E Diel, 1 Nëntor 2026

Familja e Mlladiçit, kërkesë për deklaratën e vdekjes

Por, autoritetet e Beogradit reaguan menjëherë duke konfirmuar se një hap i tillë ligjor nuk do të ketë asnjë pasojë, dhe kërkimet për Mlladiçin do të vazhdojnë me të njëjtin intensitet dhe vendosmëri që është treguar deri sot nga autoritetet përkatëse.

"Familja e mori këtë vendim pasi që prej shkurtit 2003 nuk ka pasur asnjë sinjal për ekzistencën e Ratko Mlladiç dhe njëkohësisht gjatë këtyre viteve familja ka qenë nën presione shumë të mëdha", deklaroi avokati i familjes, Millos Saljiç, cituar nga agjencia e lajmeve Beta.

"Kushti për deklarimin si i vdekur për një individ në Serbi është që, për të paktën pesë vjet mos te ketë pasur asnjë informacion dhe te jetë mbi 70 vjeç", shpjegoi avokati. Duke marrë në konsideratë faktin se Mlladiç është 68 vjeç, ose siç rezulton nga certifikata e tij e lindjes që u lëshua dje nga Komuna e Kalinovikut në Bosnje, në kërkesën për deklarimin e vdekjes pohohet se "do të prezantohet një dokument mjekësor i kërkuar nga Akademia sanitare ushtarake", theksoi avokati.

Objektivi është që të dëshmohet se Ratko Mlladiç ishte tepër i sëmurë dhe që aktualisht do të ishte e pamundur që ai të jetë ende gjallë. "Nga dokumentacioni mjekësor që do t'i paraqitet gjykatësve, do të dëshmohet se Mlladiç që prej vitit 1996 ishte tepër i sëmurë", deklaroi avokati.

Kërkesa për deklarimin e vdekjes është prezantuar zyrtarisht në emër të djalit të ish-gjeneralit, Darko Mlladiç. Avokati i familjes shpjegoi se procedura për marrjen e një vendimi mund të zgjasë nga gjashtë muaj deri në dy ose tre vjet. Në kërkesë propozohet që dita e vdekjes të shpallet një marsi 2008, datë e cila përmbushi pesë vjet nga dita kur Mlladiç ishte parë për herë të fundit.

Rasim Ljajiç, kreu i komisionit qeveritar serb për bashkëpunimin me TPI-në, reagoi ndaj vendimit të familjes Mlladiç duke konfirmuar se "kërkesa e tyre nuk do të ketë asnjë pasojë në punën e autoriteteve dhe se kërkimet për Ratko Mlladiç do të vazhdojnë me të njëjtin intensitet dhe vendosmëri siç është bërë deri sot".

"Nuk duam të polemizojmë me avokatin dhe as me familjen e Ratko Mlladiç. Kryesisht bëhet fjalë për një histori mediatike që nuk do të ketë asnjë efekt për kërkimet e mëtejshme të Mlladiç", deklaroi Ljajiç për agjencinë e lajmeve Beta.

Në korrik të vitit 2008 në Beograd u kap Radovan Karaxhiç, ish-kreu politik i serbëve të Bosnjës, edhe ky i kërkuar për gjenocid nga TPI-ja, i cili për vite me radhë ishte fshehur në kryeqytetin serb duke ndryshuar pamje dhe duke punuar si ekspert në mjekësinë popullore.

TPI-ja kërkon gjithashtu arrestimin e Goran Haxhiç, një ish-drejtues i serbëve të Kroacisë, i cili ndodhet në arrati.

Evropianët kërkojnë arrestimin e këtyre dy personave si kusht të domosdoshëm që Serbia të mund të përparojë në aspiratat e saj evropiane.

Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç, ky i fundit ish-kreu politik i serbëve të Kroacisë, janë dy serbët dhe kriminelët e fundit të luftës që TPI-ja i kërkon Beogradit ti dorëzojë para drejtësisë. Mlladiç akuzohet veçanërisht për masakrën e Srebrenicës, qyteza boshnjake ku në korrik të vitit 1995, tetë mijë civilë myslimanë u masakruan nga serbo-boshnjakët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›