E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familja e Dajtit ankesë në Prokurori

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria dhe Spitali i Burgut refuzuan për të pestën herë, kërkesën e familjarëve për takim me Dritan Dajtin. Hasan Dajti, babai i të akuzuarit për vrasjen e katër policëve, bashkëshortja Dorela Dajti dhe vëllai i 38-vjeçarit, u paraqitën dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku paraqitën dy kërkesa. Ata i kërkuan prokurorisë të ndërhyjë në mënyrë që ai afërmi i tyre në gjendje arresti, t'i nënshtrohet sa më shpejt ndërhyrjes kirurgjikale, pasi po mbahet në qeli me dy plumba në trup. Kërkesa e dytë e familjarëve të Dritan Dajtit ishte që Prokuroria të lejonte takimin e tyre me të arrestuarin, si dhe të mundësonte furnizimin e tij normal me ushqime dhe veshmbathje. Për mëse 35 minuta të afërmit e të pandehurit për masakrën e Durrësit, qëndruan në Prokurorinë e Krimeve të Rënda duke parashtruar kërkesat e tyre, për të cilat nuk morën përgjigje miratuese. Grupi hetimor i masakrës së 7 gushtit ka pritur familjarët e Dajtit, por nuk ka dhënë miratimin për takimet e tyre me të arrestuarin. Ndërkaq, për ndërhyrjen kirurgjikale, prokuroria u ka bërë me dije të afërmve, se ka marrë kontakt me Spitalin e Burgjeve, pasi shëndeti i të pandehurit lidhet me hetimin e ngjarjes. Sipas Prokurorisë, Dajti duhet të jetë në gjendje të japë shpjegime në momentin që do të merret në pyetje nga Prokuroria, lidhur me vrasjen e katër oficerëve të policisë.
Tentativa në burg
Pasi nuk kanë arritur të marrin asnjë miratim në Prokurori, të afërmit e të arrestuarit kanë shkuar në Spitalin e Burgjeve, duke marrë kontakt me drejtuesit e këtij institucioni. Edhe aty kërkesat kanë qenë të njëjta, ndërhyrje kirurgjikale për të hequr plumbat që ndodhen në trupin e të arrestuarit dhe lejimi i takimeve me të afërmit. Burime nga Spitali i Burgjeve, thanë se gjatë bisedës me familjarët e Dajtit, atyre u është sqaruar se kryerja e një operacioni tani është e pakëshillueshme nga mjekët. Këta të fundit, sipas Spitalit të Burgjeve, kanë rekomanduar që Dajti t'i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale, pasi plagët t'i jenë rikuperuar. Veç plagëve të dy plumbave, i arrestuari ka në trup edhe plagët e operacionit të bërë në spitalin e Durrësit ditën e ngjarjes, e më pas ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Ushtarak ku iu hoq plumbi i parë. Lidhur me kërkesën e të afërmve për të takuar Dritan Dajtin, Spitali i Burgjeve ka kthyer përgjigje se kjo nuk është e mundur.
Refuzimi i Prokurorisë
Përpjekja e parë e të afërmve të Dritan Dajtit për ta takuar atë menjëherë pas arrestimit, ishte në spitalin e Durrësit e më pas në Spitalin Ushtarak në Tiranë, pasi u mësua se ai ishte plagosur me 3 plumba. Policia nuk lejoi të shoqen e Dajtit të hynte në spitalin, ku bashkëshorti i saj po operohej. Më pas, i arrestuari u dërgua në Spitalin e Burgjeve dhe familjarët për pesë herë me radhë, përfshi ditën e djeshme, kërkuan nga prokuroria dhe burgjet, që të lejohen të takojnë 38-vjeçarin për t'i çuar ushqime dhe veshje. Në tri raste spitali i burgut ka pranuar ushqimet e familjarëve, ndërsa ka refuzuar të lejojë takimin e tyre me të akuzuarin për masakrën e 7 gushtit 2009.

Maskimi i policëve i rregullt, dy efektivat u prezantuan
TIRANE - Veprimi me maska në kokë, i agjentëve të policisë të cilët tentuan arrestimin e Dajtit, konsiderohet i rregullt nga policia dhe Prokuroria. Referuar rregullores së Sektorit të Operacioneve Speciale, GOS, ku bënin pjesë efektivat e vrarë, pajisja e agjentëve me maskë gjatë aksionit, është e parashikuar me shkrim në aspektin juridik dhe operacional. Qëllimi i maskimit është rrezikshmëria e lartë e detyrës që kryejnë efektivat e njësisë në fjalë. Maskimi bëhet në mënyrë që ata të mos identifikohen me fytyrë në veprimet operacionale që kryejnë. Nga ana tjetër, dëshmitarë në vendin e ngjarjes, por edhe efektivat e mbijetuar që morën pjesë në aksion, konfirmojnë se komandanti i skuadrës, Fatos Xhani, ka zbatuar rregulloren e Policisë së Shtetit, pasi në momentin kur ka dalë nga makina e policisë, e cila ndodhej pranë mjetit të Dajtit, në mënyrë të njëkohshme teksa nxirrte pistoletën, ka artikuluar shprehjen: Ndal, policia! Është e paqartë nëse paralajmërimi i oficerit është dëgjuar nga Dajti, i cili ndodhej në sediljet e pasme të fuoristradës, e cila gjithsesi xhamat e përparme i ka pasur të hapur në atë moment. 

Autopsia: Policët me maska, pa antiplumb
TIRANE - Tri ditë më parë, gjatë takimit me avokatin e tij Dritan Dajti ka pohuar alibinë e tij se kishte qëlluar ndaj dy personave, që ishin afruar tek makina e tij me maska në kokë dhe me armë në duar. I akuzuari për vrasjen e oficerëve të policisë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feska dhe Sajmir Duçkollari, mësohet t'i ketë thënë avokatit të tij se në rrethanat ku është ndodhur, ka qëlluar duke menduar se personat pranë mjetit të tij ishin grabitës. Prokuroria nuk ka bërë komente në lidhje me alibinë e të pandehurit. Megjithatë në dosje, nga dëshmitarë të aksionit pranë pistës "Iliria" përfshi edhe punonjës të policisë, mësohet se Fatos Xhani, komandant i skuadrës që ndiqte Dajtin, i pari që u afrua tek makina e të kërkuarit, është prezantuar si efektiv policie para se Dajti të shkrehte armën mbi të. Hetimi duket se rrëzon alibinë e Dajtit, pasi rezulton se në atë moment, dy xhamat e pasmë të fuoristradës Tuareg, ku ndodhej Dajti, kanë qenë vërtet të mbyllur, por xhamat e përparmë, të dritareve të dyerve të mjetit, ishin të hapura. Në këtë mënyrë, sipas hetuesve, prezantimi i Fatos Xhanit si efektiv policie, duhet të jetë dëgjuar nga 38-vjeçari, i cili ekzekutoi me dy pistoleta dy efektivat që tentuan t'i afroheshin makinës së tij. Ndërkaq, në dosje ndodhet autopsia e bërë trupave pa jetë të policëve, ku përshkruhet se ata kanë qenë me maska dhe të veshur njëri me këmishë të zakonshme, dy të tjerë me T-shirt dhe i fundit me një pulovër pa mbishkrim, nga ato që mbajnë efektivat e policisë. Procesverbali i këqyrjes së trupave të efektivave të policisë, konfirmon faktin se ata nuk kishin asnjë masë mbrojtëse për jetën, konkretisht veshje antiplumb.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›