Kurthi/Amnezia sociale ndaj tipareve mizore të regjimit
është qartë e tashmë se trashëgimtarët e elitës komuniste e kanë infektuar demokracinë e debatit shqiptar, e për rrjedhojë po e orientojnë atë sipas interesave dhe orekseve të ditës publike. Mjaft të mos u kujtohen mëkatet e së kaluarës. Kështu që judët e shekullit të ri përpiqen çdo ditë me çdo mënyrë të krijojnë diversione kulturore e politike, sigurisht me akuza dhe kudo me trakte shtypi a vëzhgime kinse intelektuale. Soji i tyre duket tek mbiemrat e tyre. Njëfarë Koleka ka në duar lekët e Sorosit edhe të disa shoqatave të tjera OJQ. Njëfarë Bushati sillet sikur të ishte në cirk me politikë dhe skandale. Njëfarë me mbiemër Hoxha (nip i Dullës) ka zaptuar rivierën shqiptare dhe ka ngritur disko e lokale. Njëfarë me mbiemër Klosi (këta janë ata Ardianët, Blendat, Bilbilat, Fatosat) ka zaptuar parlamentin, fondacionet dhe OJQ-të e ndryshme. Njëfarë me mbiemër Peza bën ligjin e tenderëve në Bashkinë e Tiranës. Pa përmendur këtu kategorinë e ndërtuesve që sponsorizojnë mediet për të krijuar iluzione dhe amnezi sociale.
Tirana kulturore është ende e sunduar nga orgjitë e individëve që kanë pasur lidhje me regjimin dhe kanë qenë kalemxhinj përbërës të saj, bile shumë prej tyre janë lançuar dhe promovuar nga sistemi i dikurshëm, sot gëzojnë statusin Autoritet si inerci të privilegjeve që kanë gëzuar gjatë atij regjimi, ose/dhe që kanë pasur lidhje familjare dhe personale me Bllokun, dhe janë kalcifikuar intelektualisht nga diktatura dhe për rrjedhojë ngelen nostalgjikë të tij. Me një llaf: zëvendësim i elitave nëse ka filluar ndonjëherë, as që ka shkuar deri në gjysmën e rrugës.
Natyrisht ajo që po shikohet është se shfaqja apo farsa po ri-jepet për publikun e narkotizuar me forma të tjera, me tema të vjetra, si pasojë e ri-qarkullimit brenda të vjetërve të monopolit publicistik, si një inerci e elitës së vjetër që sot vjen e rifreskuar me trashëgimtarë të rinj.
Keni parë apo s’keni parë që mediet janë të të mbytura me gjykime drakoniane të njëfarë Drithëro Agollit apo të Sherbet Pëllumbat për jetën politike të vendit sikur këta të ishin alienë nga pjesa e nomenklaturës bllokmene. Kësaj elite gjenetikisht të modifikuar nga diktatura iu leverdis t’ia vishte fajin vetëm Enver Hoxhës, Mehmet Shehut apo Ramiz Alisë për të minimizuar dhe relativizuar përgjegjësinë e komunizmit dhe për rrjedhojë edhe të tyren që shpesh kanë qenë pjesë e sistemit në sakatimin emocional, logjik dhe psikologjik të qytetarëve.
Atyre u intereson amnezia sociale ndaj krimeve të komunizmit dhe pasojat e shumta që ka lënë sot, sepse përndryshe do të tronditnin status quo-në e tyre sociale. Ka prej tyre që nuk kanë guximin e kurrë s’e kanë pasur për të thënë një minimum të vërtetës dhe për fajet a mëkatet e regjimit stalinist, thjesht pse kanë qenë kuadro dhe janë pjesëtarë të gardës. Ka prej tyre që as kanë pasur ndonjëherë kurajën as guximin për t’u distancuar nga monizmi “mendor”, stalinizmi vetvetor dhe as pranojnë me ndershmëri përgjegjësitë e rënda historike të kastës komuniste në humbjen e Kosovës dhe masakrën e Tivarit, edhe nëse mund të kenë pasur lidhje biologjike, shpirtërore apo nepotike me ta.
***
Pikërisht për pengimin e kësaj njohjeje e sidomos e këtij dënimi është ngritur sot në këmbë një armatë e tërë. Me trysni, me kërcënim, me para, me kurthe, me lutje, me shantazhe, sigurisht me të gjitha mënyrat e mundshme, kjo organizatë e thirrur në shërbim, siç janë agjentët e konservuar po përpiqet të mbulojë të vërtetën. Në klimën e demokracisë të gjitha këto forca, duke u fërkuar nëpër gjysmëterr, duke nuhatur njëra-tjetrën, u afruan e u forcuan. Ato kanë shtjerë në dorë pjesën më të madhe të jetës publike, të diplomacisë, të shërbimeve të fshehta e sidomos të ekonomisë, bile kanë infektuar edhe zona përtej llogores tradicionale që i ndan frontet politike.
Mirëpo kujt i intereson amnezia sociale ndaj mizorive komuniste? Kujt i djeg thënia e të vërtetës së hidhur mbi regjimin e bllokut? Janë pyetje retorike në një politikë të infektuar nga komunizmi mendor.
Mjafton të shikosh sot Partinë Socialiste që ka ricikluar nomenklaturën nëpërmjet operacionit “Brezi i ri” duke sjellë bllokmenët gjenetikë në strukturat dhe forumet drejtuese. I pari në radhë është pikërisht Edi Rama, kryetari i ri i partisë, babai i të cilit, Kristaq Rama, ka qenë anëtar i Komitetit Qendror dhe anëtar i presidiumit të Kuvendit Popullor dhe për fat të keq emri i tij është shënuar e zeza mbi të bardhë në vendimin për pushkatimin më makabër të diktaturës, të poetit Havzi Nela. Vetëm pak ditë më parë dolën në dritë këto dokumente, e familja e këtij poeti, historia e të cilit do të mjaftonte për të përshkruar gjithë tmerrin e mbjellë nga diktatura komuniste, i kërkoi Ramës që të kërkonte falje në emër të të atit. Por në vend të faljes, Rama foli për dhjetorin e demokracisë, duke tentuar ta bëjë pjesë të PS-së. Tendenca e Ramës për t’iu kthyer së shkuarës së partisë në një qasje të re, atë të një partie që ka brenda vetes merita, për atë çfarë ndodhi në vitin ’90, filloi që në fushatën elektorale të qershorit. Por ai nuk i ka shpëtuar dot kontradiktës që mbart në vetvete kjo gjë, në një kohë kur ka në kupolën rozë e në krahun e tij të djathtë njerëz që i kanë shërbyer sistemit, e po ashtu ka marrë për dore në parti bijtë e nipërit e baballarëve të sistemit. Rama ngjiti në tribunën e “Qytetit Studenti” Gramoz Ruçin, ministrin e Brendshëm të fundit të sistemit të kalbur që dha shpirt në ‘90-‘91 prej uraganit studentor që kërkonte demokraci. Rama thotë se atë dhjetor të ‘90-s nuk mund ta privatizojë Berisha dhe PD-ja, madje edhe flet për tesera partie të kundërshtarëve, por nuk ka bërë as distancimin më të vogël nga i ati i tij biologjik, apo nga etërit politikë të PS-së. Ai s’ka kërkuar akoma falje për atë firmë të të atit të tij dhe s’ka kërkuar akoma falje për krimet e etërve PS-së. Ilir Gjoni, i biri i Xhelil Gjonit, sekretar i parë i partisë në disa rrethe, prej disa vitesh militon në PS, duke mbajtur në qeverisjet socialiste dhe poste të rëndësishme, si ai i ministrit të Brendshëm. Ndërkohë një nga prurjet e reja në këtë parti është Ditmir Bushati, i biri i Sulejman Bushatit, sekretarit të Komitetit të Partisë në Shkodër, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së. Bushati duket se është një nga njerëzit më të afërt të Ramës dhe një këshillues i tij sidomos në çështjet ndërkombëtare. Pas një eksperience pune në Ministrinë e Integrimit dhe angazhimit në një OJQ po për këto çështje, Bushati po bën atë që në fakt i ati s’e ka çuar kurrë ndërmend, flet për Perëndimin, atë që i ati e njeh si “Perëndimi kapitalist”. Por nuk është aspak një ose dy koiçidenca, pasi një tjetër njeri i afërt i Ramës dhe deputete e re e PS-së, Ledi Shamku (Enkelejda Shkreli) është e bija e Hamit Shamkut, anëtar i Komitetit Qendror. Shamku u katapultua direkt në organet drejtuese të partisë pas ardhjes së Ramës dhe ka një hapësirë të madhe për qëndrime politike, kryesisht për çështjet e arsimit. Ilir Beqja, një tjetër deputet i ri në listën socialiste, është i biri i Hamdi Beqës, anëtar i Komitetit Qendror. Fidel Ylli, nipi i Kahreman Yllit, sekretar partie dhe ministër Arsimi në kohën e diktaturës ka ardhur në PS si pjesë e botës së biznesit, por duket se lidhja më e fortë me partinë është ajo që i vjen nga tradita familjare.
Por në listën e re të Ramës vjen edhe një lidhje me të shkuarën e afërt të PS-së. Largimi i Servet Pëllumbit nga kjo parti që në vitin 2005 duket se s’ka qenë i plotë, pasi ai kishte menduar t’i hapte rrugën mbesës së tij për karrierë politike brenda familjes. Olta Xhaçka, një nga vajzat e reja që Rama vuri në listat e kandidatëve për deputetë, është pikërisht mbesa e profesorit të PS-së, i cili ishte një prej funksionarëve të PPSH-së që mbajti më tej poste të larta drejtuese në parti dhe në ekzekutiv gjatë qeverisjes së socialistëve. Ashtu si Pëllumbi, ka edhe shumë të tjerë në PS që vijnë nga administrata e mëparshme e Partisë së Punës. Gramoz Ruçi, sekretar partie në Tepelenë, ministri i fundit i diktaturës komuniste në vitet ‘90-‘91, Namik Dokle, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë, Valentina Leskaj, ndihmëse e Vito Kapos, kryeredaktore e revistës “Shqiptarja”, Fatmir Xhafaj, sekretar i rinisë komuniste, janë disa nga ata që vazhduan karrierën politike me partinë ku ishin.