PD hap sezonin turistik në Orikum
Hapja e sezonit turistik në qytetin e Orikumit, këtë vit është bërë vetëm në praninë e pushtetarëve të Partisë Demokratike. Ashtu siç tashmë është bërë traditë, ky sezon u hap në njërin prej komplekseve turistike në bregdetin e Radhimës dhe njëkohësisht me hapjen e sezonit ishin organizuar edhe aktivitete të tjera. Në tribunën kryesore të mitingut, që u organizua me këtë rast, kishin zënë vend vetëm pushtetarë të PD-së, ku binte në sy edhe kandidati për deputet në këtë qark Astrit Patozi që aty ende u prezantua si kryetar i grupit parlamentar të PD-së.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë Orikum, Kanan Braha në fjalën e hapjes përfitoi nga rasti i pranisë së shumë pushtetarëve vendor dhe qendror për të bërë thirrje në miratimin sa më shpejtë të planit rregullues të bashkisë, që tashmë është në dorën e KRRT. Pothuajse me të njëjtën gjuhë folën edhe kryetari i qarkut Agron Sharra dhe prefekti Hasan Halili, ndërkohë që kryetari i PD-së Vlorë, Ardian Kollozi dhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi, njëherazi edhe kryesuesit e listës së kandidatëve për deputetë në këtë qark, fjalimi i tyre ishte më tepër elektoral. Që të dy vunë në dukje faktin se Orikumi dhe zona përreth po gjallërohet dhe po njeh zhvillim më të madh, por të gjithë këtë e quajtën investim jo vetëm të PD-së, por edhe një frymëzim për të votuar përsëri për këtë parti në 28 qershor. Të dy ata i thurën lavde kryetarit të përgjithshëm të PD-së, Sali Berisha dhe hapur kërkuan që edhe në 28 qershor vota e të gjithë të pranishmëve në këtë ceremoni të shkojë për këtë forcë politike. Sipas tyre vetëm me fitoren e PD-së, në këto zgjedhje elektorale parlamentare Orikumi do të vazhdojë të njohë zhvillim duke u kthyer në qendrën më të madhe të turizmit në bregdetin e Jonit. Në çeljen zyrtare të sezonit turistik në qytetin e Orikumit, ajo që ishte risi për këtë vit kishte të bënte me hapjen e një panairi më së shumti bujqësor, ku fermerë nga fshatra të ndryshëm kishin ekspozuar në tavolina të shumta prodhimet e tyre bujqësore.