E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova nuk është monedhë për kusuritje

Krerët e politikës të Beogradit zyrtar gjithmonë e kanë pasur dhe e kanë moto “kërko sa më shumë, për të fituar ate që dëshiron”. Qëllimi i tyre është ndarja e Kosovës. Qarqet zyrtare serbe fort mirë e dinë se kthimi i tyre në Kosovë në formën e mëparshme ka përfundur në vitin 1999. Sipas burimeve të përfaqësuesve të diplomacisë serbe, presidenti Boris Tadiq, ka deklaruar se do ta pranojë shtetin e Kosovës nëse plotësohen tre kushte;Eksterriorialiteti i manastireve ortodokse në Kosovë, një status special për serbët në jug të lumit Ibër dhe vazhdimi i status quo-së për Veriun e vendit tonë. Veriu i Mitrovicës i ndarë, funksionimi i strukturave ilegale paralele serbe në brendi të Kosovës dhe marrja e shumë hektarëve toke pronarëve shqiptarë përreth kishave, kanë bërë që presidenti serb Boris Tadiq të bëjë një deklartë të tillë. Tadiq deri me deklaratën e fundit kishte qenë këmbëngulës së Serbia kurrë nuk do ta pranonte Kosovën si shtet. Serbisë iu kanë shtuar orekset për grabitje territoresh shqiptare edhe për tri aryse të tjera. E para, ende nuk është anuluar rezoluta famoze 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo rezolutë nuk kishte kuptim atëherë kur u aprovua dhe nuk ka kuptim as sot, kur dihet së vendimi që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur, u mor nga shtetet e Grupit të Kontaktit. E dyta, edhe shtrirja e EULEX-it u bë në bazë të Planit Gjashtëpikësh të Ban Ki Munit, gjë që ishte një tjetër gabim i bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kështu e shkelën vendimin e vet. E treta, plani i Ahtisarit për decentralizimin e pushtetit lokal minoritetit serb i sjell të drejta aq shumë sa nuk mund të merret me mend. Deklaratës së Tadiqit, duket ashiqare se përpos Rusisë si aleate e Serbisë po i ndihmojnë edhe qarqet e caktuara proserbe në Evropë. Serbisë për çudi asnjëherë deri me sot nga BE-ja shumica e shteteve të cilat edhe e kanë pranuar Kosovën si shtet, nuk i është thënë se njohja e Kosovës është kusht për hyrjen e saj në BE. Me projekt-rezolutën e re të Serbisë, sikur dëshirohet të qitet në harresë vendimi i drejtë që mori kohë më parë GJND-ja. Edhe njohjet e reja që priteshin të bëheshin pas këtij vendimi, tash nuk duken edhe aq afër. Se ideja serbe për Serbi të Madhe nuk është shterrur flet edhe takimi i këtyre ditëve i presidentit serb Boris Tadiq dhe kryeministrit të Republika Srpska, Milorad Dodikut, të cilët e kanë quajtur të rrezikshme dhe kundërproduktive mungesën e qëndrimit të qartë të BeH-së mbi Rezolutën për Kosovën. Sipas të përditshmës serbe “Blic”, po shqyrtohet edhe opsioni i ndryshimit të tekstit me amendamente të projekt-rezolutës serbe. E gjithë kjo flet në dëm të Kosovës dhe të ardhmes së saj. Nese Beogradi paralajmëron se do të këtë ndryshime në projekt rezolutë, dihet se qarqet e caktuara evropiane Serbisë edhe i kanë premtuar së do të realizohen tri kërkesat e presidentit serb Tadiq. Edhe sulmet e fundit në Policinë e Kosovës, në Zubin Potok, dhe sulmi në Bostan të Novobërdos, sikurse edhe shumë shpërthime gjatë këtyre viteve, janë veper e kriminelëve serbë, për ta mbajtur Kosovën të destabilizuar, dhe shkon në sinkron me planet serbe për ndarje të vendit tonë. Shqiptarët duhet të bëjnë shumë kujdes, për të mos lejuar që Kosova të bëhet monedhë kusuritje siç u bë shumë herë deri me tash gjatë historisë sonë të dhembshme, nga fuqitë e mëdha të kohës. Serbisë shumë ia pamë sherrin historikisht. Edhe sot pas zyrtarizimit të pavarësisë, Serbia është duke na nxjerrë telashe të mëdha si në planin politik, ashtu edhe në planin ekonomik. Por mos të harrojnë serbët dhe të gjithë ndihmaqarët e tyre se janë duke bërë pazare pa hanxhinë. Sovranitetin e fituar me mund dhe sakrifica të mëdha shqiptarët me Amerikën mike dhe aleatët e saj diën dhe mund ta mbrojnë...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›