E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli, Kushtetuta më lejon hetimin, nuk po marr kompetenca

Pas akuzave të bëra nga kryetari i PS-së, Rama, se Kryeparlamentarja po shkel Kushtetutën në ushtrimin e detyrës së saj, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Kryetares Topalli, së pari nëpërmjet zëdhënëses dhe më pas në një konferencë të sajën për shtyp. Pak ditë më parë zëdhënësja e Topallit i kundërshtoi deklaratat e PS-së, duke u shprehur se kryetari i PS-së, Rama, ka kërcënuar shqiptarët me prishjen e paktit për drejtësinë, me bllokim të reformave dhe me mocion mosbesimi për Kryetaren e Kuvendit, për shkak të bllokimit që Kryetarja e Kuvendit i paska bërë një procedure të brendshme parlamentare, e cila lidhet me emërimin në detyrë të pesë kandidatëve të propozuar për t‘u bërë anëtarë të Gjykatës së Lartë. Në deklaratën e saj, zëdhënësja thekson se "meqenëse kërcënimi nuk i bëhet thjesht dhe vetëm Kryetares së Kuvendit, por gjithë procesit të reformave, në emër të saj kam dalë për të përgënjeshtruar akuzat false". Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dy ditë më parë edhe Kryetarja Topalli, e cila ka mohuar se po bllokon emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë që tashmë janë dekretuar nga Presidenti. Kushtetuta i lejon Kuvendit të hetojë mbi emrat që i propozohen për anëtarë të Gjykatës së Lartë, ndërkohë që Parlamenti ende nuk ka dhënë pëlqimin për anëtarët që presin të pozicionohen në këtë gjykatë.

Veprimtaria e këtyre gjykatësve gjatë kohës së komunizmit është qëllimi që Kryeparlamentarja ka kërkuar informacione shtesë për këta persona.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›