PD: Votimi për shkarkimin e Topallit, i hapur
Partia Demokratike del sërish në mbrojtje të Jozefina Topallit. Kriset ura e bashkëpunimit mes PD dhe PS, duke ashpërsuar lojën politike të së djathtës dhe të majtës. Zëdhënësi i Grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, ka bërë me dije dje se Kryetarja e Kuvendit po respekton Kushtetutën dhe po vepron sipas ligjit. Bumçi theksoi faktin se Partia Demokratike nuk do të lejojë asnjë formë presioni nga kampi rozë dhe se do të jetë e unifikuar në mbrojtjen ndaj Kryetares së Parlamentit nga qëndrimet politike. Qëndrimi i Partisë Socialiste për shkarkimin e Jozefina Topallit nga karrigia e Kryeparlamentares ka ngritur në gatishmëri numër një kampin blu, i cili ka dalë në mbrojtje të numrit dy të Partisë Demokratike. Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, shprehu vendosmërinë e mazhorancës për të zbatuar frymën kushtetuese lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. "Asnjë formë presioni nuk do ta lëkundë mazhorancën që të zbatojë frymën kushtetuese dhe vendimet interpretuese të Gjykatës Kushtetuese në emërimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë", u shpreh deputeti Bumçi. Duke reaguar ndaj "sulmit dhe revanshit politik", sikurse e cilësoi ai, presionin e ditëve të fundit të ushtruar nga PS, "për t‘i imponuar shumicës të shkelë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese në emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ne deklarojmë se kjo është një përpjekje sa primitive, aq edhe e dështuar, pasi e gjithë çështja bazohet në një terren juridik, kushtetues, të sqaruar më së miri nga vendimi i Kushtetueses në 18 janar 2005", tha Bumçi. "Sistemi i emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, i pranuar nga Kushtetuta e Shqipërisë, ka në esencë kooperimin institucional të Presidentit të Republikës dhe të Kuvendit", citoi Bumçi vendimin në fjalë. Sipas tij, "Kushtetuesja përcakton se Kuvendi i Shqipërisë në rastet e shqyrtimit të dekretit të Presidentit të Republikës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë ose Gjykatës Kushtetuese ka kompetencë të shqyrtojë jo vetëm përmbushjen e kritereve formale, por edhe meritën e emërimit të tyre". Duke vijuar citimin e këtij vendimi, Bumçi tha se "interpretimi, sipas të cilit emërimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese i përket në mënyrë ekskluzive një organi politik me natyrë individuale, siç është kreu i shtetit, nuk do të ishte në pajtim me standardet e përcaktuara të fushës. Nga e drejta kushtetuese e krahasuar del gjithashtu se emërimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ose të asaj Kushtetuese duhet të dalë nga kooperimi institucional ose si një procedurë ekskluzivisht, ose pothuajse parlamentare".