"Duam hetim ndërkombëtar"
FIER/ MAJLINDA RAMA
Hetim ndërkombëtar për vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi. Pas 4 muajsh nga krimi që i mori jetën 49-vjeçarit, i zgjedhuri i PS-së në Roskovec dhe të zhgënjyer nga prokuroria jonë, familjarët e tij kërkojnë angazhim më të gjerë për zbardhjen e krimit. Sipas tyre, nëse organe të specializuara hetimore nga jashtë Shqipërisë do të përfshiheshin në këtë çështje, krimi ndaj deputetit do të zbardhej. Kanë vijuar edhe ditën e djeshme reagimet e familjarëve të deputetit socialist, Fatmir Xhindi, derisa shteti të përgjigjet konkretisht se çfarë po ndodh me këtë ngjarje të rëndë. Fjala e tyre më e fundit ka qenë ajo për një hetim ndërkombëtar, nëse do të duhet për t'u zbardhur çështja. Në të vërtetë ka qenë e shoqja e deputetit ajo që ka shkuar më larg nga sa mendohej, për këtë hetim. Xhemile Xhindi ka kërkuar që në emër të drejtësisë t'i jepet fund kësaj ece-jake-je pa fund dhe pa asnjë rezultat. "Kërkojmë veç drejtësi. Nëse shteti shqiptar abuzon me zbardhjen e ngjarjes, atëherë le ta marrë në dorë bota. Le të bëhen hetime më të specializuara dhe më të ndershme. Kërkoj autorin për vrasjen e burrit. Mjaft më me fjalë. Shteti ynë nuk do që ta zbardhë, se po të donte do të kishte bërë diçka. Me gjithë këto mashtrime pistash e hetimesh, kemi të drejtë të mendojmë se shteti është pasiv dhe padyshim që qëndron pas vrasjes së Fatmirit", u shpreh për gazetën Xhemilja, e cila ndër të tjera është treguar e gatshme të marrë pjesë në hetimin e vrasjes së të shoqit me të gjitha mënyrat. "Mjafton të na kërkojnë ndihmë dhe ne do ta bëjmë, pasi një shtet ligjor kështu duhet të veprojë, por na kanë lënë në harresë, ashtu siç lanë edhe çështjen", ka vijuar ajo. Xhemilja dhe të tjerë familjarë të deputetit shprehen se ende nuk ka ardhur koha që të bëjnë publike një pistë të mundshme, por nëse shteti hesht dhe hetimet u kalojnë ndërkombëtarëve, ata janë të bindur se gjithçka do të jetë më e qartë. "Nëse shteti hesht ashtu siç bëri deri tani dhe hetimet i merr përsipër bota, ne me siguri që do të servirim ndonjë pistë të mundshme. E them këtë pasi e di që do të hetojmë edhe vetë, nëse do të duhet. Në të kundërt do të vijojmë rrugën e vetëgjyqësisë", ka përfunduar për gazetën Xhemilja.