E Diel, 1 Nëntor 2026

Stlistja italiane, Lidia Cardinale, tregon për projektet në Shqipëri

"Është kontakti i parë që vendos me Shqipërinë përmes një qyteti të bukur  si Vlora”, thotë stilistja italiane Lidia Cardinale. me një karrierë 25 vjeçare në këtë fushë, e cila mbrëmjen e dy ditëve më parë prezantoi në qytetin bregdetar shqipar 60 modele veshjes. Dasma e dy miqve të saj, Klodiana nga Vlora, avokate në Breshia dhe Federico, bashkatdhetari i Cardinales, nga i njëjti qytet, u bënë shkak që ajo erdhi këtu në Vlorë.  Por, mendon të rrijë gjatë. Pas suksesit të dy ditëve më parë, me sfilatën e organizuar në mjediset e pishinës së Hotel Restorant “NeË York”,  ajo ka çelur edhe “shoË room” në këtë hotel, që po vizitohet nga shumë qytetarë. Ka vendosur të çelë një atelie në zonën e Skelës, në afërsi të Universitetit të Vlorës, ku mendon të ekspozojë pjesë nga koleksioni i saj me një perspektivë, për t’u fokusuar tek veshjet e ceremonisë së martesës. “Martesa është një eveniment i rëndësishëm dhe mendoj të ofroj këtu guston italiane në veshjet e nuseve, duke e shoqëruar këtë edhe me shërbimet e tjera në organizimin e ceremonive të dasmave”, shprehet stilistja italiane.  Ajo është optimiste për këtë dhe për mjaft projekte të tjera që synon t’i konkretizojë në Tiranë e gjetkë.  Dhe, në këto projekte, ajo veçon  atë më të rëndësishmin çeljen e një shkolle mode në Shqipëri, që mendon se mund të konkretizohet në një ditë jo të largët. “Jam e bindur se këtu mund të bëhen shumë gjëra”, thotë Cardinale.  Stilistja e pasionuar, nënë e dy djemve, e shfaq dukshëm entuziazmin për të realizuar projektet e saj në Vlorë e më gjerë. 

 “Ju shqiptarët jeni njerëz shumë interesantë. Shoh mjaft të rinj e të reja, që janë mjaft optimistë, e duan jetën dhe modën në veshje dhe dua që sadopak të ndikoj në guston e tyre”, shprehet Cardinale. 

Stilistja, e njohur në pasarelat e modës në Milano e gjetkë, evokon përvojën e saj në këtë profesion. Tregon se ka lindur në Brindisi në rajonin e Pulias dhe në një moment vendosi të shkëputet nga Jugu, duke shkuar për studime në Akademinë e Arteve të Bukura Di Brera. Për një periudhë disa vjeçare punoi si mësuese e edukimit artistik në një shkollë të mesme në Breshia, ndërkohë që në vitin 1986 hapi për herë të parë atelienë e vet në Milano, në rrugën “Della Spiga”  dhe më pas në Breshia, në rrugën “Martiri della Liberta”. 

Prej këtij momenti, prej 25 vjetësh, ajo i është përkushtuar tërësisht stilimit të veshjeve, duke patur “shoë-room”-et e veta në këto dy qytete të rëndësishme të Italisë e duke qenë pjesëmarrëse në mjaft evenimente të modës në vende të ndryshme. “Gjithmonë moda dhe veshjet kanë qenë sfondi i karrierës sime”, thotë Cardinale. Ajo tregon se e ka nisur fillimisht me pasion duke dizajnuar veshje për mikesha e shoqe të saj. “Por më pas, ky pasion u shndërrua në aktivitetin e vetëm dhe të dëshiruar të jetës time”, shprehet stilistja. Në aktivitetin e vet, Lidia Cardinale ka të punësuar 10 profesionistë, të cilët punojnë për të. Marka e veshjeve “Lidia Cardinale” është e njohur tashmë prej 25 vjetësh në Itali e gjetkë, si pjesë e veshjeve të “Alta Modës”. Ato bazohen në tekstilet e rafinuara cilësore, mëndafshi, satini etj. “Metodika e punës sime është ajo e dizajnimit të modeleve dhe prodhimit të veshjeve, sipas metodës klasike: qepje sipas përmasave, duke përdorur tekstile cilësore të prodhuara në mënyrë artizanale”, shprehet Cardinale. Veshjet e saj të Alta Modës janë ato të ditës, të kokteileve, mbrëmjeve dhe ceremonive të martesës. Lidia Cardinale është një emër i njohur në pasarelat e modës në Milano, pasi prej 4 vjetësh sfilon në “Milano Collezioni”, që realizohet në muajt shtator të çdo viti, në qytetin e madh dhe kryeqendër të modës në Itali. 

 “Kjo përvojë është e shoqëruar me kosto dhe sakrifica, por edhe me sadisfaksione të mëdha”, thotë stilistja, e cila tregon se pasioni për këtë e ka çuar edhe në aktivitete të tjera të rëndësishme. Ajo ka sfiluar veshjet e saj në dy transmetime shumë prestigjioze të RAI-t, mes të cilave “Uno Matitte” e “Casa RAI Uno”. Veç kësaj është bërë pjesë e manifestimit të modës “Los Angeles Fashion Ëeek” si dhe ka sfiluar në vende të tilla si Arabia Saudite, Rusi, Kinë, Bullgari etj. Cilësohet si një grua e suksesshme, anëtare e shoqatës AIDDA, prej së cilës është vlerësuar me çmimin “Sipërmarrësja më e mirë breshiane e vitit 2008”.  Cardinale është vazhdimisht në kërkim të gjërave të reja në profesionin e saj. E frymëzuar nga dy djemtë e vet, Mikele e Andrea Ruso, ajo ka krijuar një linjë veshjesh për të rinjtë. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›