E Diel, 1 Nëntor 2026

Familja e gjyqtarit Konomi kërkon mbrojtje nga shteti

Familja e gjyqtarit Skerdilajd Konimi i cili u vra nga një atentat me bombë në 9 shtator i këtij viti kërkon mbrojtje nga shteti pasi ndihet e rrezikuar për jetën. Në një letër drejtuar kreut të shtetit Bamir Topi, ministrit të drejtësisë Eduard Halimi dhe nënkryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu, familja e Konomit thekson se duke u nisur nga zotimi se fajtorët për këtë krim makabër do të vendosen përpara drejtësisë sa më parë, shpreson që më në fund, jeta dhe prona e familjarëve të mbrohen me forcën e ligjit që ju ka veshur me autoritet.
 

“Për sa kohë që krimi mbetet pa fajtorë dhe çështja e pronave e pazgjidhura ta ndihemi të rrezikuar seriozisht për jetën. Nga çfarë dihet deri më sot, pronat e trashëguara nga familja, të cilat janë njohur dhe nga një vendim i Gjykatës së Lartë, përbëjnë pistën kryesore te hetimeve. Nisur nga kjo, frika jonë është edhe më e madhe tashmë që ndodhemi në pragun e një gjyqi i cili pritet të zhvillohet të hënën, më datë 3 tetor. Pa dashur të hamendësojmë asgjë, kërkojmë që ju të ushtroni të gjithë influencën tuaj që ky proces të zhvillohet sa më i qetë, i rregullt dhe në përputhje të plotë me ligjin. Familja jonë kërkon jo vetën mbrojtjen e pjesëtarëve tanë, por edhe të trupit gjykues ndaj presioneve të mundshme” thuhet në letrën e familjes Konomi.

Sipas familjes së gjyqtarit Konomi gjetja e fajtorëve të vrasjes së Skerdilajdit dhe finalizimi i proceseve te pronësisë konform ligjit, do të lehtësojnë dhimbjen e familjarëve dhe do të japin një shembull të shkëlqyer të mirëfunksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri.
“Pavarësisht krimit të tmerrshëm që ndodhi, dhe kërcënimit që qëndron pezull mbi çështjen e pronave, familja Konomi është e vendosur të ndjekë çdo rrugë ligjore për të kërkuar të drejtën e saj, pavarësisht çdo akti kriminal që synon të pengojë drejtësinë. Me besim në punën dhe angazhimin tuaj në zbatim të ligjit, ju falënderojmë për gjithçka që keni bërë për ne dhe për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj situate” përfundon letra e hapur drejtuar tre krerëve të drejtësisë shqiptare.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›