Falsifikonin shasi makinash, në pranga katër durrsakë
Katër persona nga Durrësi janë arrestuar pasi falsifikonin shasi dhe targa makinash. Megjithatë ata nuk kanë qëndruar shumë kohë në qarkullim pasi i kanë vënë automjeteve të tyre targa që janë në qarkullim. Seksioni kundër Krimit Ekonomit dhe Financiar pranë Drejtorisë së Policisë së qytetit të Durrësit ka filluar procedimi penal në ngarkim të shtetasve, Alfred Myzeqari, 46 vjeç nga qyteti i Durrësit, Flamur Greca, 37 vjeç nga Hardhishta e Shijaku, Erzen Dedej, 38 vjeç banues në Durrës dhe Ylli Hodo, 58 vjeç lindur në Përmet dhe banues në Durrës.
Ata akuzohen se kanë fshirë dhe falsifikuar numrin e shasisë për katër automjete të ndryshme. Burimet policore të Durrësit kanë bërë të ditur se shtetasit e mësipërm kanë fshirë numrat origjinalë të shasive të katër autoveturave Mercedes Benz dhe më pas i kanë pajisur ato me targa. Por targat, të cilat ata kanë vënë tek automjetet e pazhdoganuara, kanë qenë që të gjithë në qarkullim dhe janë verifikuar shumë shpejt nga ana e policisë rrugore dhe drejtoria rajonale e shfrytëzimit të automjeteve. Procedimi penal në ngarkim të katër shtetasve filloi për arsye se mbi këta persona rëndon akuza e falsifikimit të vulave stampave apo formularëve, kontrabandë me mallra të tjerë, si dhe falsifikim i numrit të shasive të disa automjeteve. Pikërisht Alfred Myzeqari, i cili kishte në pronësi një automjet tip Benz veturë me targë DR 43 13 B, ka bërë targimin me dokumente të falsifikuara. Po kështu edhe Flamur Greca, i cili kishte në pronësi mjetin tip Benz veturë me targë DR 12 20 B me dokumente të falsifikuara. Ndërsa Erzen Dedej, ka falsifikuar numrin e shasisë dhe ka targuar automjetin tip Benz veturë me targë DR 14 21 B me dokumente të falsifikuara. Po kështu edhe Ylli Hodo, ka falsifikuar numrin e shasisë dhe ka targuar automjetin tip Benz veturë me targë DR 97 50 B me dokumente të falsifikuara. Në cilësinë e provës materiale grupi hetimor ka sekuestruar dosjet e automjeteve, të cilët rezultojnë me të njëjtin numër shasie (ËDB124125LA753170 ). Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, në ngarkim të katër shtetasve për hetime të mëtejshme.