E Diel, 1 Nëntor 2026

Falsifikimi i kartëmonedhave, arrestohen 26 persona në Tiranë

Vocaj: Hetimi për grupin nisi 6 muaj më parë, 100 denoncime nga qytetarë e subjekte private, “viktima” të falsifikatorëve

Prej gjashtë muajsh funksionin si një rrjet i fuqishëm në prodhimin dhe shpërndarjen e kartëmonedhave të falsifikuara, ndërkohë që pikat më të nxehta për falsifikatorët ku derdhnin këto shuma parash, ishin subjektet private dhe mjediset spitalore. Policia kishte rënë në gjurmë të tyre, por ishte duke pritur rastin e volitshëm për t’u dhënë goditjen e duhur, ndërkohë që përgjatë 6 muajve kishte arritur të siguronte përmes metodave speciale provat e duhura për t’i mbërthyer 26 personat e përfshirë, mes të cilëve një femër dhe tre minorenë. “Ishte goditja më e madhe e policisë së kryeqytetit kundër fenomenit të falsifikimit”, - u shpreh dje gjatë konferencës për shtyp, ku publikoheshin rezultatet e operacionit, drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, i shoqëruar nga nëndrejtori Artan Cuku. Sipas burimeve zyrtare policore, grupi i strukturuar kriminal falsifikonte dhe vinte në qarkullim kartëmonedha të falsifikuara. Policia e kryeqytetit në bashkëpunim edhe me kolegët në disa rrethe të vendit kanë vënë në pranga 26 persona të moshave nga 16-30 vjeç, si të dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari kriminale. Operacioni i koduar “Piramida” është finalizuar dje nga strukturat e Krimit Ekonomik Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore Taks-Forcë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nga ku u ndaluan dhe u arrestuan 26 shtetas, të dyshuar për veprat penale “Prodhim të kartëmonedhave të falsifikuara”, “Vënien në qarkullim të tyre”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërkohë që nga materialet e sekuestruara në banesat e tyre, dyshohet se këta shtetas kanë kryer edhe një sërë veprash të tjera penale.

Operacioni

Pas një hetimi 6-mujor, falë një pune intensive të këtyre strukturave, sipas burimeve zyrtare policore, u bë e mundur goditja e këtij grupi të strukturuar kriminal, i cili vepronte në disa qytete të vendit, konkretisht në Tiranë, Durrës, Fier, Berat, Sarandë, Elbasan, Pogradec, Korçë, Shkodër dhe Kukës. Falë përdorimit të metodave speciale të hetimit, është bërë i mundur dokumentimi i veprimtarisë dhe lidhjeve të shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari si dhe gjetja e sekuestrimi i provave konkrete. Shtetasit e ndaluar dhe të arrestuar si të përfshirë në këtë veprimtari janë Altin Lala, 30 vjeç, banues në Tiranë; Besnik Gaci, 27 vjeç, banues në Tiranë; Avdi Gjika, 24 vjeç, banues në Tiranë; Sali Prendi, 23 vjeç banues në Tiranë; Dritan Elezaj, 25 vjeç banues në Tiranë; A. C, 16 vjeç banues në Tiranë; Bilbil Sefa, 31 vjeç banues në Tiranë; Dëfrim Mata, 21 vjeç banues në Tiranë; Anila Kodra, 18 vjeçe banuese në Tiranë; Roland Skuqi, 23 vjeç banues në Tiranë; Altin Murani, 25 vjeç banues në Tiranë; Arben Seferi, 27 vjeç banues në Tiranë; Astrit Seferi, 24 vjeç banues në Tiranë; Aristogon Pashka, 22 vjeç banues në Tiranë; Artur Pashka, 21 vjeç banues në Tiranë; Eduart Pashka, 24 vjeç banues në Tiranë; Shpëtim Mataj, 22 vjeç banues në Tiranë; Artan Halilaj, 21 vjeç banues në Tiranë; Alfren Bushgjokaj, 26 vjeç banues në Tiranë; Xhevahir Koldashi, 21 vjeç banues në Tiranë; Gazmend Çerpja, 27 vjeç banues në Tiranë; Ahmet Meçi, 22 vjeç banues në Tiranë; Muhamd Murrani, 20 vjeç banues në Tiranë; E. D., 17 vjeç banues në Tiranë dhe E.I., 17 vjeç, banues në Tiranë. Sipas hetimeve, këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për më shumë se një vit kanë prodhuar kartëmonedha të falsifikuara të prerjeve 500, 1000, 2000, 5000 lekë të reja. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se këto kartëmonedha prodhoheshin në Tiranë, në afërsi të rrugës “5 Maji”, ku nga kontrolli i kryer janë gjetur pajisjet e nevojshme për këtë prodhim të jashtëligjshëm. Rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer shpërndarjen e kartëmonedhave të falsifikuara, kryesisht në Tiranë, në qendrat spitalore dhe në subjekte e biznese private. “Gjatë punës 6-mujore për finalizimin me sukses të këtij operacioni, nga strukturat seksionit të Krimit Ekonomik Financiar në Drejtorinë e Policisë së Tiranë dhe Njësisë së Taks-Forcë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, janë kryer veprime hetimore në të gjithë territorin ku këta shtetas kanë realizuar shpërndarjen e kartëmonedhave”, - bëri të ditur dje gjatë një konference për shtyp, numri një i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj. “Grupi i punës i angazhuar me këtë hetim ka punuar me profesionalizëm dhe me përkushtim, duke aplikuar të gjitha format dhe metodat speciale të hetimit, puna e cila mundësoi realizimin me sukses të këtij operacioni”, - ka vijuar deklaratën e tij kreu i policisë së kryeqytetit.

Denoncimet

Hetimet për zbulimin e kësaj veprimtarie kriminale kanë zgjatur përreth 6 muaj, ndërkohë që indice kanë qenë disa denoncime të qytetarëve apo bizneseve të ndryshme. “Për veprimtarinë e kryer nga këta shtetas janë marrë mbi 100 kallëzime nga qytetarë të ndryshëm, ndërkohë që ftojmë qytetarët e dëmtuar nga këta shtetas të paraqiten, për të kallëzuar pranë seksionit Kundër Krimit Ekonomik Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë”, - u shpreh përgjatë konferencës për shtyp drejtori Vocaj. Ky operacion dhe goditja e këtij grupi të strukturuar kriminal është konsideruar nga policia e kryeqytetit si goditja më e mirorganizuar për këtë tendencë, me synim parandalimin dhe goditjen e këtij fenomeni të kundraligjshëm.

U sekuestruan

* Shuma e parave prej 1.4 milion lekë
* Kartëmonedha të falsifikuara të prerjeve 1000, 2000, 5000 lekë të reja
* Kompjutera desktop dhe kompjuter laptop, të cilat shërbenin për përpunimin e kartëmonedhave të skanuara
* Printer dhe skaner me rezolucion të lartë, të cilat shërbenin për printimin e prodhimin e kartëmonedhave të falsifikuara
* Makineri për prerjen e kartëmonedhave të falsifikuara
* USB, e cila përmbante materialet e krijuara për realizimin e kësaj veprimtarie
* Fishekë të kalibrave të ndryshëm
* Një armë zjarri e llojit pushkë
* Maska të ngjashme me ato të Forcave Speciale
* Një sasi e konsiderueshme kartash telefoni prej 400 numrash
* Rreth 100 aparate celularë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›