E Diel, 1 Nëntor 2026

Familja Ajazi, persekutohet si dje nga komunistët, ashtu edhe sot nga socialistët

Inkuizicioni i Partisë Socialiste ndaj biznesit është i pafalshëm e kurdoherë i dënueshëm, pse është i pamoralshëm dhe cenon dinjitetin e atyre që sipërmarrjen e kanë produkt të djersës së një pune të ndershme. Mirëpo këtë gjë s’mund ta kuptojë e përzgjedhura Olta Xhaçka, njëkohësisht mbesa e Sërvet Pëllumbit, ish-nusja e shtëpisë Gjallica, që nëpërmjet një deklarate për shtyp vazhdoi akuzat për ministren Majlinda Bregu. Asaj nuk i interesojnë faktet. Pse faktet janë të pakundërshtueshme se Ministrja Bregu nuk është përfshirë në asnjë skandal.
Kuptohet vetiu se e gjithë teorema socialiste bazohet tek Hektor Ajazi, që sipas formularëve të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit tregojnë se ky zotëria nuk kishte eksperience apo lidhje biznesi me energjetikën, duke qenë se bizneset e tij të mëparshme ishin një disko dhe prodhim dollapësh, dhe për rrjedhojë nuk mund të ishte aksionar. Informacione jo të fshehura publikut përderisa janë të deklaruara në QKR. Ku është padrejtësia që i është bërë pronës publike? çfarë Kodi Civil a Penal ka shkelur biznesmeni Ajazi? Apo prodhohen akuza me tipare jakobine siç dënohej nga baballëkët e Bllokut i ati i Namik Ajazit, kalorësi i dekoruar nga presidenti francez për merita të larta, Beqir Ajazi. Një autoritet moral kundra bllokmenëve të orës së parë dhe orës së fundit.
Logjika inkuizicioniste mbështetet në një absurd dhe ka aksiomën thagmë se asnjëri që s’ka eksperiencë në një biznes nuk duhet të përfshihet në një tjetër biznes. Prandaj pas kësaj fshihet abuzimi. Pse-ja e teoremës nuk kuptohet, dhe as konferencierët e opozitës nuk arrijnë ta shpjegojnë dot. është sikur një njeri që ka fituar shumë para të ndershme të bllokohet nga morali i PS-së që të investojë në bursën ndërkombëtare të Frankfurtit, Uall Stret-it apo Nasdaq-ut. Pa eksperiencë nuk mund të bësh biznes thotë teoria e partisë më të madhe socialiste. Por kjo është fiks sikur t’i thuash një virgjëreshe mos bëj seks po nuk pate eksperiencë. E thënë kështu është paradoks pse eksperienca po nuk filloi diku, as përkufizohet.
Ndonëse nuk është ky problemi i eksperiencës që kriminalizon sipërmarrjen energjetike. Janë kromozomet anti-kapitaliste të PKSH-së që janë transferuar tek paria socialiste, si pa të keq dhe pa filtra arsyetimi. Mirëpo Egoarkut Rama as që i bën përshtypje mospasja e shkeljes më të vogël në kontratë.
Dhe këtu haset problemi i moralit. Askush nuk është i përkryer. Përveç kësaj, kritikat e shprehura publikisht gjithmonë do të perceptohen si të pasakta nga ata të cilët analizohen.
Dhe ky është problemi që akuzat që bëhen nuk kanë prova a fakte që të tregojnë për vepra penale të kryera nga personat që përmenden, por janë thjesht për propagandë politike. Edi Rama nxjerr ca tellallë që nuk dinë të flasin dhe vetëm përmend emra njerëzish që merren me biznes, por pa treguar qartë e bukur se ku është shkelur ligji, ku ka pasur favorizim të pandershëm e antiligjor, etj. Bile në mënyrë që të ruhen nga paditë për shpifje, tani ka filluar metoda e pyetjeve që në fakt janë akuza politike, thjesht për konsum militantësh që gëlltisin konspiracionet më fantazioze. Nëse bën një fokusim tek akuzat e lëshuara, maxhoranca afërmendsh i ka më të argumentuara. Për shembull znj. Vokshi dhe znj. Bregu përmendin me emër e mbiemër personin i cili është pakrahasimisht sekser i aksioneve me 20% të kompanisë në fjalë, për hesap të kryebashkiakut.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›