Withers: Obama, mik i ngushtë i shqiptarëve
SHBA-të inkurajojnë qeverinë shqiptare për vazhdimin e reformave, duke dhënë garancinë e plotë se Presidenti i ri, Barak Obama, do të jetë mik i madh i Shqipërisë. Ndaj dhe SHBA nxit politikën shqiptare, që të forcojë demokracinë dhe sundimin e ligjit si e vetmja rrugë për zhvillimin e një shteti dhe ndërtimin e një shoqërie të lirë. Këto janë mesazhet që ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers i përcolli dje klasës politike në vend. Ai ishte i pranishëm në takimin e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me ambasadën amerikane në Shqipëri dhe Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare në seminarin: “Politika e Jashtme e SHBA-ve; Administrata e re, Doktrinë e re – Perspektiva Rajonale”. Por në tryezën e djeshme ishin të ftuar dhe Kryeministri Sali Berisha dhe kryesocialisti Edi Rama. Diplomati amerikan bëri të ditur se Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Barak Obama, ka përkushtimin e duhur ndaj demokracisë në mbarë botën, ashtu si edhe në Shqipëri. “Duket qartë që përkushtimi i Presidentit Obama ndaj demokracisë nuk është thjesht një diçka e përkushtimit ndaj ligjit, por një shprehje e një besimi të brendshëm dhe pa praktikimin e demokracisë në Shtetet e Bashkuara, unë nuk mendoj se do të bëhej e mundur që Obama të bëhej President i Shteteve te Bashkuara”, - u shpreh ambasadori amerikan. E para, - argumentoi Withers, - është e qartë se është besnikëri ndaj parimeve të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara dhe në besimin e tij, Kushtetuta jonë është ungjilli kombëtar i kombit tonë, por dhe parimet e saj janë të njëjta për çdo komb tjetër. Si pikë e dytë, - tha ai, - shohim që ai është i vendosur të luftojë korrupsionin në vendin tonë. “Së treti, mund të shohim tashmë përkushtimin e tij të thellë ndaj sundimit të ligjit”, – theksoi ambasadori Withers. Ambasadori amerikan siguroi se nuk ka asnjë dyshim se z. Obama do të jetë ndjekës i traditës që shkon deri në kohën e Presidentit Willson dhe që kulmoi me administratën e George W. Bush. Withers pohoi se gjatë tetë viteve të fundit, marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Shqipërisë arritën majat më të larta dhe bashkëpunimin më të mirë, që u përmbyll me marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO. “Politikat tona ndaj rajonit dhe Shqipërisë do të mbështeten në shpresa e pritshmëri. Nën drejtimin e Presidentit Obama parashikojmë një Shqipëri në qendër të një rajoni në paqe e stabilitet, një Shqipëri që vazhdon të ndihmojë e të bashkëpunojë me shtetin më të ri, Kosovën”, - theksoi Withers. Duke cituar pjesë nga fjalimi i Obamës ditën e zgjedhjes President, se do të jetë mik i çdo kombi, Withers shprehu besimin se Shqipëria do të vazhdojë përpjekjet për respektimin e Kushtetutës, luftën kundër korrupsionit dhe forcimit të demokracisë. Zgjedhjen e afro-amerikanit të parë në krye të SHBA-se, Withers e cilësoi si një epokë ndryshimesh, tek të cilat beson, ashtu si edhe Presidenti Obama. Ambasadori amerikan në Tiranë garantoi dje se administrata e re amerikane e Obamës do të vazhdojë marrëdhëniet e ngushta të bashkëpunimit me Shqipërinë, që la administrata paraardhëse e Presidentit George W. Bush. Duke folur për politikat e Presidentit të ri, Obama, Withers bëri të qartë se “ndërkohë që Shqipëria ecën përpara drejt këtyre synimeve, duhet të dini që Presidenti Obama do të jetë një mik. Siç tha vetë ai, pra, të gjithë popujve të tjerë dhe qeverive që na shohin sot, nga kryeqytetet më të mëdha deri në fshatin e vogël ku u lind im atë, duhet të dini që Amerika është një mike e çdo kombi dhe çdo burri, gruaje e fëmije që kërkon një të ardhme në paqe dhe dinjitet dhe që jemi gati të prijmë përsëri”. Duke kujtuar marrëdhëniet e shkëlqyera që Shqipëria ka pasur me ish-Presidentin Bush, Withers në këtë kuadër parashikoi një bashkëpunim të ngjashëm edhe me Presidentin e ri afro-amerikan, Obama. “Në administratën e Bush, marrëdhëniet me Shqipërinë arritën majat më të larta. Dhe theksoj se marrëdhënia juaj zoti Kryeministër Sali Berisha me ish-Presidentin Bush ka luajtur një rol të madh për marrëdhëniet me vendin tuaj. Është e natyrshme që unë të dëshiroj të siguroj se administrata e re e Presidentit Obama do të jetë një mik i madh i Shqipërisë dhe asaj tradite të gjallë si ajo e Presidentit Bush. Ne nuk kemi pikë dyshimi se kjo do të ndodhë”, - deklaroi ambasadori Withers.
Topi: Do përmbushim detyrimet euro-atlantike
Ambasadori amerikan, John. L. Withers, siguroi dje Presidentin Bamir Topi për vazhdimësinë e mbështetjes së administratës “Obama” për hapat që Shqipëria po ndërmerr për forcimin e demokracisë, mbrojtjes e respektimit të Kushtetutës, institucioneve të pavarura, luftës kundër korrupsionit dhe funksionimit të shtetit ligjor. Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, priti dje ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Dr. John L. Withers II. Hapat e domosdoshme për anëtarësim në NATO, zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të lira dhe të ndershme, të qershorit 2009, zhvillimet e fundit politike në vend si ligji për pastërtinë e figurës dhe raportet e fundit të Shqipërisë me Këshillin e Evropës, ishin pjesë e bisedës midis Topi dhe Withers. Presidenti shqiptar i shprehu ambasadorit Withers urimet për Presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe besimin se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve do intensifikohen e forcohen më tej nën drejtimin e Presidentit Obama. Presidenti Topi siguroi ambasadorin amerikan vendosmërinë për angazhimin e tij, për të qenë gjithnjë partner i vendosur përkrah SHBA-së në të gjitha sipërmarrjet e saj, në funksion të thellimit të reformave demokratike, të ruajtjes së stabilitetit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. “Shqiptarët i mbeten mirënjohës SHBA për mbështetjen në të gjitha proceset demokratizuese, por edhe integruese të vendit tonë”, - ka thënë Presidenti Topi gjatë takimit. Kryetari i shtetit ka nënvizuar se kjo miqësi historike mes dy vendeve i nxit shqiptarët, që të punojnë akoma më shumë në përmbushjen e të gjitha detyrimeve që kërkon integrimi euroatlantik.