E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familja që ushqehej me misra të zier, ndihmohet pas apelit në media

Autori i Lajmit: Redaksia
Bëhen me shtëpi të re, ku ambienti duket i ngrohtë, dhe fytyrat e këtyre fëmijëve e prindërve të tyre nga Maqellara e Dibrës duken më të qeta. Para tre muajsh, ata u bënë personazhe të një historie të dhimbshme njerëzore që u transmetua në një nga Tv shqiptare. Menjehërë pas pamjeve tronditëse dhe dëshpërimit të nënës e fqinjëve për fëmijët që mbaheshin gjallë me misra të zier si shkak i varfërisë ekstreme, dhe jetonin në një dhomë të vogël të rrënuar, një familje shqiptare me banim në SHBA, vendosi të ndihmojë familjen pa bërë bujë mediatike. “Kjo kronikë u pa në Amerikë dhe ata erdhën tek ne për të na ndihmuar me divanë e me të gjitha gjërat e tjera. Mbasi kanë rregulluar shtëpinë pastaj kanë sjellë edhe plaçkat. I falenderojmë shumë”- shprehet një nga anëtaret e familjes Keshi. Sot ata janë me një shtëpi të re që u ndërtua dhe u mobilua enkas dhe falas për ta, ndërsa përmirësimi i jetesës është i dukshëm. Familja Keshi me këta fëmijë të ëmbël në fytyrë dhe të ndrojtur nga natyra, tashmë nuk po ushqehet më vetëm me misra të zier. Edhe pse gjendja e rëndë njihej nga komuna për familjen Keshi nuk ishte ofruar asnjë ndihmë shtetërore apo private. Familja që i ndihmoi, nuk ka pranuar të bëhet publike, duke u bazuar në parimet dhe bindjen e tyre islamike, për të ndihmuar pa bërë shou.

Ky lajm është publikuar: 25/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›