Topalli- Ina Ramës: “Na dërgove dosje të mangët, ushtarakët fajtorë dhe për vendimin e qeverisë”
Kryetarja e Kuvendit i ka dorëzuar sërish një kërkesë prokurorisë për dokumente shtesë në lidhje me çështjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu. Në kërkesë thuhet se anëtarët mazhorancës dhe opozitës në Këshillin e Mandateve janë shprehur se dosja që ka dorëzuar prokuroria është e mangët dhe se këto qëndrime i kanë bërë nëpër media. Por, kërkesa e Topallit nuk dihet, nëse reflekton qëndrimin e anëtarëve të opozitës në këtë Këshill. Megjithatë, Topalli vlerëson në kërkesë se edhe ushtarakët janë fajtorë në këtë ngjarje dhe dokumentet që provojnë një gjë të tillë nuk janë dorëzuar në Kuvend. Dhe duket se kryetarja e Kuvendit është bindur nga dokumentet që janë botuar në media, kur thotë se ato vërtetojnë katërcipërisht përfshirjen e tyre. “Siç jeni në dijeni, dosja juaj, që paraqitët për heqjen e imunitetit të z. Mediu, pa përjashtim nga të gjithë deputetët, të mazhorancës dhe opozitës, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, u konsiderua e mangët për të faktuar pretendimet e kërkesës tuaj. Këto vlerësime të anëtarëve të Këshillit u shprehën publikisht në media. Në mënyrë të veçantë, jo i bazuar është gjetur pretendimi juaj se në proces nuk janë përfshirë Forcat e Armatosura. Zoti Mediu ka deklaruar para Këshillit se janë rreth 30 dokumente zyrtare që faktojnë se çdo gjë është e miratuar, e përcaktuar nga autoritetet ushtarake të të gjitha niveleve sipas detyrës. Shtoj se, shumë nga këto dokumente janë botuar në organet e shtypit ose paraqitur në mediat elektronike. Është në detyrën tuaj t’i paraqitni parlamentit dokumentet e plota, të cilat faktojnë pretendimin tuaj për mospërfshirjen e Forcave të Armatosura në këtë proces, në mënyrë që ky parlament të gjykojë e të marrë vendimin që duhet”, - thuhet në kërkesën e Topallit. “Në media janë botuar dokumente që vërtetojnë katërcipërisht se autoritetet ushtarake janë të përfshira në çdo etapë të këtij procesi nga fillimi deri në momentin e eksplozionit katastrofik. Këto autoritete janë hartuesit e vendimit 138 të qeverisë, të urdhrave dhe udhëzimeve, të përzgjedhjes së vendit, të çmontimit në përgjithësi dhe predhave të kalibrave të mëdha në veçanti, në ruajtjen e tij, si dhe në transportin e municioneve. Për të shmangur çdo lloj keqkuptimi për njëanësi, duhet të sillni çdo dokument për këtë çështje dhe të faktoni, ku është shmangur autoriteti ushtarak, meqë në përzjedhjen e vendit, në transportin e qindra tonëve predhave në ditë, të të gjithë kalibrave, me vizitat në vendngjarje, në ruajtjen e vendit e deri në dërgimin e fadromave e kontenierëve, dokumente të bëra publike në media provojnë se, në këtë çështje janë përfshirë, kanë patur dijeni, kanë firmosur në të gjitha dokumentet që përbëjnë bazën e procesit që solli atë katastrofë, autoritetet ushtarake të të gjitha niveleve të vendit”, - vijon kërkesa.