Tepelenë, vetëvaret në oborrin e shtëpisë 60-vjeçari
TEPELENË - Një 60 vjeçar nga fshati Qesarat, rreth 20 kilometra larg qytetit të Tepelenës, u gjet i vetëvarur dje në mëngjes në oborrin e shtëpisë së tij. Trupi i pajetë i të ndjerit Ali Çela në oborrin e shtëpisë u gjet dje nga 3 djemtë e 60-vjeçarit të sapokthyer nga Greqia për pushime në atdhe. Policia e sinjalizuar për ngjarjen ka mbërritur në fshat dhe ka këqyrur kufomë nga ku ka konstatuar se vdekja ka ardhur si pasojë e asfiksisë nga litari në fyt. Nga hetimet paraprake rezultoi se Çela, i ka dhënë fund jetës në kushtet e depresionit, nga i cili vuante prej 5 vjetësh.
Ngjarja
Gjithçka ndodhi pak pas mesnatës së të martës duke i gdhirë dita e mërkurë në fshatin Qesarat të Tepelenës, kur 60-vjeçari Ali Çela vari veten në degën e pemës së bajames në oborrin e banesës së tij. Burime nga policia thanë se 60-vjeçari pasi ka ngrënë darkë me tre fëmijët dhe bashkëshorten e tij, është shprehur se do dilte në oborr për t’u qetësuar. Megjithëse prej disa ditësh Çela kishte shfaqur shenja të dukshme mërzite asnjërit prej familjarëve të tij nuk i ka shkuar në mendje se kjo mërzitje do e çonte atë në vetëvrasje. Kur kishin kaluar disa orë bashkëshortja e 60-vjeçari e cila është me aftësi të kufizuara është përpjekur të dalë jashtë në oborr për të kërkuar burrin. Ajo është tmerruar kur ka parë të varur me litar në pemë burrin e saj, duke dhënë menjëherë alarmin. Fëmijët kanë dalë në oborr dhe janë përpjekur ti japin ndihmën e parë babait të tyre por ka qenë e kotë pasi ai kishte ndërruar jetë.
Hetimi
Policia mbërriti mëngjesin e djeshëm në vendngjarje ku rindërtoi skenën e vetëvrasjes. Burime nga policia konfirmuan se 60-vjeçari ka hipur në kalin e tij në bahçe të shtëpisë dhe pasi ka vënë lakun në fyt, ka larguar kalin duke lëshuar trupin e tij të qëndronte në litar i cili ishte lidhur në degën e bajames.
Familjarët e të ndjerit deklaruan para oficerëve të policisë se 60-vjeçari kohët e fundit vuante nga depresioni dhe mërzitja e madhe, dhe ky është dhe shkaku që është vetëvarur.
Arrestohet nga policia teksa i qëndronte pranë në spital gruas që përplasi me makinë
Tiranë - Një 20-vjeçar është arrestuar nga hetuesit të aksidenteve në spital ku po i qëndronte pranë kalimtares që përplasi me makinën e tij. Fatbardh Byberi, 20-vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Institut Bujqësorë, i dënuar më parë për grabitje është arrestuar pasi akuzohet se duke drejtuar automjetin tip- Volksvagen Bora, me targë V 270 FEN, në rrugën “Lord Bajron”, në Laprakë Tiranë, ka aksidentuar një këmbësore, 57-vjeçe, e cila është dërguar nga vetë drejtuesi i mjetit në spital. Pas mjekimit të marrë e aksidentuara është larguar për në banesë jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Rendit dhe Policisë Rrugore bënë të mundur edhe bllokimin e mjetit tek pika e servisit.
Tiranë, policia çon në qeli një shpërndarës heroine
Tiranë – Antidroga e policisë së Tiranës ka çuar në qeli një 29-vjeçar pasi posedonte një sasi droge. Kreshnik Selfo, 29 vjeç, u kap dje nga forcat e komisariatit të policisë nr. 4, dhe specialistët e antidrogës dhe gjatë një kontrolli fizik ju gjet në portofol një sasi pluhuri me ngjyrë bezhë me erë dhe karakteristika si ato të lëndëve narkotike të llojit heroinë Ndërsa gjatë kontrollit në banesë policia i gjeti dhe sekuestroi 29-vjeçarit sasi të tjera lëndësh dhe bimë të dyshuara narkotike, një peshore elektronike e sende të tjera që dyshohet se shërbejnë për ambalazhimin e lëndës narkotike, si dhe një sasi e konsiderueshme parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Ekstradohet nga Italia, kërkohej për vrasje të mbetur në tentativë
Tiranë - Zyra e Interpol Tiranës mundësoi ekstradimin nga Roma drejt Shqipërisë të Denis Balliut, 37 vjeç, nga Durrësi. Sipas të dhënave policore, Balliu ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar pasi gjykata e Tiranës me vendimin nr. 234, datë 7 mars 2007, ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale të “vrasjes me dashje mbetur në tentativë”, parashikuar nga nenet 76-22 të Kodit Penal. I ekstraduari akuzohet se më datë 10.02.2007, në një lokal tek rruga e Kavajës, në Tiranë, ka tentuar të vrasë Daniel C.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol-Romën me datën 22.11.2008, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt Tiranës të Denis Balliut.
I vodhën shtëpinë, 46-vjeçarja denoncon në polici
Fushë-Krujë – 46-vjeçarja Razie M., banuese në Fushë-Krujë, ka bërë kallëzim penal pranë policisë së këtij qyteti se në orët e para të mëngjesit të djeshëm në dy barakat pas shtëpisë së saj ka konstatuar një vjedhje. Burimeve policore thanë për gazetën “Albania” se denoncuesja ka konstatuar vjedhjen e 20 pulave fushe, një qengji, si dhe një pompë uji, të cilat kapin vlerën e rreth 60 mijë lekëve të reja. Kjo e ka detyruar të njoftojë menjëherë uniformat blu. U kryen veprimet e para procedurale dhe po punohet për zbulimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje. Materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Krujës për veprime të mëtejshme për veprën penale të “Vjedhjes" parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.
Ndalohen dy persona, prostituonin me 500 lekë në mjedise publike
Durrës – Policia ka filluar procedimin penal në liri për dy persona të cilët akuzohen për kryerje të marrëdhënieve seksuale në mjedise të hapura publike kundrejt pagesës. Sipas burimeve policore, të akuzuarit janë Tahir Luga dhe Ismail Matrakulla, që të dy lindur dhe banues në Tiranë. Procedimi penal në ngarkim të tyre filloi për arsye se që të dy janë kapur në flagrancë tek stacioni i Trenit në Durrës duke kryer marrëdhënie seksuale në mjedise të hapura me D. D dhe R. Sh kundrejt pagesës prej 500 lekëve. Në cilësinë e provës materiale janë bllokuar 2400 lekë si edhe 22 copë prezervativë. Materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Durrësit për veprën penale “Ushtrim prostitucioni” dhe “Marrëdhënie seksuale apo homoseksuale në vende publike”.
Operacioni “Varreza”, asgjësohen 800 bimë narkotike kanabis sativa
Mirditë - Forcat e policisë zbuluan 800 bimë narkotike Cannabis sattiva në kuadër të operacionit “Varreza”. Sipas të dhënave policore, ato janë gjetur në komunën Kaçinar të Mirditës, në vendin e quajtur lagja “Beqiraj” pranë varrezave të fshatit Kushnen. Burime policore konfirmuan se u kryen veprimet e nevojshme hetimore e procedurale si këqyrja e vendit te ngjarjes dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 10 rrënjë kanabis, ndërsa 790 të tjera janë asgjësuar me zjarr. Ndërkaq, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj vepre penale. Materialet procedurale do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Lezhës për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”.
27 Gusht 2009