Familja hebre që i mësoi frëngjishten Enver Hoxhës
GJIROKASTËR- Ata ishin një komunitet i vogël në numër, por me botë dhe histori të madhe. Dhe sigurisht, në jetesën e tyre lanë gjurmë të pashlyeshme, që megjithëse kanë kaluar dekada vazhdojnë të kujtohen, gjithnjë me nostalgji. Është thënë dhe shkruar pak për hebrenjtë që kanë jetuar në “Qytetin e Gurtë”, megjithëse ata dhanë shumë për të. Pothuajse të gjitha gjurmët e tyre të lëna kanë humbur, përveçse ato të mbetura në memorjen e personave që i kanë njohur.
Delisia Kofina, është e vetmja trashëgimtare e mbetur në Gjirokastër nga komuniteti hebre që ka jetuar për gati një shekull. Megjithëse nuk di gjithçka për historinë dhe bashkëjetesën e të parëve të saj, krenaria e prejardhjes nga një komb i tillë është e para gjë që bie në sy. Në qafë mban një zinxhir të hollë floriri, ku varet ylli hebraik me gjashtë cepa. “Është një dhuratë që im atë fatkeqësisht nuk mundi të ma realizonte dhe pas humbjes së tij është kthyer në një simbol të shenjtë për mua”,- tregon Delisia. Historia e familjes Kofina, ashtu sikurse ajo e të gjitha familjeve të tjera të komunitetit hebre që mbërritën në Gjirokastër nga Janina, diku në fillimin e viteve 1930. “Stërgjyshi im erdhi i pari nga Janina, ku kanë lindur të gjithë pjesëtarët e familjes sime, edhe babai im Sollomon. Pjesa tjetër e familjes vazhdoi të qëndronte po në Janinë. Gjyshi im Matathia, i cili ishte rabin (udhëheqësi shpirtëror i fesë hebre) së bashku me vëllanë e vet kishin përfunduar gjimnazin Zosimea dhe flisnin nga shtatë gjuhë të huaja. Mbaj mend që babai më tregonte se xhaxhai i saj, Samueli, mblidhte fëmijët dhe u mësonte atyre frëngjisht. “Edhe Enver Hoxhës, Samuel Kofina ia ka mësuar gjuhën frënge. Më tej, pas luftës, hallën time e ndihmuan dhe i dhanë mundësinë të vijonte shkollën e lartë vetëm nga ky fakt”,- rrëfen Delisia.
Pesë familjet e komunitetit hebre të vendosura në Gjirokastër, pikërisht ato me mbiemrat Kofina, Batino dhe Bituli kanë qëndruar kryesisht në lagjen Varosh. “Megjithëse jetuan për dekada me radhë në qytet, gjithmonë kanë qëndruar në shtëpi me qira, pasi e kishin parim që të mos blinin shtëpi. Të gjitha familjet merreshin me tregti, që e zhvillonin në Qafën e Pazarit, ndërsa familja jonë merrej me tregtinë e metrazheve. Deri para luftës ekzistonte edhe sinagoga, e vendosur te Bashteja e Teqesë, ku kryenin të gjitha ritet fetare. Rreth 22 anëtarë të familjes së mbetur në Janinë u internuan në kampet e përqendrimit dhe u shuan gjatë luftës. I vetmi që shpëtoi nga kampet ishte burri i hallës, por që nuk u bë më i gjallë. Ndërsa për familjet në Gjirokastër babi më tregonte se marrëdhëniet e mira me fqinjët dhe banorët e qytetit, të cilat nuk e treguan asnjëherë prejardhjen tonë dhe fakti se në kohën e regjimit të Ahmet Zogut pjesa më e madhe i ndryshuan emrat bënë që të shpëtojnë. Babai im nga Sollomon, më tej në dokumente njihej me emrin Sulejman”,- vijon më tej tregimin për historinë e familjes Kofina, e vetmja trashëgimtare që vazhdon të jetojë në Gjirokastër.
Fundi i Luftës dhe regjimi Komunist
Përfundimi i luftës dhe vendosja e regjimit komunist do të sillnin edhe rënien ekonomike të familjeve hebre, të cilat gjithë jetën ia kishin kushtuar tregtisë. “Librat e shenjtë që gjyshi im i kishte trashëguar prej brezash i dogjën nga frika e përndjekjes, nëse do t’i gjenin. I gjithë mundi dhjetëravjeçar dhe e gjithë pasuria e familjes sime u konvertua vetëm në një shtëpi, ku vazhdojmë të jetojmë aktualisht unë dhe nëna ime. Edhe ritet fetare ishin të pamundura të kryheshin në atë periudhë dhe sinagoga u prish. Me ndërrimin e sistemeve babai vinte në kishë. Ndërsa pas luftës pothuajse të gjitha familjet e komuniteti tonë u larguan drejt Tiranës, ndërsa besoj se pas viteve 1990 ato kanë shkuar për të jetuar në Izrael”,- tregon më tej Delisia.
Dëshira
Krenare për prejardhjen e saj, Delisia shprehet se e ka ëndërr të shkojë njëherë në Izrael, në atdheun e paraardhësve të saj, ku aktualisht jeton halla, por mundësitë ekonomike aktualisht nuk ia lejojnë një udhëtim të tillë. “Në Izrael jeton halla ime, me të cilën mbaj kontakte vazhdimisht. Vajtja ime atje do të mundësohet një ditë, për të plotësuar një ëndërr të përbashkët familjare”,- tregon ajo.
----------------Familjet gjirokastrite tregojnë bashkëjetesën dhe zakonet e “fqinjëve” të tyre nga Izraeli
Zakonet “ndryshe” të hebrenjve
GJIROKASTËR- Lagjja Varosh në qytetin e Gjirokastrës është një nga zonat më të bukura e më të preferuara për të jetuar. Nikollaq Donon e gjejmë të ulur në sofatin e shtëpisë së tij, teksa bisedon me bashkëmoshatarët. E ndërsa pyesim për familjet hebre që kanë jetuar në këtë zonë, Nikollaqi pranon menjëherë të tregojë. “I kam njohur të gjithë, si nuk i kam njohur. Kanë qenë pesë familje që pjesën më të madhe të jetës, rreth 40 vjet e kanë kaluar këtu. Ja këtu përballë, ku tani është punishtja ka qenë një shtëpi e madhe ku ka jetuar njëra nga familjet, një tjetër diku më lart, e kështu me radhë. Ruaj përshtypjet më të mira për ato familje, ishim si një shtëpi. Për çdo gëzim apo hidhërim mblidheshim të gjithë së bashku. Me rastin e festave ata bënin ëmbëlsira të mrekullueshme dhe i ndanin me ne, ndërsa kur nëna ime bënte gatime gjirokastrite i thërriste në shtëpinë tonë. Ishin të gjithë në gjendje ekonomike shumë të mirë, se merreshin me tregti, kryesisht me manifakturë. Ata nuk blinin shtëpi dhe nuk mbanin asnjëherë pula, pasi thoshin që këto dy gjëra ishin pa leverdi. Mbaj mend gjithashtu që nuk përdornin asnjëherë gjalpë. Kur vdiste njeri, Matathia Kofina që ishte rabin zëvendësonte priftin ose hoxhën dhe thoshte lutjet në hebraisht. Vetëm në raste vdekjesh e përdorte gjuhën e tyre. Asnjëherë nuk kishte probleme se ishim të feve të ndryshme. Ishin njerëz shumë të civilizuar. Vinim gjithmonë në dyqanet e tyre ku psonisnim. Ishin gjithashtu edhe nikoqirë të përsosur siç i themi ne gjirokastritët. i ndihmonin shumë edhe kur shihnin fukarenjtë”, tregon me nostalgji Nikollaqi. E kur e pyet se nëse ky komunitet kishte pasur probleme gjatë luftës, mohon kategorikisht. “Asnjëherë nuk u mor vesh se ata ishin hebrenj. Jo vetëm nga të rriturit, por edhe fëmijët e dinin se kjo gjë duhet të ishte një sekret. Komandatura gjermane nuk ishte shumë larg prej këtej dhe mbaj mend që komandanti ishte një austriak. Por asnjëherë nuk dyshuan se këtu shumë pranë tyre jetonin hebrenj. Kur ikën këtej nga ne, kanë qarë shumë, të gjithë kemi qarë, sepse kishim kaluar bashkëjetesë shumë të mirë”, përfundon 72-vjeçari Nikollaq Dono. E. Bani
------------------------------------------------------Vladimir Qirjaqi shpjegon si ka ndikuar kultura hebraike në jetën e historinë e qytetit. “Ata sollën tregtinë e kontrabandën”
Studiuesi: Si e ndryshuan Hebrenjtë Gjirokastrën
GJIROKASTËR- “Është pothuajse e pamundur të flasësh për Gjirokastrën pa folur për komunitetin hebre që ka jetuar këtu, pasi kanë dhënë shumë për këtë qytet”, e nis bisedën e tij studiuesi Vladimir Qirjaqi. Ai pohon se hebrenjtë nuk i dhanë qytetit të gurtë vetëm anën ekonomike, por i sollën atij një zhvillim tepër të madh të panjohur deri atëherë, duke i dhënë njëkohësisht fizionominë e një qyteti perëndimor.
“Gjirokastra ka një pozicion të veçantë, jo për atë se çfarë bënë hebrenjtë, por për ndryshimin thelbësor në orientimin e qytetit. Sollën për herë të parë elementët e tregtisë dhe kontrabandës, të cilët luajtën një rol kryesor në rimëkëmbjen e tij. Në mënyrë domethënëse kjo gjë shfaqet në mesin e shekullit të XVIII-të, kur familjet e rëndësishme hebre ndërruan karakterin e pazarit, nga qendër administrative në një qendër tregtare. Pak a shumë, në këtë periudhë, Pazari i Gjirokastrës kopjoi ato europiane, ku katet e para ishin dyqane, ndërsa katet e dyta shërbenin si magazine. Nga burimet historike, një fakt i rëndësishëm që tregon për një institucionalizim të këtij komuniteti ishte prania e varrezës hebre. Nga ana tjetër, burimet nga kodikët e kishave flasin për dhënie të drejta zhvarrimi për hebrenjtë që mbeteshin brenda varrezave të krishtera”.
Sipas Qirjaqit pjesa më e madhe e zanatçinjve, duke filluar nga teneqexhinjtë, orëndreqësit, dentistët, ëmbëltorët dhe tregtarëve, si shitësit e vajit dhe drithërave, të verës e suvenirëve, eksportuesit e lëndëve të para dhe pasqyrave ishin pikërisht nga komuniteti hebre. “Tepër i rëndësishëm është kontributi i familjeve hebre në periudhën e Rilindjes Shqiptare në Gjirokastër. Në të gjitha shoqatat që u krijuan rreth obeliskut, ata ishin pjesëmarrës. Në lagjen Varosh ku kanë qëndruar, në ditën e “sabatit” (dita e shtunë) fëmijët e lagjes ishin ata që u hapnin portat, dritat dhe çezmat për të respektuar festën e tyre”,- tregon më tej Qirjaqi. Gjithashtu me keqardhje ai pohon se me gjithë kontributin e padiskutueshëm të këtij komuniteti, në Gjirokastër tashmë nuk ka asnjë shenjë që të tregojë për ekzistencën e tyre. “Si varrezat ashtu edhe sinagoga janë prishur dhe kanë humbur. Të paktën njërës prej rrugicave në lagjen ku ata jetuan për dekada me radhë duhet t’i vihej emri “Rruga e Hebrenjve”, pikërisht në respekt të gjithçkaje që ata dhanë për qytetin tonë dhe të kujtimit të tyre”, përfundon Qirjaqi.
-------------Shtegtimi nga “Toka e Shenjtë” në Iliri
Thuhet se prania e hebrenjve në truallin e Shqipërisë, daton që kur ky vend quhej Iliri. Një anije romake me skllevër nga vendi i judejve që po i çonin drejt Romës, u zu në mes të një stuhie dhe skllevërit u hodhën në det, meqë ishin pranë brigjeve ilire. Një tjetër etapë do të vinte gati 1500 vjet më vone, kur rreth viteve 1490 nën mbretërimin e Ferdinandit dhe Izabelës, Spanja katolike dëboi nga territori i saj hebrenjtë sefardikë. Kryevepra “Çifutka e Toledos ” e Fojtvangerit e përshkruan mrekullisht atë epokë. Një pjesë e madhe e tyre erdhën në Ballkanin e zotëruar nga turqit otomanë, të cilët ditën ta mendojnë më gjatë punën dhe t’i shfrytëzojnë cilësitë dhe talentet e hebrenjve. Në dokumentet osmane të quajtura “Salname i devlet aliye Osmaniye 1294 hixhra” (viti 1876), shkruhet se në qytetin e Janinës ishin 1555 jahudinj (hebrenj), ndërsa në territorin e Shqipërisë së sotme, ngulimi më domethënës ishte sigurisht “Rrugica e izraelitëve” në Vlorë, përveç familjeve që u vendosën në Berat, Durrës, Shkodër, Tiranë, Kavajë, Gjirokastër apo Sarandë. Akoma dhe ne vitin 1939, familje hebreje vijonin të stabilizoheshin në Shqipëri, siç tregon edhe lista e gjetur në arkivin e shtetit, fondi 494, e cila flet për 28 hebrenj të ardhur nga Greqia në prefekturën e Gjirokastrës dhe jo më pak në prefekturën e Sarandës.
-----------------------------------------------------
E ndërtuar pak vite pas vdekjes së Krishtit ajo është një nga 12 sinagogat e vetme që ndodhen në detin Mesdhe
Sinagoga e Sarandës dhe hebrenjtë e parë në Iliri
SARANDË- Një shenjë e fortë e prezencës së hebrenjve në historinë e vjetër shqiptare është edhe Sinagoga e Sarandës. Bëhet fjalë për një vepër arti me një vlerë shumë të madhe që tregon shtegtimet e një populli të tërë. Kjo sinagogë i përket shekullit të parë të pas Krishtit dhe është klasifikuar si një nga më të rrallat në Mesdhe. Në të gjithë Mesdheun ndodhen 12 sinagoga të tilla. Kjo tregon se në Sarandë ka ekzistuar një komunitet i madh hebre dhe se kjo zonë ka pasur një zhvillim të madh ekonomik në këtë periudhë. Sinagoga e zbuluar është një ndërtesë që ka jetuar deri gati nga çereku i fundit të shekullit të VI. Me pushtimet e sllavëve, sikundër është shkatërruar atëherë gjithë Saranda, është shkatërruar edhe ndërtesa. Vihet re që sinagoga ndodhet brenda murit rrethues të qytetit antik. Është e ndërtuar në dy faza; nga faza e parë kemi një ndërtesë më të thjeshtë në formë L-je, me mozaikë, ku paraqitet simboli i tyre që është shandani me shtatë krahë menoraja dhe pastaj vihet re se komuniteti është zhvilluar ekonomikisht, ka pasur me sa duket këtu prosperitet më të madh dhe kështu ka ndërtuar një vend kulti me një sallon shumë të madh, që është i planit bazilikal. Kjo është bazilika që kemi sot, e mbuluar me mozaikë në qendër. Një gjë tjetër e veçantë është ajo që gjithë mozaikët në këtë sinagogë paraqesin skena biblike. Ato janë shumë interesante dhe shumë të rëndësishme për studimin e kulturës dhe të simboleve hebraike, megjithëse mozaikët janë të zhvilluar, pasi punoheshin nga atelietë lokale në atë kohë .