, kështu që ai bashkë me deputetët e tjerë ka marrë pjesë në të gjitha diskutimet që janë bërë në komisionet e Asamblesë Parlamentare të KE-së. Sipas deputeteve shqiptare, dje Asambleja e KE-së zhvilloi mbledhjen e radhës dhe në diskutim është përfshirë dhe çështja e zëvendësimit të Biberajt nga Ilir Rusmali. Sipas rregullores, meqë dje ishte mbledhja e parë e këtij sesioni, Asambleja verifikon mandatet e të gjithë anëtarëve të vendeve pjesëmarrëse. Verifikimi i mandatit bëhet sipas procedurës që përcakton çdo rregullore Parlamenti, të cilit deputeti i përket. Ndërkohë që deputeti Biberaj pretendon se zëvendësimi i tij është bërë në kundërshtim me rregulloren e Parlamentit dhe se është shkelur neni 7 i tij, i cili bën fjalë për përbërjen e delegacioneve të përhershme në organizatat ndërkombëtare. Shqipëria ka 4 deputetë në Këshillin e Evropës, të cilët propozohen nga kryetarja e Kuvendit dhe i përkasin dy mazhoracës dhe dy opozitës. Anëtarët zgjidhen nga konsultimet që bëhen me grupet parlamentare.