E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha i premton SHBA-së zgjedhje të lira



Kryeministri Sali Berisha garantoi dje SHBA-në dhe shqiptarët se është i vendosur për të çuar përpara reformat e nisura dhe për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme. Në tryezën e djeshme të organizuar nga Ministria e Jashtme dhe ambasada amerikane në Tiranë për politikat e jashtme të SHBA-së, Berisha shprehu angazhimin që përmes reformave të qeverisë të promovojë më tej luftën e madhe kundër korrupsionit, para së gjithash për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. “Zgjedhjet e qershorit do të jenë të lira dhe qeveria ime do të vazhdojë luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe tentakulat e tij kudo që janë”, - tha z. Berisha. Duke iu drejtuar të pranishmëve në këtë takim, si dhe të gjithë vendeve të tjera anëtare të NATO-s dhe BE-së, Kryeministri Berisha siguroi zhvillimin të zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare. “Dua të garantoj këtu përfaqësuesit e komunitetit të vendeve të lira, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera anëtare të NATO-s dhe BE-së, se kjo qeveri do të bëjë çdo përpjekje që shqiptarët të votojnë në dinjitet të plotë si qytetarë të këtij komuniteti, në respekt të plotë të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit, në një luftë me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe tentakulave të tij kudo që ato të shtrihen”, - u shpreh Kryeministri. Në konferencën me temë “Politika e jashtme amerikane, administratë e re, doktrinë e re”, Kryeministri vlerësoi ditën e inaugurimit të Barak Obamës si ditë historike jo vetëm për SHBA-në, por për mbarë botën. Kryeministri uroi Presidentin amerikan në detyrën e tij historike dhe shtoi se SHBA do të jetë një nga miqtë më të çmuar të Shqipërisë. “Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së do të njohin një dimension të ri. Dua të siguroj Obamën se qeveria ime mbetet thellësisht e vendosur për një bashkëpunim të ngushtë dhe të thellë për të dhënë kontributin e saj modest në të gjitha fushat”, - tha Kryeministri. Kryeministri Berisha u ndal në miqësinë dhe mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Duke folur për kontributet e jashtëzakonshme të Presidentëve të Shteteve të Bashkuara nga Presidenti Willson e deri tek Presidenti George W. Bush, Kryeministri Berisha vlerësoi se të këto janë një thesar i çmuar në fondin e miqësisë midis dy kombeve dhe vendeve tona. “Shqipëria ka pasur dhe ka te Shtetet e Bashkuara të Amerikës aleatin dhe mikun më të çmuar, partnerin e saj strategjik. Shqiptarët nuk do të harrojnë kurrë mbështetjen që SHBA-të, në emër të vlerave themelore të njerëzimit, i kanë dhënë çështjes së tyre kombëtare në çastet më përcaktuese për lirinë”, - u shpreh Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare i shprehu vlerësimet e tij maksimale për Presidentin Barak Obama dhe siguroi se qeveria e tij mbetet thellësisht e vendosur për një bashkëpunim të ngushtë dhe intensiv në ndërtimin e vlerave të demokracisë. “Unë kam bindjen më të thellë se tek Presidenti Barak Obama, shqiptarët kanë dhe do të kenë një nga miqtë më të çmuar dhe se në administratën e tij punojnë miqtë më të mirë të kombit shqiptar; zëvendëspresidenti Joe Biden, ish-senatorja Hillary Klinton, tani sekretare e Departamentit të Shtetit, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, James Johns, por edhe shumë personalitete të tjera në të gjitha nivelet e kësaj administrate. Ndaj në perspektivën dhe në mendimin tim, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara do të njohin dimensione të reja të fuqishme”, - u shpreh Kryeministri. Në këtë forum merrnin pjesë ambasadori i SHBA-së në Tiranë, z. John Withers, ambasadorë të vendeve të Bashkimit Evropian të akredituar në Tiranë, diplomatë vendas e të huaj, kreu i Partisë Socialiste, z. Edi Rama, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të medias, analisti në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, Janush Bugajski dhe Prof. Bernd Fisher, drejtues i Departamentit të Historisë në Universitetin e Indianës etj.

Rama: Obama solli një epokë të re

Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se me ardhjen e Obamës në pushtet, ka ardhur një epokë e re, ku Shqipëria duhet të marrë shembull dhe të kuptojë se vetëm bashkimi (përtej së majtës dhe së djathtës) “mund të na bëjë të arrijmë suksese, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës na e mësuan këtë”. Zgjedhja e Obamës, - vijoi Rama, - ishte një rast që tregoi se nga shembulli i forcës, u kthye në forcën e shembullit. Rama tha më tej se duhet t’i japim dinjitet shtetit ligjor. “Korrupsioni, nuk luftohet me retorikë antikorrupsion dhe as me demagogji dhe masa kundër medias”, - tha kreu i Partisë Socialiste. Duke theksuar se Presidenti i ri beson tek demokracia dhe politikat e saj, Rama i uroi suksese Barak Obamës në misionin e ri që i ka vënë vetes. Duke folur në seminarin me temë “Politika e jashtme e SHBA-së”, kryesocialisti Edi Rama tha se shqiptarët duhet t’i lexojnë qartë fjalët e Presidentit Obama, i cili thotë se politika duhet të jetë në shërbim të njerëzve.

Basha: Obama i zgjedhuri i globit

Ministria e Jashtme organizatorja e tryezës për politikat e SHBA-së

Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me ambasadën amerikane në Shqipëri dhe Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare organizoi dje seminarin: “Politika e Jashtme e SHBA-ve; Administrata e re, Doktrinë e re – Perspektiva Rajonale”. Në këtë takim morën pjesë personalitete, si Kryeministri i vendit, z. Sali Berisha, ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers II, analisti i njohur për çështjet ballkanike Jonuzc Bugajski, historiani Brend Fischer, deputetë dhe përfaqësues të politikës, ambasadorë të akredituar në Tiranë etj. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, vuri në dukje se zgjedhja e Presidentit të SHBA-së, Barak Obama, në krye të SHBA-së “është një realitet jo vetëm për shtetasit amerikanë, por është i zgjedhuri i gjithë globit”. Basha shprehu mirënjohjen e thellë për sekretaren e shtetit Klinton, që vjen në detyrë në një moment të vështirë të globit. Ministri i Jashtëm shqiptar, z. Lulzim Basha, shprehu vlerësimet e tij për fushatën zgjedhore në SHBA, për programin dhe entuziazmin e Presidentit Barak Obama. Në këtë kuadër, z. Basha tha se Presidenti i 44 i SHBA-ve, Barak Obama është në realitet i zgjedhuri i globit dhe jo vetëm i preferuari i bashkëkombësve të tij, kaq të mëdha janë shpresat që ai, idetë dhe energjia e tij, kanë ngjallur në botë. Më tej, z. Basha tha se ashtu si edhe kombet e tjera, shqiptarët kanë qenë të pasionuar me zhvillimet në Amerikë dhe i kanë ndjekur me vëmendje. “Me shumë kënaqësi ne konstatojmë se për shqiptarët dhe Shqipërinë, SHBA-të dhe përfaqësuesit e saj të lartë, janë dhe do të jenë miqtë e tyre të mëdhenj, sepse me këtë komb të madh kanë qenë të lidhura fatet e vendit që në ditët e para të shtetit shqiptar siç janë sot të çimentuar parimet dhe idealet e lirisë, të së drejtës dhe demokracisë”, - theksoi Basha. Ministri i Jashtëm pohoi se bashkëpunimi i Shqipërisë me SHBA-të është zhvilluar në një klimë të mirëkuptimit dhe mirëbesimit reciprok edhe në aspekte mjaft jetike të zhvillimeve të rajonit të Ballkanit. “Ne jemi mirënjohës për mbështetjen amerikane për çështjen shqiptare në përgjithësi dhe asaj kosovare në veçanti”, - tha z. Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›