Zjarr në spitalin e Lushnjes, shmanget katastrofa
LUSHNJE- Në orët e pasdites se djeshme, një zjarr për pak sa nuk ka shkaktuar një tragjedi në spitalin e Lushnjes. Një vatër zjarri është dukur disa metra nga godina e spitalit, e cila është stimuluar nga era dhe flakët kanë rrezikuar të djegin çdo gjë që kishin përpara. Zjarri ka rënë ne një mjedis me ferra brenda murit rrethues të spitalit dhe për pak minuta i është afruar godinës së urgjencës. Menjëherë zjarrfikësit kanë izoluar flakët dhe kanë bërë të mundur që zjarri të mos avancojë deri në mjediset e brendshme të spitalit. Sipas zjarrfikësve, izolimi i flakëve është bërë në kohën kur ato po përparonin drejt një magazine ku ishin bombolat e oksigjenit si dhe disa materiale që përdoreshin në repartin e kirurgjisë. “Nëse flakët do të kishin arritur deri aty shpërthimi i bombolave do ishte i pa shmangshëm dhe si pasojë dëmet do të ishin të pallogaritshme. Mjediset e papastra brenda murit rrethues të spitalit shkaktuan zjarr, në një kohë që disa herë është ngritur problemi i pastrimit të ferrave dhe shkurreve, pasi ato janë shkak për fatkeqësi natyrore”,- thanë dje burimet e zjarrfikëses në Lushnje. Ndërkohë policia, e cila po kryen hetimet e para ka pohuar se dyshohet për një zjarr të qëllimshëm.
Ndërkohë policia e Lushnjes ka mundur që të arrestojë dje personin përgjegjës për zjarrin që ra në fshatin Kosovë e Madhe dhe që rrezikoi edhe burgun e Kosovës. I arrestuari është Luan Komini, 38- vjeç dhe mendohet se fillimisht ka ndezur një zjarr në bahçen e tij por situata i ka dalë nga duart. Flakët e zjarrit kanë depërtuar në luginë dhe brenda disa minutash janë ngjitur sipër në kodër ku ndodhet edhe burgu. Në vendngjarje shkuan dy zjarrfikëse nga Lushnja, por e kanë pasur të pamundur të afrohen pranë zjarrit, pasi janë penguar nga terreni i thyer malor. Fronti i zjarrit është shtrirë në disa kilometra dhe ka qene e pamundur për zjarrfikëset të kryejnë detyrën. Në ndihme të fikjes së zjarrit kanë shkuar edhe banorët e zonës, të cilët kanë mbrojtur banesat nga flakët me mjete rrethanore. Burime nga burgu i Kosovës, thanë se brenda në institucionin e riedukimit u forcua gatishmëria për të përballuar çdo situate eventuale në rast se fronti i zjarrit do ishte afruar edhe më shumë murit rrethues ku kryejnë shërbimin gardianët. Sipas ekspertit të zjarreve Loni Boçi, “dy ditët e fundit në Lushnje ka pasur disa zjarre, të cilët kanë vënë në rrezik objekte dhe jetën e njerëzve”.