PS i afrohet Parlamentit, ndalon tek dera
Opozita, të hënën, protesta para Kuvendit
PS mbyll protestat e 2009-s
Opozita do t’i afrohet tempullit të Parlamentit, por ditën e hënë do të ndalojë para derës së këtij institucioni. Kjo, për faktin se PS-ja ka paralajmëruar një tjetër protestë, por këtë radhë duke e zhvendosur atë para godinës së Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë mënyrë, java e protestës së opozitës do të përmbyllet ditën e hënë, përballë Parlamentit, pikërisht aty ku LSI protestonte muaj më parë kundër Kodit të ri Elektoral. Deputeti i zgjedhur socialist, Eduart Shalsi, konfirmoi dje se protesta e fundit e këtij viti, që kërkon hapjen e kutive ose largimin e qeverisë, zhvillohet në orën 17:00.
Ai ftoi socialistët që të protestojnë në Tiranë. “Ejani të protestojmë për krizën demokratike në të cilën e ka zhytur vendin dhe institucionet kryesore të tij papërgjegjshmëria e Sali Berishës. Ejani të protestojmë kundër kësaj qeverie, që gjendjen ekonomike mundohet ta paraqesë si zhvillim të paparë, ndërkohë që kriza ekonomike është ulur këmbëkryq në Shqipëri. Ejani të protestojnë për rritjen e çmimit të energjisë, që godet dhjetëra mijëra familje shqiptare, por dhe qindra biznese, të cilat përveç krizës ekonomike, tashmë i duhet të përballojnë papërgjegjshmërinë qeveritare”, - theksoi Shalsi.
PS, Xhaçka: Mure të reja për kufijtë shqiptarë
Deputetja e PS-së, Olta Xhaçka, akuzoi dje Kryeministrin se po i mban peng shqiptarët, duke e lidhur me faktin që disa vendeve fqinje iu hoqën vizat, kurse vendi ynë mbetet në pritje. “Sot, qytetarët e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi lëvizin pa viza në Bashkimin Evropian. Shqiptarët jo. Shqipëria ka mbetur në klasë, ndërkohë që Sali Berisha përpiqet ta shesë si sukses faktin se herët a vonë dhe shqiptarët do të lëvizin lirisht në hapësirën Shengen, por fatkeqësisht për ne ai moment do të vijë vonë. Do të jemi të fundit në Evropë”, - tha Xhaçka. Duke theksuar faktin se sot qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi festojnë, kurse ne presim, deputetja shtoi se Shqipëria ka mbetur në klasë dhe sipas saj, ky është faji i Sali Berishës. “Shqipëria mbeti e fundit dhe për këtë e ka fajin Sali Berisha”, - tha Xhaçka, duke konsideruar se mure të reja janë ngritur në kufijtë e Shqipërisë. Sipas saj, shqiptarët kanë mbetur të fundit, pasi qeveria e tyre ilegjitime prodhoi krizën politike dhe ekonomike me paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e tejskajshme që e karakterizon. “Dhe sot po e fsheh atë mizorisht, duke u mohuar shqiptarëve zgjidhjet ashtu siç u mohoi zgjedhjet e ndershme e qeverinë që përfaqësonte vullnetin e tyre të lirë. Ndaj ne sot i themi Sali Berishës të hapë kutitë e të zbardhë të vërtetën e 28 qershorit ose të largohet”, - ishte thirrja me të cilën përfundoi daljen e saj për mediat, deputetja Xhaçka.
PS, Imeraj: Pse po zhvlerësohet monedha e vendit
Socialistët kritikuan dje rritjen e çmimit të energjisë elektrike. “Kryeministri Berisha t’i lërë përrallat me cunami dhe të tregojë për zhvlerësimin e lekut e t’u thotë shqiptarëve pse ua shtrenjtoi faturën e energjisë elektrike, në prag të festave të fundvitit”. Këtë kërkesë shtroi dje në emër të Partisë Socialiste, zëdhënësja Armela Imeraj në një dalje për mediat. Ajo shtroi pyetjen se pse nëpunësve të administratës civile nuk u jep rrogat dhe shpërblimet që meritojnë dhe pse numri i bizneseve që falimentojnë, po shtohet dita-ditës njësoj siç po shtohet papunësia dhe varfëria. Më tej, Imeraj kërkoi që Berisha të sqarojë pse monedha e vendit po zhvlerësohet e fuqia blerëse po ulet. “Këto janë përgjigjet që shqiptarët duan të dëgjojnë e jo përrallat e Sali Berishës për cunami e ciklone”, - komentoi Imeraj. Duke shprehur qëndrimin e PS-së, Imeraj vlerësoi se Berisha nuk e nxjerr dot Shqipërinë nga kriza ekonomike, për sa kohë qeveria e tij është ilegjitime.