Familja e Ramiz Alisë: Një turp heshtja e PS

Ish-Presidenti, Ramiz Alia, duke marrë një dekoratë nga ambasadori i Rusisë në Tiranë, Vladimir N. Tokin, me rastin e 60-vjetorit të rënies së nazizmit, më 21 prill 2005
Nuk ngushëlluan ata që Ramizi u dha pushtetin
VDEKJA E ISHPRESIDENTIT/ Familjarët e Ramiz Alisë janë shprehur të indinjuar dje nga heshtja e Partisë Socialiste dhe politikanëve që ka promovuar Ramiz Alia. Gazeta Zëri Popullit asnjë njoftim në faqen e parë. Vetëm Majko thyen heshtjen: Politikan hezitues, por i aftë. Nuk besoj se do të kujtohet si trashëgimtari i Enver Hoxhës. Pëllumb Xhufi u zgjodh nga familja për të mbajtur fjalimin në ceremoninë që nis në orën 10:00 pranë ish-shtëpisë së Ushtrisë. Vetëm Meta, Vasili e Islami vizitë ngushëllimi. Historiani Michael Schmidt: Diti të mbijetojë si ngjalë në politikë, shmangu luftën civile në 91
Meta, Vasili e Islami, politikanët e vetëm për vizitë në familjen Alia. Mungojnë ish-bllokmenët
Nderime pas vdekjes nga periferia e zona të thella malore për ish-presidentin komunist e pluralist Ramiz Alia dhe braktisje nga ish-udhëheqja e Bllokut, liderët e partive të majta dhe politikanët në përgjithësi. Përveç kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili dhe deputetit Kastriot Islami, asnjë figurë tjetër politike e rëndësishme nuk ka denjuar që të ngushëllojë familjen Alia. Gjatë gjithë ditës së djeshme, në shtëpinë e të ndjerit nuk është parë asnjë nga personazhet që u futën në politikë nga Ramiz Alia në vitin 1991 dhe vijojnë të jenë edhe sot. Nuk janë parë as figurat kryesore të mbetura të sistemit komunist, ish-anëtarë të Byrosë Politike, ish-ministra, ish-sekretarë etj., ata që, si në shkresa zyrtare, edhe jashtë tyre, ai i quante shokë. Të vetmit që janë shfaqur dje në dyert e mortit, të hapura në katin e tretë, ku banonte Ramiz Alia, përveç tre politikanëve që përmendëm, kanë qenë vetëm njerëzit me lidhje gjaku dhe disa vizitorë surprizë. Këta të fundit janë persona të ardhur nga rrethet e largëta, që e kanë njohur dikur të ndjerin dhe sapo kanë marrë vesh lajmin, janë nisur drejt Tiranës. Një ndër ta ishte edhe Marin Hajeti nga Kalaja e Dodës, i cili kishte udhëtuar për tetë orë nga fshati i thellë vetëm për tu dhënë dorën familjarëve e për tu thënë ngushëllime, ashtu si edhe një grup veteranësh nga Shkodra. Të gjithë të lagur në trup prej shiut që nuk u ndal deri në pasditen e vonë, por edhe të njomur në sy për humbjen e mikut të tyre
Indinjohen miqtë dhe familjarët
Më në fund, gjatë paradites së djeshme, të tre fëmijët e ish-presidentit Alia u mblodhën së bashku. Dy vajzat, Zana që jeton në Tiranë dhe Besa e kthyer nga Argjentina pas një shërbimi atje (jeton në Suedi), kanë hapur dyert e mortit për gratë, ndërsa djali i vetëm i ardhur nga Franca, Arbeni, për burrat. Megjithatë, shtëpia e tyre nuk ka qenë aq e mbushur sa çpritej për një person që ka pasur funksione të rëndësishme në disa epoka politike për Shqipërinë. Drejtues kryesor në rininë antifashiste komuniste gjatë Luftës, ministër, anëtar i Byrosë Politike, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror, President gjatë komunizmit dhe Presidenti i parë pluralist, Ramiz Alia ka pasur kujtesë të vakët nga politikanët shqiptarë. Me atë çfarë thonë familjarët dhe miqtë që kanë shkuar në shtëpi për ngushëllim, pritej një indiferencë nga ana e krahut të djathtë, por për të majtët shprehen shumë të indinjuar. Në ditën e dytë për nderimet e ish-presidentit, familjarët rrëfejnë se kanë munguar për vizita pikërisht personazhet që i ndjeri u dha pushtetin 20 vjet më parë, në kohën kur në Kongresin e 10-të, pra në kongresin e fundit të Partisë së Punës, u mor dhe vendimi për transformimin në Partinë Socialiste. Namik Dokle, Gramoz Ruçi, Xhelil Gjoni, Ylli Bufi, Servet Pëllumbi, Arta Dade, Ermelinda Meksi etj., janë ndër politikanët kryesorë të së majtës, të cilët kanë qenë konsideruar si miq, por edhe pasardhës të Ramiz Alisë, të cilët ai i rekomandoi për poste partiake dhe qeveritare që në vitin 1991. Revolta e tyre shtohet edhe për emra të tjerë, si Skënder Gjinushi apo Rexhep Meidani, të cilët, përveçse shokë të Ramizit, kanë qenë edhe nxënës të bashkëshortes së tij, Semiramis. Ka qenë pikërisht ajo, pedagogia dhe më vonë dekane e Shkencave të Natyrës, e cila ia pati përshkruar bashkëshortit ish-studentët e saj si persona me integritet për tu ngritur në politikë.
Njerëzit e letrave
Më të ndjeshëm për humbjen e Ramiz Alisë duket se kanë qenë njerëzit e letrave. Mesditën e së shtunës kanë kapërcyer portën e apartamentit të të ndjerit një grup krijuesish e gazetarësh. Më shumë se një akt qytetar në nderim të ish-presidentit të parë të shtetit pluralist shqiptar, prania e Marrash Hajatit, Agron Çobanit, Kiço Blushit e Nasi Lerës në shtëpinë e Alisë në ditë zie, ka qenë shprehje e respektit të tyre si njerëz të letrave për periudhën kur profesioni ua ka dashur të jenë bashkëpunëtorë të tij. Kur Alia drejtonte sektorin e propagandës në Komitetin Qendror, Hajati ka kryer detyrën e kryeredaktorit të Zërit të popullit dhe të drejtorit të Përgjithshëm të RTVSH. Ndërkaq, Çobani për shumë vite ka qenë gazetari që ndiqte nga afër veprimtarinë e Alisë. Në tjetër kohë ka pasur rastin të bashkëpunojë me ish-presidentin Alia shkrimtari dhe publicisti i njohur Kiço Blushi. I përzgjedhur prej tij në Këshillin e të urtëve, ish-Këshilli Presidencial, Blushi kontribuonte me mesazhet e tij për të ulur tensionet e fillimeve të demokracisë.
Kujtime nga miqtë
Nga kujtimet e shumta që shpërfaqen në shtëpinë e Ramiz Alisë në ditën e dytë të vizitave në familjen e tij, ato të Muharrem Ymerit, pezakut 70-vjeçar që shërbeu për 30 vjet si shofer i të ndjerit, kanë një sens të thjeshtë e njerëzor. Ai, qysh në momentin e lajmit për vdekjen e Alisë nuk është larguar asnjë moment nga apartamenti i tij në afërsi të stadiumit Dinamo. Vetëm kur mbushet dhoma ku priten ngushëllime, shkëputet paksa e kthehet sërish në krah të familjarëve dhe të afërmve të Alisë. Aty pastaj shfrytëzon pauzën më të parë dhe nis të rrëfejë mbresat nga koha kur shërbente për të dhe familjen e tij. Duke veçuar raportet e ish-shefit me nënën e tij, Ymeri kujton lidhjet e afërta me të, pa nguruar të flasë për një konflikt të hershëm midis tyre. Ramizi nuk ndjehej mirë, – shton pezaku, – kur mësonte se e ëma falej pesë herë në ditë. Po, po, ajo derisa vdiq nuk hoqi dorë nga ritet e besimit mysliman, pavarësisht ligjit në fuqi, që e ndalonte kategorikisht. Madje, shoferi i Alisë mban mend se çdo natë Bajrami ajo i jepte ilegalisht pjesën e hallvës për vete dhe fëmijët. Ramizi ka qenë edhe ky! – futet në bisedë një shkrimtar i njohur, duke sjellë aty një fakt tjetër të kësaj natyre. Në kohën kur vdiq Enveri, shprehet ai, Alia ktheu në Tiranë gruan e divorcuar të Haxhi Lleshit dhe djalin e tij, që ishin internuar në zonën e Elbasanit…
Presioni i LSI për ceremoninë
Pas shumë debatesh, hezitimesh e përplasjesh, duket se organizimi i ceremonisë me protokoll shtetëror është një meritë e drejtuesve të LSI-së. Siç mësohet nga familjarët, Ilir Meta dhe Petrit Vasili janë politikanët që kanë shfaqur interesin maksimal që Ramiz Alia të varrosej ashtu