E Diel, 1 Nëntor 2026

Mohimi i Shtetit ligjor, përmes kontestimit të firmës së vet

Më 27.08.2010 Gramoz Ruçi deklaroi para gazetarëve, pasi kishte folur për “mirëkuptim” ndaj palëve: “Nuk ka zgjedhje, nëse digjen fletët e votimit”. Duket se fjala “kompromis“ paska kuptimin e një marrëveshjeje të kushtëzuar. Kjo nuk është larg shprehjes “marrëveshje ultimative”. Ruçi tha në këtë intervistë: - Nëse ekzekutohen fletët e votimit, kthehemi në pikën e nisjes. “Pika e nisjes” nënkupton manifestimet e rrugëve prej rrëmujaxhinjve bojkotues që përbëjnë lëvizjen populiste, e cila është pjesë e pjesës së opozitës, e rekrutuar prej bashkiakësh e nënbashkiakësh të E. Ramës, me paret korruptuese nën dorë e mbi dorë, domethënë me metoda korruptive. Njëri prej korruptuesve të Ramës, dhe jo i vetmi, është filmuar nga kamera amatore që u jepte, ditën dhe ashiqare, paret këtyre të mobilizuarve që u kishin hipur autobusëve falas dhe që dolën në ekranet televizive, bashkë me Xibrin që jepte lekët, të cilët marrësit i numëronin si pa të keq, se mos ishin mangët! Kjo është ajo “pika e nisjes” së Gramoz Ruçit, e kritikuar rëndë nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga brenda radhëve të elitës së P.Socialiste, pra nga Lëvizja për Mendimin Ndryshe.
Anëtarët e LMN-së, ç’është e vërteta, nuk janë vetëm një pesëshe që iu kundërvu E. Ramës, qyshkur ky e hodhi poshtë, për interesa vetjake, nenin 28 të statusit të PS-së, për të mos lëshuar nga dora kreun e partisë, ashtu siç kishte bërë paraardhësi i kësaj partie. Ndërkaq, Katriot Islami kishte argumentuar sesa e gjerë dhe sa shtrirje kishte kjo lëvizje për Mendimin Ndryshe, duke përdorur edhe emra të elitës së PS-së, që iu kundërvunë E. Ramës. Ndaj kësaj lëvizjeje, u përdorën metoda antidemokratike, mënyra që binin ndesh me transparencën më të thjeshtë, arbitrariteti më flagrant, dhuna më e paskrupullt dhe kërcënimet më meskine. Ai nuk e bindi LMN-në me këto mënyra të një dhune, të mbështetur nga pjesa më vulgare e partisë së tij, domethënë nga një pjesë e pjesës së opozitës, për të qartësuar një togfjalësh që përdorëm pak më sipër. Por ai e nënshtroi këtë lëvizje të shtrirë brenda radhëve, duke përdorur edhe mediet e blera prej tij. Anëtarët e Lëvizjes u kërcënuan me përjashtime dhe me dhunë verbale. Kështu breshëritë e “kryetarit” të kontestuar brenda radhëve, u bënë të shumëfishta: kundër LMN-së, kundër qeverisjes, kundër faktorit ndërkombëtar. Gramoz Ruçi s’e pati për gjë, të përgojonte titullarët e këtij të fundit se “po i sorollateshin nëpër këmbë!”. Propaganda e kësaj pjese të së majtës mori tiparet më të shëmtuara të asaj të kohës së diktaturës enveriste. E.Hoxha festohej në Pezë me portrete të diktatorit e me zurnà! “Ideologu” i populizmit, S. Ngjela, kërkonte pushtetin brenda tri ditësh, sipas recetave të K.Shmid-it (M. Shtirner), të Prudonit dhe të Bakuninit, që i kishte përvetësuar në Fjalorin e Filozofisë të përgatitur nga Shkolla e Partisë “V.I.Lenin” në vitin 1981 (se në origjinal asgjë nuk lexonte, me përjashtim të disa episodeve anekdotike, sa për të shitur erudicion). Nard Ndoka i vari turinjtë kur kujtonte se karrigia e ministrit të Shëndetësisë në qeverisjen demokratike të S. Berishës, i ishte ngjitur në të ndenjurat në mënyrë të pashkëputshme, sapo e lëshoi këtë post ministror. I kishte gëlltitur rromuzet e atyre me të cilët u bë palë, si edhe shigjetimet tallëse të atyre, që e portretizonin si një injorant të pashkollë, si një ish-zdrukthëtar të pagdhendur që po drejtonte doktorët, e të tjera, e të tjera. Elementë si këta i shkonin plotësisht për shtat një lëvizjeje të tillë të bojkotimit totalitar nihilist prej kryetarit të kaosit Edvin Rama, inkoherenca e të cilit e kishte çuar në ekstremin nga nxirosja dhe mallkimi i Enver Hoxhës, tek apoteoza e tij ekzaltuese e 16 shtatorëve të Pezës. Kjo luhatje e një natyre ekstravagante të pashembullt e çoi në mohimin e firmës së tij, në kodin zgjedhor. Sherif Elmazi, njëri ndër personalitetet e larta të PS-së (tani i denigruar nga E. Rama), ka folur shkoqur se neni 178.6 i Kodit Zgjedhor, që sanksionon ligjërisht djegien e fletëve të votimit, pas dhënies së verdiktit nga KQZ-ja (vendim i dhënë në raportin 7:0), përmban firmën e të njëjtit person që tanimë kërkon të mos zbatohet ky nen, i shndërruar në ligj me dorën e tij!
Kështu u dashka bërë një veprim antiligjor për ta hedhur poshtë, në mënyrë të njëanshme, këtë nen që ka marrë trajtë ligjore. Dhe yshten të grumbulluarit me metodat e Xibrit, që të ulërijnë në kor: “Hap kutitë, ose ik!”. Nuk është fjala për kutitë e materialeve zgjedhore, por edhe për kutitë e fletëvotimeve (pika d), të nënshkruara nga E.Rama për asgjësim, që s’do t’ia dijë për firmën e vet! Kjo do të ishte mosnjohje e komisioneve zgjedhore vendore dhe qendrore, por edhe mosnjohje e dhjetëra mijëra komisionerë të E.Ramës, që quhen “tradhtarë”, pavarësisht se janë zgjedhur kokërr më kokërr, me firmën e tij, si komisionerë!
Natyrisht që asnjëri prej të mallkuarve të E.Ramës, që “s’e paska bërë detyrën”, nuk është arrestuar, për mungesë faktesh, të cilat supozohen... Kjo është një dëshmi e akuzave në tym, siç i ka të zakonshme antiligjori Rama. Por do të përbënte edhe një precedent të rrezikshëm: që në zgjedhjet e ardhshme, komisionerët e Ramës, të kërkonin qimen në përpeq, edhe atje ku s’ka parregullsí, që të mos quhen “tradhtarë”! A nuk mendon se këtë mund ta bëjnë edhe kundërshtarët e tij? Kësaj i thonë të ngjizet kaosi në zgjedhjet! Pse jo? I provokuar si mënyrë veprimi nga personifikimi i kaosit, që dihet se cili është...
Interesat partiake mbi ato kombëtare, apo anasjellas?/Të gjitha këto e kanë katandisur majtizmin tonë në një formacion politik të pangjashëm me partitë e majta në Europë e më gjerë. Jo vetëm ngase këto të fundit nuk kanë interferenca me diktaturat por edhe se në këto, interesat kombëtare mbizotërojnë mbi ato partiake. Te ne, përkundrazi, edhe interesat vetjake të së majtës së Ramës kanë përparësi mbi interesat kombëtare!
Në një vend, që është shembull demokracie europiane në ditët e sotme, janë botuar CV-të e personaliteteve pas Luftës II Botërore, gjer në ditët e sotme. Po marrim njërin: Fernand Brunfaut (Brënfó): “Deputet i zgjedhur në listat socialiste në Bruksel. U shndërrua në komunist pak para luftës. U kap nga gjermanët dhe u internua në Breendouk. U arratis si rob dhe u fsheh në një kuvend. Së fundi, u deklarua jashtë çdo partie dhe u shpreh se do t’i kushtohej atdheut”.
Për librin, që do të dalë në qarkullim shumë shpejt, nuk mund të shprehemi, se ekskluzivitetin e ka shtëpia botuese. Por edhe ata pak rreshta janë tepër shprehës. Nga socialist, ky deputet u bë komunist dhe, së fundi u shkëput edhe nga kjo parti, për t’i shërbyer kombit. Libri nuk ka të bëjë me biografinë e Brënfóit dhe ky emër përmendet rastësisht. Por lexuesi kupton, se në disa rrethana të pazakonta, deputeti që cituam kuptoi mirë ç’janë diktaturat, mbase edhe thënien e Manifestit se “komunistët s’kanë atdhe” , me të cilën ai s’mund të pajtohej, tanimë.(E.H. vuri internacionalizmin proletar mbi atdheun dhe kombin. As donte t’ia dinte se Stalini e trajtoi Shqipërinë si plaçkë tregu!).
Do të donim të kishim ndonjë libër tjetër, për të parë evolucionin shpirtëror të deputetit Brënfó. Por njohim më thellësisht jetën e shkrimtarit të shquar francez André Gide (Zhid).
Me t’u kthyer nga vizita në Bashkimin Sovjetik, pendohet thellë. Sipas kritikut letrar Ahymé, e kuptoi vetëtimthi, më shpejt se të gjithë të tjerët, kurthin e drekave dhe të darkave gratis, të Stalinit... E “ata të tjerët” nuk ishin të dorës së dytë. Bënë lavde kolkozesh e “bollëku”, të cilat koha i përgënjeshtroi ashpërsisht. Zhidi pati nuhatje më të mirë! Iu shmang menjëherë kurtheve joshëse të Stalinit, por pati lavde më të sinqerta: E quajtën Dalai Lama, apo Papë, por ai i kthente këta cilësorë në shakà. Sepse preferonte aforizmin e Zhan-Zhak Rusoit: ”Ai që parapëlqen të vërtetën më shumë se lavdinë e tij, mund të shpresojë ta dashurojë të vërtetën më shumë sesa jetën”. Majtizmi ynë i Ramës është i pushtuar nga dashuria e pushtetit, qoftë ky edhe i paligjshëm!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›